DETYRA QË I TAKON KUNATIT
E njohur ndryshe edhe si martesa me kunatin; zakon sipas të cilit një burrë duhej të martohej me të venë e vëllait të vdekur e pa fëmijë, në mënyrë që t’i siguronte pasardhje. Folja hebraike e përkthyer «bëj detyrën që i takon kunatit» është javám dhe ka lidhje me termat hebraikë të përkthyer «kunat» dhe «e veja e vëllait».—Zn 38:8; Lp 25:5, shën., NW; 25:7.
Te Ligji i përtërirë 25:5, 6 lexojmë për ligjin e martesës me kunatin: «Në rast se disa vëllezër banojnë pranë njëri-tjetrit dhe njëri prej tyre vdes pa pasur djalë, gruaja e atij që vdes, të mos martohet me një të huaj jashtë shtëpisë. Kunati i saj duhet të shkojë tek ajo, ta marrë për grua dhe të bëjë detyrën që i takon kunatit. I parëlinduri që do të lindë ajo, duhet të marrë emrin e vëllait të vdekur, që emri i tij të mos shuhet në Izrael.» Pa dyshim që ky ligj vlente si në rastin kur vëllai që mbetej gjallë ishte i martuar, ashtu edhe kur nuk ishte.
Jehovai është personi «nga i cili merr emër çdo familje në qiell dhe në tokë». (Ef 3:15) Ai kujdeset që të ruhet emri dhe pasardhja e familjes. Ky parim zbatohej në kohën e patriarkëve dhe, më pas, u përfshi në besëlidhjen e Ligjit me Izraelin. Gruaja nuk duhej ‘të martohej me një të huaj jashtë shtëpisë’, domethënë, jashtë familjes. Kur të martohej me kunatin, i parëlinduri i tyre nuk do të mbante emrin e kunatit, por të burrit të vdekur. Kjo nuk do të thoshte se fëmija do të mbante patjetër të njëjtin emër, porse do të ruante pasardhjen e familjes dhe pronat e trashëguara do të mbeteshin në shtëpinë e të vdekurit.
Me sa duket, fraza «në rast se disa vëllezër banojnë pranë njëri-tjetrit», nuk do të thotë se ata banonin në të njëjtën shtëpi, por që ishin fqinjë. Megjithatë, Mishna (Jevamot 2:1, 2) thotë se kjo nuk nënkupton në të njëjtën lagje, por në të njëjtën kohë. Natyrisht që po të jetonin shumë larg njëri-tjetrit, vëllai do ta kishte të vështirë të kujdesej edhe për trashëgiminë e tij, edhe për atë të vëllait, derisa këtë punë ta bënte një trashëgimtar. Mirëpo, zakonisht, pronat e trashëguara të familjes ishin në të njëjtën zonë.
Një shembull i martesës me kunatin në kohët patriarkale është rasti i Judës. Ai mori Tamarën si grua për Erin, të parëlindurin e tij. Por Eri ishte i keq në sytë e Jehovait, prandaj Jehovai e bëri të vdiste. «Kështu, Juda i tha Onanit [vëllait të Erit]: ‘Martohu me gruan e tët vëllai, ki marrëdhënie me të dhe bëj detyrën që i takon kunatit, që t’i lësh pasardhës vëllait tënd.’ Por Onani e dinte se ata nuk do të ishin pasardhësit e tij, prandaj, kur kryente marrëdhënie me gruan e të vëllait, ai e derdhte farën përtokë, që të mos i linte pasardhës të vëllait.» (Zn 38:8, 9) Ngaqë Onani refuzoi ta përmbushte këtë detyrim, Jehovai e bëri të vdiste. Atëherë, Juda i tha Tamarës të priste derisa të rritej Shelahu, djali i tij i tretë; megjithatë, Juda nuk i kërkoi Shelahut të kryente detyrën e tij kundrejt Tamarës.
Me kalimin e kohës, pas vdekjes së gruas së Judës, Tamara i manovroi ngjarjet në atë mënyrë që të kishte një trashëgimtar nga vjehrri. Që të mos njihej, ajo hoqi rrobat e vejërisë, u mbulua me një shall, vuri një vello dhe u ul buzë rrugës nga e dinte se do të kalonte Juda. Juda e mori për prostitutë dhe pati marrëdhënie me të. Ajo i mbajti peng disa sende si shenjë që kishin pasur marrëdhënie dhe, kur e vërteta doli në shesh, Juda nuk e fajësoi, përkundrazi, tha se ishte më e drejtë se ai. Tregimi thotë se, pasi mori vesh se cila ishte, ai nuk pati më marrëdhënie me të. Kështu, në mënyrë të pavetëdijshme, vetë Juda i la një trashëgimtar Erit me anë të nuses.—Zn 38.
Sipas Ligjit, në rast se kunati nuk donte të përmbushte detyrën e tij, gruaja e ve duhej ta paraqiste çështjen para pleqve të qytetit dhe t’i vinte në dijeni. Kunati do të paraqitej para tyre e do të pohonte se nuk donte të martohej me të. Atëherë, vejusha do t’i hiqte sandalen e do ta pështynte në fytyrë. Pas kësaj, në Izrael ai do quhej ‘Shtëpia e atij që iu hoq sandalja’, një shprehje poshtëruese për familjen e tij.—Lp 25:7-10.
Zakoni i heqjes së sandales mund ta ketë origjinën nga fakti se, kur dikush merrte në zotërim një tokë, e bënte këtë duke shkelur mbi të dhe shpallte të drejtën e tij të pronësisë duke ecur nëpër të me sandale. Kur hiqte sandalen dhe ia jepte dikujt tjetër, ai hiqte dorë nga pozita dhe nga prona e tij në sy të dëshmitarëve, pleqve që rrinin te porta e qytetit.—Ru 4:7.
Libri i Ruthës jep hollësi të mëtejshme për këtë çështje. Një burrë nga Juda, Elimeleku, vdiq, e po kështu edhe dy djemtë e tij, duke lënë të veja Naomin dhe dy nuset. Bibla flet për një burrë, të cilin e quan «filan», që ishte farefis i afërt i Elimelekut, ndoshta një nga vëllezërit. Meqë ishte njeriu më i afërt, ai ishte i njohur si goʼél ose riblerësi. Ai burrë nuk pranoi ta kryente detyrën, por hoqi sandalen dhe ia dha Boazit, i cili, pas tij, ishte farefisi më i afërt me të drejtën e riblerjes. Kështu, Boazi bleu tokën e Elimelekut dhe mori Naomin, por meqë ajo ishte tepër e moshuar dhe s’mund të lindte fëmijë, nusja e ve, Rutha, u bë gruaja e Boazit dhe lindi një fëmijë që do të mbante emrin e Elimelekut. Kur lindi Obedi, fqinjet e quajtën fëmijën si birin e Elimelekut dhe të Naomit, prandaj thanë: «Naomit i ka lindur një djalë.» Boazi dhe Rutha i bënë një shërbim Jehovait; faktikisht, emri që i vunë djalit të tyre do të thotë «shërbëtor; një që shërben». Jehovai i bekoi këto ngjarje, pasi Obedi u bë paraardhësi i Davidit dhe, rrjedhimisht, paraardhës i drejtpërdrejtë i Jezu Krishtit.—Ru 4.
Me sa duket, të drejtën për të kryer detyrën që i takonte kunatit e kishte mashkulli që ishte i afërmi më i ngushtë. Sikurse duket në ligjin për trashëgiminë e pronës, kjo detyrë i takonte vëllait më të madh, pastaj vëllezërve të tjerë me radhë sipas moshës, xhaxhait e kështu me radhë. (Nu 27:5-11) Shkrimet e Mateut 22:23-28 dhe të Lukës 20:27-33 i referohen pikërisht martesës me kunatin dhe tregojnë se detyra për t’u martuar me të venë e një burri pa fëmijë kalonte nga njëri vëlla te tjetri, në rast se ndodhte të vdisnin njëri pas tjetrit. Me sa duket, vendin e vëllait më të madh, që kishte detyrimin i pari, nuk mund ta zinte një vëlla tjetër, përveç rastit kur vëllai më i madh nuk pranonte ta përmbushte këtë detyrim.