JONAI
[pëllumb].
1. ‘Bir i Amitait’; profet i Jehovait nga Gath-Heferi (2Mb 14:25), qytet në kufi të territorit të Zabulonit. (Js 19:10, 13) Siç kishte thënë Jehovai nëpërmjet Jonait, mbreti i Izraelit, Jeroboami II, arriti të rivendoste «kufirin e Izraelit, që nga hyrja e Hamathit deri në detin e Arabahut [Detin e Kripur]». (2Mb 14:23-25; krahaso Lp 3:17.) Pra, duket se Jonai qe profet i mbretërisë dhjetëfisëshe gjatë mbretërimit të Jeroboamit II. Ka shumë të ngjarë që të ketë qenë po ai që Jehovai e ngarkoi të shpallte gjykimin kundër Ninevisë (Jn 1:1, 2), e si rrjedhojë edhe shkrimtari i librit që mban emrin e tij.
Në vend që të përmbushte caktimin për t’u predikuar ninevitëve, Jonai vendosi të ikte. Në portin e Jopës, ai gjeti vend në një anije që shkonte në Tarshish (që në përgjithësi mendohet se ishte Spanja), rreth 3.500 km në perëndim të Ninevisë.—Jn 1:1-3; 4:2.
Pasi hipi në kuvertë, Jonai zbriti «në fund të anijes» dhe e zuri një gjumë i thellë. Ndërkohë, marinarët, të cilët po luftonin me një stuhi të dërguar nga Perëndia që gati po mbyste anijen, u kërkonin ndihmë perëndive të tyre dhe hodhën në det ngarkesën që ta lehtësonin anijen. Kapiteni e zgjoi Jonain dhe i tha të thërriste edhe ai ‘perëndinë’ e vet. Në fund marinarët hodhën short për të marrë vesh se i kujt ishte faji që kishte filluar gjithë ajo stuhi. Jehovai bëri që shorti t’i binte Jonait. Kur e pyetën, Jonai rrëfeu se nuk e kishte përmbushur detyrën që i ishte ngarkuar. Duke mos dashur që të tjerët të vdisnin për faj të tij, kërkoi që ta hidhnin në det. Të gjitha përpjekjet për ta kthyer anijen drejt tokës dështuan, ndaj marinarët e hodhën Jonain në det siç u kishte kërkuar, dhe deti u qetësua.—Jn 1:4-15.
Teksa fundosej, Jonait i mbështilleshin rreth kokës leshterikë. Në fund nuk e pati më atë ndjesinë e fundosjes dhe e pa veten në barkun e një peshku të madh. Ai iu lut Jehovait, i dha lavdi si Shpëtimtari i tij dhe i premtoi se do ta mbante zotimin. Ditën e tretë peshku e volli Jonain në tokë të thatë.—Jn 1:17–2:10.
A është e arsyeshme të besojmë se ninevitët u penduan pas paralajmërimit të Jonait?
Pasi mori për herë të dytë urdhrin që të shkonte në Ninevi, profeti mori rrugën drejt atij qyteti. «Pasi hyri në qytet dhe bëri një ditë udhë në këmbë, Jonai nisi të shpallte: ‘Edhe dyzet ditë dhe Ninevia do të përmbyset.’ » (Jn 3:1-4) Bibla nuk tregon nëse Jonai dinte asirisht apo me anë të një mrekullie filloi të fliste në atë gjuhë. Ai mund të ketë folur edhe në hebraisht dhe më pas fjalët e tij të jenë përkthyer nga një ose disa të tjerë që dinin hebraisht. Nëse foli në hebraisht, fjalët e Jonait duhet të kenë ngjallur kërshëri të madhe dhe shumë duhet të kenë pyetur se ç’po thoshte ky i huaj.
Sipas disa kritikëve është e pabesueshme që ninevitët, duke përfshirë edhe mbretin, të kenë reaguar mirë ndaj predikimit të Jonait. (Jn 3:5-9) Në lidhje me këtë janë interesante vërejtjet e një studiuesi të njohur: «Ninevitëve u bëri përshtypje të thellë predikimi i Jonait, sa gjithë banorët e qytetit u penduan dhe u mbuluan me copë thesi e me hi. Kjo është më se e kuptueshme, nëse thjesht mbajmë parasysh ndjeshmërinë e lartë të popujve të Lindjes, frikën ndaj një Qenieje Supreme që ishte tipike për të gjitha fetë pagane të Azisë dhe nderimin e madh për parashikimet e orakujt që kishin asirianët që në kohë shumë të hershme. . . Gjithashtu, të mos harrojmë se ky i huaj, që u paraqit pa as më të voglin interes personal dhe me një guxim të patreguar, demaskoi para atij qyteti të madh mbretëror udhët e tij të paperëndishme dhe, me bindjen që karakterizonte profetët e dërguar nga Perëndia, njoftoi shkatërrimin e tij brenda një periudhe shumë të shkurtër. E gjithë kjo s’mund të mos linte në mendjet e njerëzve përshtypje të thellë, e cila mund të ketë qenë edhe më e thellë nëse ninevitët kishin dëgjuar tashmë për bëmat e mrekullueshme të profetëve të Izraelit.»—Commentary on the Old Testament, nga K. F. Kajli, 1973, vëll. X, Jonai 3:9, f. 407, 408.
Si kishin kaluar 40 ditë dhe në Ninevi s’kish ndodhur ende asgjë, Jonai u mërzit shumë që Jehovai nuk e kishte shkatërruar qytetin. Madje, iu lut Perëndisë që t’i merrte jetën. Por Jehovai iu përgjigj Jonait me pyetjen: «A mendon se ke vërtet të drejtë të nxehesh kështu?» (Jn 3:10–4:4) Atëherë profeti iku nga qyteti dhe bëri një kasolle në lindje të Ninevisë. Atje Jonai u ul për të parë se ç’do të ndodhte me qytetin.—Jn 4:5.
Me anë të një mrekullie, atje mbiu një kungullujës që i bënte hije Jonait, i cili u gëzua shumë. Por gëzimi i tij nuk zgjati. Të nesërmen herët në mëngjes, një krimb e breu bimën dhe ajo u tha. Ashtu pa hije, Jonain e rrahu një erë zhuritëse nga lindja dhe dielli përvëlues i binte në kokë. Ai kërkoi përsëri të vdiste.—Jn 4:6-8.
Bima e kungullujësit i dha Jonait një mësim të mirë për mëshirën. Atij iu dhimbs bima dhe ndoshta tha me vete pse të prishej, megjithëse as e kishte mbjellë, as ishte kujdesur për të. Kurse Jehovai, Krijuesi dhe Mbështetësi i jetës, kishte shumë më tepër arsye t’i vinte keq për Ninevinë. Banorët e saj dhe gjëja e gjallë kishin shumë më tepër vlerë se një kungullujës. Prandaj Jehovai i tha Jonait: «Po mua, a nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, për qytetin e madh, në të cilin ka më shumë se njëqind e njëzet mijë njerëz, që nuk dinë të dallojnë as të djathtën nga e majta, si edhe shumë kafshë shtëpiake?!» (Jn 4:9-11) Jonai duhet të ketë nxjerrë mësimin e duhur, pasi e përcolli çdo përvojë të tij me shumë sinqeritet.
Ka mundësi që më vonë Jonai të ketë takuar të paktën një nga ata që kishin qenë me të në anijen që u nis nga Jopa, mbase në tempullin në Jerusalem, dhe të ketë mësuar për zotimin që kishin marrë marinarët para Jehovait pasi pushoi stuhia.—Jn 1:16; krahaso Jn 2:4, 9; shih LIBRI I JONAIT; NINEVIA.
2. I ati i apostujve Pjetër dhe Andrea (Mt 16:17; Gjo 1:40-42); në disa dorëshkrime te Gjoni 1:42; 21:15-17 quhet edhe Gjon.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
Jopë
Ninevi
Deti i Madh
TARSHISH