ATROTH-BETH-JOABI
[kurora (d.m.th. rrethime) të shtëpisë së Joabit].
Emër që renditet ndër «bijtë e Salmës» në gjenealogjinë e fisit të Judës. (1Kr 2:54) Disa mendojnë se është emri i një qyteze të Judës, duke u nisur nga fakti që në këto gjenealogji përmenden edhe emra të tillë, si Kiriat-Jearimi, Beth-Gaderi, Betlehemi e të tjerë. Sidoqoftë, fakti i thjeshtë që përkon me emrin e një qyteze, nuk është tregues i sigurt se këtu flitet për qytezën, pasi ka mjaft raste ku njerëz e qyteza kanë të njëjtin emër. Megjithatë, forma apo domethënia e disa emrave të përmendur nëpër gjenealogji të bën të mendosh se bëhet fjalë për emra gjeografikë dhe jo njerëzish. Zgjidhja mund të gjendet në pikëpamjen e përkrahur nga shumë studiues, sipas së cilës është më e saktë të mendosh se bëhet fjalë për banorët e qytezës dhe jo për vendndodhjen gjeografike. Kështu, mendohet se shprehja «ati i» që del në disa raste, do të thotë «themeluesi i» ose «kreu i të ardhurve» i një popullsie që banon në një vend të caktuar.
Fjala «ati» gjendet në tekstin origjinal në hebraisht te Zanafilla 4:20, 21, kurse disa përkthime thonë «paraardhësi» (AT; JB) ose «trungu» (DSF). Ndër kuptimet e mundshme të termit «atë», fjalorët hebraikë përfshijnë «sundimtar, krye» (A Hebrew and English Lexicon of the Old Testament, nga Brauni, Drajvëri dhe Brigsi, 1980, f. 3), «paraardhës, i pari i fisit, i kombit . . . i një vendi . . . themelues i një klase apo rangu, . . . i një zanati . . . themelues, kryegjyqtar i një vendi». (Lexicon in Veteris Testamenti Libros, nga L. Koleri dhe U. Bomgartneri, Lajden, 1958, f. 1)—Krahaso Is 22:20-22.