PREDIKOJNË DHE MËSOJNË NË MBARË BOTËN
Oqeania
VENDE 29
POPULLSIA 40.642.855
LAJMËTARË 98.353
STUDIME BIBLIKE 66.022
Guxim për të predikuar
Emilia, 12 vjeçe, jeton në Australi. Një ditë mësuesja e saj i shpjegoi klasës sa e rëndësishme është të zgjedhësh shokë të mirë. Kjo e shtyu Emilinë t’i tregonte mësueses videon me skicime Kush është një mik i vërtetë? Kur mësuesja e shfaqi videon para klasës, nxënësit ishin gjithë sy e veshë. Më pas, diskutuan për të një orë. Mësuesja e vuri videon edhe për disa klasa të tjera. Pastaj, Emilia u tregoi mësueses dhe shokëve të klasës sitin jw.org. Ajo thotë: «Jehovai më dha guxim t’u flisja qindra nxënësve për sitin. Ai më bekoi vërtet!»
Panairi në një zonë të largët
Pesë lajmëtarë udhëtuan nëntë orë në rrugë të këqija malore për të vendosur një stendë literature në një panair në Suai, Timori Lindor. Ata që afroheshin te stenda habiteshin kur shihnin literaturë biblike në 12 gjuhë vendëse, sepse në shumicën e atyre gjuhëve ka pak ose aspak botime. Kur pa titullin e një broshure, një grua tha me habi: «Është në gjuhën time!» Ishte hera e parë që shihte një botim në gjuhën amtare, në gjuhën bunake. Vetëm në katër ditë lajmëtarët shpërndanë 4.571 botime dhe patën kërkesa të panumërta për t’i vizituar njerëzit në shtëpi. Shumë nga të interesuarit nuk kishin takuar kurrë një Dëshmitar të Jehovait. Fëmijët uleshin dhe shihnin për orë të tëra videot e rubrikës Bëhu mik i Jehovait në gjuhën tetun-dili. Madje, disa fëmijë i mësuan përmendsh fjalët e këngëve të kësaj rubrike dhe i këndonin gjithë qejf.
«Tamam çfarë u nevojitej studentëve»
Brajani dhe Roksana, misionarë në Palau, kërkuan leje që të vendosnin një stendë të lëvizshme në universitetin e atij ishulli. Takuan presidentin e universitetit dhe i treguan një video në jw.org për dëshminë publike. I lanë disa botime që kishin planifikuar të vendosnin te stenda. Ai u tha se duhej të takoheshin me drejtuesin e marrëdhënieve me studentët. Pas atij takimi, u thanë se duhej të takonin dikë tjetër, këtë herë dekanin.
Brajani tregon: «Bëmë një bisedë të këndshme me dekanin, por na çoi përsëri te zyra e presidentit të universitetit, ku na thanë të bënim një kërkesë me shkrim për të vendosur stendën e literaturës. Na u duk sikur po na sorollatnin dhe u shkurajuam pak, por sidoqoftë e shkruam letrën.»
Për të parë çfarë ishte bërë me kërkesën e tyre, Brajani dhe Roksana shkuan te dekani për të dytën herë, të sigurt se do t’ua refuzonte kërkesën. Brajani tregon: «Për habinë tonë të madhe, dekani tha se i kishte lexuar librat që i kishim dhënë dhe i kishin pëlqyer jashtë mase. Ai u shpreh se ishin tamam çfarë u nevojitej studentëve.» Më në fund e morën lejen.
Brajani vazhdon: «Më pas drejtuesi i marrëdhënieve me studentët na informoi se të dielave mund t’i çonin studentët e konviktit në kishën që ata dëshironin. Ai tha: ‘Nëse duan të vijnë në kishën tuaj, mund t’i sjellim ne.’ Unë dhe Roksana ngelëm gojëhapur. Jo vetëm që universiteti nuk e refuzoi kërkesën tonë, por u ofrua t’i sillte studentët në Sallën e Mbretërisë.»
Ditën e parë që Brajani e Roksana vendosën stendën në oborrin e universitetit, shpërndanë 65 libra, 8 revista dhe 11 broshura. Bënë edhe shumë biseda të bukura me studentët. Si dekani, edhe drejtuesi i marrëdhënieve me studentët i nxitën të ktheheshin përsëri.
Klientët e dyqanit shohin videot tona
Lipsoni, një bethelit në Ishujt Solomon, po kthehej në Bethel pas një paraditeje në predikim. Duke ecur, dëgjoi një këngë Mbretërie që vinte nga një dyqan. Nga kureshtja, vendosi të hynte brenda. Për habinë e tij, një grup i madh me fëmijë e të rritur po shihnin në televizor videon e këngës 55 «Ja, jeta më në fund!» të rubrikës Bëhu mik i Jehovait. Kur mbaroi kënga, pronari i dyqanit i tha grupit: «Dua që të shihni një video tjetër.» Pastaj vuri filmin vizatimor Është gabim të vjedhësh. Në fund të videos, i këshilloi të gjithë të mos vidhnin nga dyqani i tij.
Ngaqë shumë të tjerë ishin futur në dyqan ndërsa jepej filmi vizatimor, pronari u tha: «Dua që të gjithë të dëgjoni këngën time të preferuar.» Pastaj vuri prapë këngën 55. Pas kësaj, vuri videot Pse ta studiosh Biblën? dhe Si zhvillohet një studim biblik? në gjuhën pixhine të Ishujve Solomon.
Pak banorë të ishullit kanë Internet ngaqë kushton goxha dhe nuk është edhe aq i përhapur. Megjithatë, pronari i dyqanit, edhe pse nuk është Dëshmitar i Jehovait, po jep një dorë për të mbjellë farat e së vërtetës, duke u shfaqur videot tona atyre që futen në dyqanin e tij.
Gjeti emrin e Perëndisë në libër
Çdo të hënë, një çift i ri kënaqet duke predikuar me anë të një stende të lëvizshme në Numea, kryeqyteti i Kaledonisë së Re. Një ditë, një grua iu afrua gjithë ndrojtje stendës dhe, pa thënë gjë, mori librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Pas gjysmë ore u kthye me librin në dorë dhe pyeti çiftin: «E keni parë këtë?» Hapi librin dhe tregoi me gisht emrin e Jehovait. Tha: «Ky është emri i Zotit! Kam bërë kërkime për javë me radhë në bibliotekë që të kuptoja të vërtetën për Zotin. Por, pastaj mora librin tuaj dhe hipa në makinë. Kur hapa librin, gjëja e parë që më ra në sy, ishte emri i Zotit, Jehova. Mendova se duhej të kthehesha dhe t’ju falënderoja.» Bënë një bisedë të këndshme dhe çifti i tregoi shtojcën «Emri i Perëndisë: Si përdoret dhe ç’kuptim ka?» te libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Gruaja shpjegoi se do t’i vazhdonte kërkimet në bibliotekë, gjithsesi tani di ku ta gjejë stendën të hënave.