A ka ndryshuar Bibla?
Jo. Krahasimi me dorëshkrimet e lashta tregon se në thelb Bibla nuk ka ndryshuar, edhe pse për mijëra vjet është kopjuar në materiale që prishen.
A do të thotë kjo se nuk u bënë kurrë gabime gjatë kopjimit të saj?
Janë zbuluar mijëra dorëshkrime të lashta të Biblës. Disa prej tyre kanë ndryshime dhe kjo tregon se gjatë kopjimit janë bërë gabime. Shumica e këtyre ndryshimeve janë të vogla dhe nuk ndikojnë te kuptimi i tekstit. Megjithatë janë zbuluar ca ndryshime domethënëse, disa prej të cilave duket se janë përpjekje të qëllimshme të bëra kohë më parë për të ndryshuar mesazhin e Biblës. Shqyrto dy shembuj:
Te 1 Gjonit 5:7, disa përkthime të vjetra të Biblës përmbajnë fjalët: «Në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.» Megjithatë, dorëshkrime të besueshme vërtetojnë se këto fjalë nuk ishin në tekstin origjinal, por u shtuan më vonë.a Për këtë arsye, përkthime të besueshme të Biblës sot i kanë hequr këto fjalë.
Emri i Perëndisë shfaqet me mijëra herë në dorëshkrimet e lashta të Biblës. E prapëseprapë, shumë përkthime të Biblës e kanë zëvendësuar me tituj, si «Perëndi» ose «Zot».
Si mund të jemi të sigurt se nuk do të zbulohen më gabime të tjera?
Deri më sot janë zbuluar kaq shumë dorëshkrime, sa është më e lehtë se kurrë të dallohen gabimet.b Çfarë është zbuluar për saktësinë e Biblës së ditëve tona nga krahasimi i këtyre dokumenteve?
Duke folur për Shkrimet Hebraike (të cilat zakonisht quhen «Dhiata e Vjetër»), studiuesi Uilliam Grini komentoi: «Mund të thuhet me siguri se asnjë vepër tjetër e lashtësisë nuk është transmetuar kaq saktë.»
Për Shkrimet e Krishtere Greke, ose «Dhiatën e Re», studiuesi i Biblës F. Brusi shkroi: «Provat për shkrimet e Dhiatës së Re janë ku e ku më të shumta se provat për shumë vepra të autorëve të lashtë klasikë, autenticitetin e të cilave askujt s’i shkon nëpër mend ta vërë në diskutim.»
Sër Frederik Kenioni, një autoritet i shquar për dorëshkrimet e Biblës, tha se kushdo «mund të marrë në dorë Biblën e plotë dhe të thotë pa frikë, ose hezitim, se po mban vërtet Fjalën e Perëndisë, e cila, përgjatë shekujve është transmetuar brez pas brezi pa i munguar asgjë thelbësore».
Cilat arsye të tjera na bindin se Bibla është përcjellë me saktësi?
Si kopistët judenj, edhe ata të krishterë, i ruajtën tregimet që nxirrnin në pah gabime serioze të popullit të Perëndisë.c (Numrat 20:12; 2 Samuelit 11:2-4; Galatasve 2:11-14) Po ashtu ruajtën pjesët e shkrimeve që dënonin kombin jude për mosbindjen e tyre, si edhe ato që demaskonin doktrinat njerëzore. (Hozea 4:2; Malakia 2:8, 9; Mateu 23:8, 9; 1 Gjonit 5:21) Duke kopjuar me saktësi këto tregime, kopistët treguan se ishin të besueshëm dhe se e respektonin thellësisht Fjalën e shenjtë të Perëndisë.
A nuk është e arsyeshme që Perëndia, i cili e frymëzoi vetë Biblën, të kujdesej edhe që të mos prekej saktësia e saj?d (Isaia 40:8; 1 Pjetrit 1:24, 25) Tekefundit, ai kishte për qëllim që të nxirrnin dobi jo vetëm njerëzit që jetuan shumë kohë më parë, por edhe ne sot. (1 Korintasve 10:11) Në fakt, «gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë».—Romakëve 15:4.
Jezui dhe dishepujt e tij cituan nga kopje të Shkrimeve Hebraike, pa shprehur asnjë merak për saktësinë e atyre teksteve të lashta.—Luka 4:16-21; Veprat 17:1-3.
a Këto fjalë nuk gjenden te Kodiku Sinaitik, Kodiku i Aleksandrisë, Dorëshkrimi i Vatikanit 1209, Vulgata Latine origjinale, Versioni siriak i Filoksenit dhe Harkelit ose te Peshita siriake.
b Për shembull, janë zbuluar mbi 5.000 dorëshkrime greke të së ashtuquajturës Dhiata e Re, ndryshe Shkrimet e Krishtere Greke.
c Bibla nuk i përshkruan si të pagabueshëm përfaqësuesit njerëzorë të Perëndisë. Ajo pranon plot sinqeritet: «S’ka njeri që të mos mëkatojë.»—1 Mbretërve 8:46.
d Bibla tregon se, ndonëse Perëndia nuk e diktoi fjalë për fjalë tekstin e saj, ai drejtoi mendimet e shkrimtarëve njerëzorë.—2 Timoteut 3:16, 17; 2 Pjetrit 1:21.