KENITËT
Popull që banonte në Kanaan a në afërsi të tij gjatë epokës së Abramit (Abrahamit). Megjithatë, Shkrimet nuk japin ndonjë lidhje të qartë gjenealogjike që të përcaktojë origjinën e tyre.—Zn 15:18-21.
Disa studiues, të nisur nga ngjashmëria me një fjalë aramaike, mendojnë se «kenit» do të thotë «farkëtar», mirëpo kjo nuk është e sigurt. Bibla nuk i përmend kenitët si farkëtarë, por tregon që të paktën disa prej tyre ishin barinj. (Krahaso Da 2:15, 16; 3:1; Gjy 1:16.) Sipas një hipoteze tjetër, termi «kenit» lidhet me një fjalë hebraike që do të thotë «fole», çka do të përkonte me përshkrimin e vendbanimit ose ‘folesë’ së kenitëve, për të cilën thuhet se ishte «e vendosur mbi shkrep».—Nu 24:21.
Kur mori arratinë nga Egjipti për në Midian, Moisiu u martua me bijën e një familjeje kenite që jetonte në atë vend. Në Bibël, pjesëtarët e asaj familjeje quhen midianitë kur konteksti i ngjarjes tregon që banonin në Midian; në raste të tjera quhen kenitë. Kjo lë të kuptohet se vjehrri i Moisiut, Jetroi, «prifti i Midianit», dhe kunati i Moisiut, Hobabi, mund të kenë qenë midianitë nga pikëpamja gjeografike. (Da 2:15, 16; 3:1; 18:1; Nu 10:29, 30; Gjy 1:16) Nga ana tjetër, nëse familjarët e Moisiut e kishin prejardhjen nga Midiani, atëherë ndoshta quheshin kenitë ngaqë i përkitnin një dege a familjeje kenite të midianitëve. Në këtë rast, origjina e tyre do të ishte e ndryshme nga ajo e kenitëve që ekzistonin në epokën e Abrahamit, para lindjes së Midianit.
Kur izraelitët do të niseshin nga rajoni i malit Sinai, Moisiu i kërkoi Hobabit t’i shoqëronte dhe t’i shërbente kombit si ‘sy’ ose si udhërrëfyes, meqë e njihte mirë zonën. Edhe pse në fillim nuk pranoi, me sa duket Hobabi shkoi me ta, sepse më pas thuhet që kenitët u vendosën me banim në shkretëtirën e Judës, në jug të Aradit.—Nu 10:29-32; Gjy 1:16.
Kohë më vonë, keniti Heber u nda nga kenitët e tjerë dhe ngriti tendën pranë Kedeshit. (Gjy 4:11; shih KEDESHI nr. 3.) Pasi ushtria kananite u mund, Sisera «iku më këmbë drejt tendës së Jaelës, gruas së Heberit, që ishte kenit, sepse midis Jabinit, mbretit të Hazorit, dhe shtëpisë së Heberit kishte paqe». Gjithsesi, atje Sisera mbeti i vrarë nga dora e Jaelës.—Gjy 4:17-21; 5:24-27.
Në ditët e mbretit Saul, disa kenitë banonin mes amalekitëve. Prandaj, kur po gatitej të luftonte kundër amalekitëve, Sauli i nxiti kenitët të largoheshin prej tyre, që të shpëtonin nga gjëma. Kenitët u trajtuan me dashamirësi ngaqë edhe ata vetë ‘u treguan dashamirësi gjithë bijve të Izraelit në kohën kur dolën nga Egjipti’. (1Sa 15:5, 6; krahaso Da 18:8, 9; Nu 10:29-33.) Më pas, Davidi i tha Akishit se kishte bërë një mësymje «në jug të kenitëve». (1Sa 27:10) Mirëpo kjo ishte pjesë e një dredhie. Në të vërtetë, kenitët kishin marrëdhënie paqësore me izraelitët. Kështu, një pjesë të plaçkës që u mori amalekitëve, Davidi ua dërgoi «atyre në qytetet e kenitëve», ndoshta në rajonin malor në jug të Judës.—1Sa 30:29.
Familjet e skribëve që banonin në Jabez ishin kenitë «që erdhën prej Hamatit, të atit të shtëpisë së Rekabit». (1Kr 2:55) Ata përmenden bashkë me pasardhësit e Judës.—1Kr 2:3.
Fakti që kenitët jetuan tok me popuj të tjerë në epoka dhe vende të ndryshme, mund të nënkuptojë që ky popull nomad ose gjysmënomad nuk u asimilua krejtësisht nga ndonjë fis a popull tjetër.
Bibla nuk jep hollësi se çfarë ndodhi me kenitët, që mbanin edhe emrin Kain. Në shprehjen proverbiale të Balaamit për ta, ngrihej pyetja: «Edhe sa duhet që Asiria të të marrë rob?» (Nu 24:21, 22) Pra, ka të ngjarë që disa kenitë jetonin në mbretërinë veriore të Izraelit e në viset përqark dhe asirianët i morën robër bashkë me vendësit.—2Mb 15:29; 17:6.