Bëhuni fëmijë të Perëndisë
RRETH 30 vjet pas Luftës së Koresë, Enti Radioteleviziv i Koresë nisi një program për të ndihmuar njerëzit të gjenin pjesëtarët e familjes që kishin humbur që nga koha e luftës. Cili ishte rezultati? Më shumë se 11.000 veta u bashkuan me të afërmit e tyre të dashur—mes lotësh, qarjesh e përqafimesh. Gazeta The Korea Times raportonte: «Kurrë më parë në historinë e tij, populli korean nuk ka derdhur, spontanisht dhe njëkohësisht, kaq shumë lot gëzimi.»
Në Brazil, Cezari që kur ishte foshnjë u shit për të shlyer një borxh të familjes. Nja dhjetë vjet më vonë, ai ishte kaq i lumtur kur gjeti mamanë e vërtetë, saqë i la prindërit e pasur që e kishin birësuar, për të jetuar me të.
Ç’gëzim ndiejnë pjesëtarët e familjes kur gjejnë njëri-tjetrin, pasi kanë qenë të ndarë ose të humbur! Bibla tregon se si njerëzit u ndanë tragjikisht nga familja e Perëndisë. Ajo tregon edhe se si tani ata po bashkohen me gëzim. Por, si u ndanë njerëzit nga Perëndia? Si mund ta përjetoni edhe ju gëzimin e bashkimit me familjen e Perëndisë?
Si u nda familja e Perëndisë?
Psalmisti tha për Perëndinë Jehova, Krijuesin: «Ti je burimi i jetës.» (Psalmi 36:9) Jehovai është Ati qiellor i një familjeje të madhe universale me krijesa inteligjente besnike. Pjesa qiellore e kësaj familjeje përbëhet nga engjëj, të cilët janë bijtë e tij frymorë, kurse pjesa tokësore përbëhet nga njerëzit, të cilët janë fëmijët e tij tokësorë.
Siç u përmend në artikullin e mëparshëm, kur Adami, biri i parë njerëzor i Perëndisë, u rebelua, njerëzimi u nda me dhembje nga Ati dhe Krijuesi i tyre i dashur. (Luka 3:38) Kjo ndodhi ngaqë, kur u rebelua, Adami humbi për vete dhe për pasardhësit e tij, që ende s’kishin lindur, privilegjin që të ishin fëmijë të Perëndisë. Me anë të shërbëtorit të vet, Moisiut, Perëndia përshkroi pasojat e asaj që ndodhi: «Ata kanë vepruar keq; nuk janë fëmijë [të Perëndisë]; fajin e kanë vetë.» ‘Faji’, ose natyra e tyre mëkatare, i ndau njerëzit nga Perëndia, i cili është i shenjtë dhe i përsosur në çdo aspekt. (Ligji i përtërirë 32:4, 5; Isaia 6:3) Në njëfarë kuptimi, njerëzit humbën, u bënë jetimë.—Efesianëve 2:12.
Për të theksuar se sa të veçuar janë njerëzit, Bibla i quan «armiq» ata që nuk janë pjesë e familjes së Perëndisë. (Romakëve 5:8, 10) I ndarë nga Perëndia, njerëzimi ka vuajtur nën sundimin e egër të Satanait dhe ka hequr pasojat vdekjeprurëse të mëkatit e të papërsosmërisë së trashëguar. (Romakëve 5:12; 1 Gjonit 5:19) A mund të bëhen pjesë e familjes së Perëndisë njerëzit mëkatarë? A mund të bëhen këto krijesa të papërsosura fëmijë të Perëndisë në kuptimin e plotë, ashtu siç ishin Adami dhe Eva para se të mëkatonin?
Mblidhen fëmijët e ndarë
Me dashuri, Jehovai mori masa në dobi të njerëzve të papërsosur që e duan. (1 Korintasve 2:9) Apostulli Pavël shpjegon: «Me anë të Krishtit, Perëndia po pajtonte botën me veten, duke mos ua llogaritur shkeljet.» (2 Korintasve 5:19) Siç u shpjegua në artikullin e mëparshëm, Perëndia Jehova dha Jezu Krishtin si shpërblesë për mëkatet tona. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Me mirënjohje, apostulli Gjon shkroi: «Shihni ç’dashuri na dha Ati, që të quhemi fëmijë të Perëndisë.» (1 Gjonit 3:1) Kështu, njerëzve të bindur iu hap rruga që të bëheshin përsëri pjesë e familjes së Jehovait.
Të gjithë njerëzit që do të mblidhen e do të bëhen pjesë e familjes së Perëndisë, do të gëzojnë një unitet të mrekullueshëm nën kujdesin e Atit të tyre qiellor. Megjithatë, Bibla thotë se ata do të mblidhen në dy grupe të ndryshme: «Në përputhje me pëlqimin e tij, [Perëndia] pati si qëllim në vetvete një administrim, kur të mbusheshin kohët e caktuara, domethënë të mblidhte përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë.» (Efesianëve 1:9, 10) Pse Perëndia i administron gjërat në këtë mënyrë?
Faktikisht, mënyra se si i mbledh Jehovai fëmijët e tij në dy grupe, ndihmon që familja e tij të ketë harmoni. Arsyeja nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Familja e Perëndisë është kaq e madhe, sa mund të krahasohet me një komb. Në çdo komb, një pakicë njerëzish zgjidhen për të formuar qeverinë, që pjesa tjetër e popullit të ketë rend e qetësi. Natyrisht, asnjë qeveri njerëzore nuk ka sjellë paqe të vërtetë, por qeveria që Perëndia i ka siguruar familjes së tij, është e përsosur. Grupi i parë, «gjërat në qiej», përbëhet nga fëmijët e Perëndisë që ai i përzgjedh për të formuar një qeveri ose Mbretëri në qiell. Prej andej, «ata do të mbretërojnë mbi tokën».—Zbulesa 5:10.
Fëmijët e Perëndisë në tokë
Jehovai po mbledh edhe «gjërat në tokë», pra, miliona njerëz anembanë botës, që së fundi të bëhen fëmijët e tij tokësorë. Si një Atë mirëdashës, ai u mëson atyre si të tregojnë dashuri që, edhe pse vijnë nga shumë kombe, të jenë të bashkuar në mënyrë të harmonishme. Ftesa për ‘t’u pajtuar me Perëndinë’ po u bëhet edhe njerëzve që janë të dhunshëm, egoistë, imoralë dhe të pabindur ndaj Perëndisë.—2 Korintasve 5:20.
Po ata që nuk e pranojnë ftesën e Perëndisë për t’u pajtuar me të e për t’u bërë fëmijë të Perëndisë? Për të siguruar paqe dhe harmoni në familjen e tij, Jehovai do të veprojë me vendosmëri ndaj këtyre njerëzve. Do të ketë një ‘ditë gjykimi e shkatërrimi për njerëzit e paperëndishëm’. (2 Pjetrit 3:7) Perëndia do t’i fshijë nga toka rebelët. Ç’lehtësim do t’u sjellë kjo njerëzve të bindur!—Psalmi 37:10, 11.
Pas kësaj do të ketë një periudhë paqeje njëmijëvjeçare, gjatë së cilës të gjithë ata që do t’i përgjigjen dashurisë së Perëndisë do të kthehen dalëngadalë në gjendjen e përsosur dhe do të fitojnë jetën që humbi Adami. Edhe të vdekurit do të ringjallen. (Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 20:6; 21:3, 4) Kështu, Perëndia do të përmbushë premtimin e vet: «Edhe vetë krijesa [njerëzore] do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.»—Romakëve 8:21.
Bashkohuni me Atin tuaj qiellor
Cezari dhe ata mijëra koreanë që përmendëm në fillim të artikullit, duhej të ndërmerrnin hapa për t’u bashkuar me familjet. Koreanët u përfshinë në programin që u organizua, kurse Cezari la prindërit që e kishin adoptuar. Në mënyrë të ngjashme, edhe ju duhet të ndërmerrni me vendosmëri hapa për t’u pajtuar me Atin tuaj qiellor, Perëndinë Jehova, dhe për t’u bërë pjesë e familjes së tij. Ç’duhet të bëni?
Që t’i afroheni Atit tuaj qiellor, duhet të studioni Fjalën e tij, Biblën, që të krijoni besim të fortë tek ai dhe te premtimet e tij. Kështu, do të mësoni të besoni se udhëzimet e tij janë për të mirën tuaj. Do t’ju duhet të pranoni ndreqjen dhe disiplinën nga Perëndia, sepse Bibla u thotë të krishterëve: «Perëndia po ju trajton si bij. Sepse cili është ai bir, që i ati nuk e disiplinon?»—Hebrenjve 12:7.
Këta hapa do të ndryshojnë gjithë jetën tuaj. Bibla thotë: «Të rinoheni në forcën që vë në veprim mendjen tuaj dhe të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.» (Efesianëve 4:22-24) Prandaj, vërjani veshin këshillës së apostullit Pjetër: «Si fëmijë të bindur, mjaft u brumosët sipas dëshirave që kishit më parë, në padijen tuaj.»—1 Pjetrit 1:14.
Gjeni familjen e vërtetë
Pasi gjeti mamanë, Cezari u gëzua së tepërmi kur mori vesh se kishte edhe një vëlla e një motër. Po kështu edhe ju, teksa afroheni me Atin tuaj qiellor, do të kuptoni se keni shumë vëllezër e motra në kongregacionin e krishterë. Duke u shoqëruar me ta, do të shihni se do t’ju bëhen më të afërt se vetë pjesëtarët e familjes suaj.—Veprat 28:14, 15; Hebrenjve 10:24, 25.
Jeni të ftuar të bashkoheni me Atin tuaj të vërtetë dhe me vëllezërit e motrat tuaja të vërteta. Do të përjetoni gëzimin e madh që ndjeu Cezari dhe mijëra koreanët që u bashkuan me familjet e tyre.
[Figura në faqen 8]
Cezari në moshën 19-vjeçare me mamanë
[Figurat në faqen 10]
Ndërmerrni hapa që t’i afroheni Perëndisë