Roli i Marisë në qëllimin e Perëndisë
GJATË shërbimit të Jezuit, një herë një grua nga turma ngriti zërin e tha: «Lum barku që të mbajti dhe gjinjtë ku u mënde!» Sikur Jezui të kishte dashur që nëna e tij të përnderohej, ja ku kishte një mundësi të artë që të rekomandonte këtë formë adhurimi. Mirëpo, ai u përgjigj: «Jo, më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—Luka 11:27, 28.
Jezui nuk i bëri nderime të veçanta nënës së tij dhe as u tha ndonjëherë dishepujve të vepronin kështu. A përputhet kjo me adhurimin e Marisë nga shumë besimtarë të sinqertë sot? Le të shqyrtojmë disa nga mësimet e përhapura për nënën e Jezuit, duke i krahasuar me Shkrimet e Shenjta.
«Hirplote», «e bekuar . . . mes grave»
Engjëlli Gabriel i njoftoi Marisë rolin që do të kishte në qëllimin e Perëndisë. Në atë rast, ai e përshëndeti me fjalët: «Tungjatjeta, o ti që ke gjetur shumë hir, Jehovai është me ty!» (Luka 1:28) Në një version tjetër, kjo përshëndetje është përkthyer: «Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!» Jo shumë kohë më pas, Elizabeta e përshëndeti Marinë me fjalët: «E bekuar je mes grave dhe i bekuar është fryti i barkut tënd!» (Luka 1:42) A nuk tregojnë këto fraza se Marisë i duhet dhënë përnderim i veçantë?
Në të vërtetë jo. Edhe pse këto fjalë janë pjesë e një lutjeje që katolikët i drejtojnë Marisë, vetë Bibla nuk jep ndonjë arsye për t’iu lutur asaj. Gabrieli dhe Elizabeta pranuan privilegjin e madh të Marisë si ajo që do të lindte Mesinë, por ideja për t’iu lutur asaj nuk gjendet asgjëkundi në Shkrime. Përkundrazi, kur dishepujt i kërkuan Jezuit t’u mësonte si të luteshin, ai tregoi se lutjet duhet t’i drejtohen Atit. Edhe lutja model e famshme e Jezuit fillon me fjalët «Ati ynë që je në qiej».—Mateu 6:9.
Një nga sundimtarët
Një mësim tjetër i përhapur për Marinë është se tani është «Mbretëresha e qiellit». Bibla nuk i ka dhënë kurrë një titull të tillë. Gjithsesi, ajo tregon se Maria zë një vend të veçantë në administrimin qiellor të Perëndisë. Ç’vend?
Jezui u shpreh se disa dishepuj besnikë do të sundonin me të në Mbretërinë e tij. (Luka 22:28-30) Ai do t’u japë fuqi këtyre të zgjedhurve të shërbejnë si «priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën». (Zbulesa 5:10) Në mënyrë të qartë, Bibla na çon në përfundimin se Maria bën pjesë tek ata që u është dhënë ky privilegj i shquar. Pse e themi këtë?
Ndoshta ju kujtohet se pas vdekjes së Jezuit, Maria ishte me dishepujt dhe vëllezërit e tij duke ‘ngulmuar në lutje’. Rreth 120 veta ishin mbledhur për këtë qëllim, ndër ta edhe «disa gra». (Veprat 1:12-15) Bibla thotë se «gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë, ata ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend» kur fryma e shenjtë e Perëndisë u derdh mbi ta, duke u dhënë mundësinë të flitnin në gjuhë të huaja.—Veprat 2:1-4.
Maria ishte ndër ata që u bekuan në këtë mënyrë dhe kjo tregon se ajo dhe gratë e tjera që morën frymën e shenjtë, u zgjodhën të ishin pjesë e Mbretërisë qiellore të Jezuit. Prandaj, kemi çdo arsye të besojmë se tani Maria është bashkë me Jezuin në lavdinë qiellore. (Romakëve 8:14-17) Shikoni disa nga privilegjet që do të ketë ajo dhe bashkësundimtarët e tjerë të Jezuit në plotësimin e qëllimeve të Perëndisë.
Shpërndajnë bekime të mrekullueshme
Libri biblik i Zbulesës thotë se 144.000 individë do të ringjallen në lavdinë qiellore për të shërbyer përkrah Jezuit si priftërinj, gjykatës dhe mbretër. (Zbulesa 14:1, 4; 20:4, 6) Si priftërinj, ata do të marrin pjesë në zbatimin e vlerës së flijimit të Jezuit për gjithë njerëzimin e bindur, duke i çuar në përsosmëri fizike, morale dhe në marrëdhënien me Perëndinë. (Zbulesa 21:1-4) Ç’privilegj do të jetë për të gjithë adhuruesit besnikë të Jehovait të përjetojnë atë kohë të mrekullueshme!a
Maria ka pasur dhe ka ende një rol në plotësimin e qëllimeve të Jehovait. Ajo vlen të imitohet për përulësinë, besimin, bindjen dhe përkushtimin si nënë, pa përmendur qëndrueshmërinë në sprova. Duhet respektuar thellësisht për rolin e saj në lindjen e Mesisë dhe në shpërndarjen e bekimeve të përjetshme për njerëzimin.
Por gjëja më e rëndësishme që mësojmë nga Maria është se ajo, bashkë me gjithë shërbëtorët e tjerë besnikë të Perëndisë, adhurojnë vetëm Jehovain dhe asnjë perëndi tjetër. Maria, ashtu si bashkësundimtarët e tjerë të Krishtit në qiell, ngre zërin dhe shpall: «Ai që rri ulur në fron [Perëndia Jehova] dhe Qengji [Jezu Krishti] paçin bekimin, nderimin, lavdinë dhe fuqinë në jetë të jetëve!»—Zbulesa 5:13; 19:10.
[Shënimi]
a Për më shumë informacion rreth këtyre bekimeve, shih kapitullin 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 10]
Përulësia, besimi dhe bindja e Marisë vlejnë të imitohen