Dhjetor
E hënë, 1 dhjetor
Të vdekurit do të ringjallen.—Luka 20:37.
A e ka Jehovai fuqinë t’i ringjallë të vdekurit? Pa pikë dyshimi! Jehovai është «i Plotfuqishmi». (Zbul. 1:8) Pra, ai ka fuqi të mposhtë çfarëdo armiku, madje edhe vdekjen. (1 Kor. 15:26) Një arsye tjetër pse jemi të sigurt se Perëndia është i aftë t’i ringjallë të vdekurit është se ai ka një kujtesë të pakufishme. Jehovai thërret me emër çdo yll. (Isa. 40:26) Po ashtu, ruan në kujtesë njerëzit që kanë vdekur. (Jobi 14:13; Luka 20:38) Ai mund të kujtojë pa problem hollësitë më të vogla për ata që do të ringjallë, duke përfshirë kodin gjenetik, gjërat që kanë përjetuar në jetë dhe kujtimet e tyre. Është e qartë se mund t’i besojmë premtimit të Jehovait për një ringjallje në të ardhmen, sepse e dimë që ai ka edhe dëshirën, edhe fuqinë ta plotësojë. Ka edhe një arsye tjetër pse mund t’i besojmë këtij premtimi: Jehovai ka kthyer njerëz në jetë edhe më parë. Në kohët kur u shkrua Bibla, ai u dha fuqi disa burrave besnikë, ndër të cilët edhe Jezui, për të ringjallur të vdekurit. w23.04 9-10 ¶7-9
E martë, 2 dhjetor
Fjalët tuaja të jenë gjithnjë të hijshme e të lezetuara me kripë.—Kolos. 4:6.
Kur flasim me takt dhe butësi, njerëzit mund të jenë më të gatshëm të dëgjojnë dhe ta vazhdojnë bisedën. Sigurisht, nëse dikush do që të grindet ose të tallet me bindjet tona, s’jemi të detyruar të vazhdojmë t’i përgjigjemi. (Prov. 26:4) Por këto janë raste të rralla. Shumë veta mund të jenë të gatshëm të dëgjojnë. Pa dyshim, të përpiqemi të zhvillojmë butësinë është një synim me vlerë të madhe. Lutju Jehovait për forcë, që të mos e humbësh butësinë kur u përgjigjesh pyetjeve provokuese ose kritikave të padrejta. Mbaj parasysh se qëndrimi yt i butë mund të ndihmojë që një opinion i ndryshëm të mos çojë në grindje. Madje, përgjigjja jote e butë e me respekt mund t’i nxitë disa të ndryshojnë mendim për ne dhe për të vërtetat e Biblës. ‘Ji gjithnjë gati t’i mbrosh’ bindjet e tua «me butësi dhe respekt të thellë». (1 Pjet. 3:15) Butësia le të jetë forca jote! w23.09 19 ¶18-19
E mërkurë, 3 dhjetor
Vishuni me . . . durim.—Kolos. 3:12.
Të shohim katër mënyra si mund të tregojmë durim. Së pari, një njeri i duruar nuk zemërohet shpejt. Kur e provokojnë ose kur është nën stres, përpiqet ta ruajë qetësinë dhe të mos ua kthejë të tjerëve me të njëjtën monedhë. (Eks. 34:6) Së dyti, një njeri i duruar di të presë me qetësi. Nëse diçka vonon më shumë nga ç’mendonte, ai përpiqet të mos jetë i paduruar ose të mos acarohet. (Mat. 18:26, 27) Së treti, një njeri i duruar nuk ngutet. Kur i duhet të kryejë një punë të rëndësishme, nuk e nis me ngut, e as e përfundon me ngut. Përkundrazi, lë kohë të mjaftueshme për të planifikuar çfarë do të bëjë. Pastaj harxhon aq kohë sa nevojitet për ta kryer mirë punën. Së katërti, një njeri i duruar përpiqet t’i përballojë sprovat pa u ankuar. Ai bën çmos që, ndërsa tregon qëndrueshmëri, të vazhdojë t’i shërbejë Jehovait me gëzim. (Kolos. 1:11) Si adhurues të Jehovait, kemi nevojë të tregojmë durim në të gjitha këto mënyra. w23.08 20-21 ¶3-6
E enjte, 4 dhjetor
Zemrat i shqyrton Jehovai.—Prov. 17:3.
Pse duhet ta mbrojmë zemrën e figurshme? Një arsye e rëndësishme është se Jehovai shqyrton zemrën tonë. Kjo do të thotë se ai sheh përtej asaj që dukemi në sytë e të tjerëve dhe dallon si jemi vërtet përbrenda. Jehovai na do shumë kur e mbushim mendjen me mençurinë e tij jetëdhënëse. (Gjoni 4:14) Kështu nuk helmohemi nga normat e ulëta morale dhe gënjeshtrat e Satanait e të botës së tij. (1 Gjon. 5:18, 19) Sa më shumë afrohemi me Jehovain, aq më shumë na thellohen dashuria dhe respekti për të. Ngaqë nuk duam ta lëndojmë kurrsesi Atin tonë, nuk e durojmë dot as mendimin që të bëjmë diçka të gabuar në sytë e tij. Marta, një motër në Kroaci që u tundua të bënte imoralitet, shkroi: «E kisha të vështirë të mendoja me kthjelltësi e t’i rezistoja dëshirës për të bërë imoralitet. Por nderimi i thellë për Jehovain më mbrojti.» Si e mbrojti? Marta tha se bloi në mendje pasojat që do të sillte një vendim i gabuar. Edhe ne mund të meditojmë për këtë. w23.06 20-21 ¶3-4
E premte, 5 dhjetor
«Kur të shenjtërohem mes jush, para syve të tyre,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»—Ezek. 36:23.
Jezui e dinte se qëllimi i Jehovait është të shenjtërojë emrin e Tij, ta pastrojë nga çdo sharje. Ja pse i mësoi dishepujt të luteshin: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt!» (Mat. 6:9) Jezui e kuptoi se kjo është çështja më e rëndësishme që ndikon tek i gjithë krijimi. Asnjë krijesë inteligjente në tërë universin nuk ka bërë aq sa Jezui për të shenjtëruar emrin e Jehovait. E megjithatë, për çfarë mëkati e akuzuan armiqtë Jezuin kur e arrestuan? Për blasfemi. S’ka dyshim se të shpifje kundër emrit të shenjtë të Atit të tij ishte mëkati më i rëndë për Jezuin. Ndihej tejet i trazuar që do ta akuzonin e do ta dënonin për këtë krim. Kjo mund të ketë qenë arsyeja kryesore pse Jezuin «e kishte pushtuar kaq shumë ankthi» në orët para arrestimit.—Luka 22:41-44. w24.02 11 ¶11
E shtunë, 6 dhjetor
Shtëpia ndërtohet me mençuri.—Prov. 24:3.
Në garën e jetës, dashuria për Jehovain e Jezuin duhet të jetë më e fortë se dashuria për të afërmit. (Mat. 10:37) Ama, kjo nuk do të thotë se mund t’i lëmë pas dore detyrimet familjare, sikur ato të na pengojnë të kënaqim Perëndinë dhe Krishtin. Përkundrazi, për t’i kënaqur Perëndinë dhe Krishtin, duhet të përmbushim rolin tonë në familje. (1 Tim. 5:4, 8) Kur e bëjmë këtë, jemi më të lumtur. Fundja, si Krijuesi i familjes, Jehovai e di se familja lulëzon kur burri dhe gruaja e trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, kur prindërit i duan e i stërvitin fëmijët dhe kur fëmijët u binden prindërve. (Efes. 5:33; 6:1, 4) Çfarëdo roli të kesh në familje, udhëhiqu nga mençuria që përmban Bibla, jo thjesht nga ajo që të duket e drejtë, nga sjellja e njerëzve përreth ose nga opinionet e të ashtuquajturve ekspertë. Përdori mirë botimet tona të bazuara në Bibël. Ato përmbajnë sugjerime praktike si t’i zbatosh parimet e Biblës. w23.08 28 ¶6-7
E diel, 7 dhjetor
Lexoje nën zë ditë e natë, që të zbatosh me kujdes gjithçka që është shkruar në të. Atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri.—Jos. 1:8.
Një grua e krishterë ka nevojë të zhvillojë aftësi praktike. Disa aftësi që i mëson në fëmijëri, mund t’i vlejnë gjatë gjithë jetës. Për shembull, mëso të lexosh e të shkruash mirë. Në disa kultura, leximi dhe shkrimi nuk shihen si aftësi të rëndësishme për gratë. Mirëpo këto janë aftësi të domosdoshme për çdo shërbëtor të Perëndisë. (1 Tim. 4:13) Prandaj çfarëdo pengese të hasësh, vazhdo të përpiqesh të mësosh mirë lexim e shkrim. Cili do të jetë shpërblimi? Këto aftësi mund të të ndihmojnë të gjesh dhe të mbash një punë. Përveç kësaj, do ta kesh më të lehtë të studiosh Biblën dhe t’ua mësosh të tjerëve. Mbi të gjitha, do të afrohesh më shumë me Jehovain ndërsa lexon Fjalën e tij dhe e bluan në mendje.—1 Tim. 4:15. w23.12 20 ¶10-11
E hënë, 8 dhjetor
Jehovai di t’i çlirojë nga sprovat njerëzit e përkushtuar ndaj tij.—2 Pjet. 2:9.
Kërkoji Jehovait ndihmë për t’u rezistuar tundimeve. Si njerëz të papërsosur, luftojmë pareshtur me tundimin për të bërë atë që është e gabuar. Satanai përdor çdo mjet që të na e bëjë sa më të vështirë këtë luftë. Një mënyrë si përpiqet të na e korruptojë mendjen është nëpërmjet zbavitjeve të degjeneruara. Zbavitje të tilla mund të na e mbushin mendjen me mendime të papastra—mendime që na ndotin nga brenda dhe që mund të na shtyjnë drejt mëkateve serioze. (Mar. 7:21-23; Jak. 1:14, 15) Që ta luftojmë me sukses tundimin për të bërë të keqen, kemi nevojë për ndihmën e Jehovait. Në lutjen model, Jezui përfshiu kërkesën: «Mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i Ligu.» (Mat. 6:13) Jehovai dëshiron të na vijë në ndihmë, por duhet ta kërkojmë ndihmën e tij. Duhet edhe të veprojmë në harmoni me lutjet tona. w23.05 6-7 ¶15-17
E martë, 9 dhjetor
Një litar tresh nuk këputet kollaj më dysh.—Ekl. 4:12.
Kur e çmojnë miqësinë me Atin e tyre qiellor, bashkëshortët i zbatojnë pa ngurruar këshillat e tij, e kjo i ndihmon të shmangin ose të kapërcejnë probleme që mund t’ua ftohin dashurinë për njëri-tjetrin. Veç kësaj, kush ka një miqësi të fortë me Jehovain, bën çmos ta imitojë dhe të kultivojë cilësitë që shfaq ai, si zemërmirësia, durimi dhe gatishmëria për të falur. (Efes. 4:32–5:1) Kur çifti shfaq cilësi të tilla, krijohet një ambient ku dashuria mund të lulëzojë. Një motër që quhet Lena dhe që ka mbi 25 vjet e martuar, thotë: «Është e lehtë të duash dhe të respektosh dikë që është mik i ngushtë i Jehovait.» Të mendojmë për një shembull nga Bibla. Kur duhej të zgjidhte një çift që të ishin prindërit e Mesisë së ardhshëm, mes gjithë pasardhësve të Davidit, Jehovai zgjodhi Jozefin dhe Marinë. Pse? Sepse secili kishte një marrëdhënie personale me Jehovain, dhe Ai e dinte se dashuria për të do të ishte në themel të martesës së tyre. w23.05 21 ¶3-4
E mërkurë, 10 dhjetor
Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush.—Hebr. 13:17.
Ndonëse Jezui, Kreu ynë, është i përsosur, ata që përdor për të marrë drejtimin në tokë nuk janë. Ndoshta e kemi të vështirë t’u bindemi, sidomos nëse na kërkojnë të bëjmë diçka që nuk duam ta bëjmë. Në një rast apostulli Pjetër ngurroi të bindej. Kur një engjëll e udhëzoi të hante kafshë të papastra sipas Ligjit të Moisiut, Pjetri refuzoi—e jo vetëm një herë, por tri herë! (Vep. 10:9-16) Pse? Sepse ai udhëzim i ri iu duk i pakuptimtë. Nga ana tjetër, apostulli Pavël u bind kur pleqtë e krishterë në Jerusalem e udhëzuan të merrte me vete katër burra, të shkonin në tempull dhe të pastroheshin ceremonialisht, që të tregonte se po jetonte sipas Ligjit. Pavli e dinte se të krishterët nuk ishin më nën Ligj. Dhe ai s’kishte bërë asgjë të gabuar. Prapëseprapë, ‘të nesërmen Pavli mori me vete burrat dhe u pastrua ceremonialisht me ta’. (Vep. 21:23, 24, 26) Bindja e tij ndihmoi të ruhej uniteti mes vëllezërve.—Rom. 14:19, 21. w23.10 10 ¶15-16
E enjte, 11 dhjetor
Ata që nderojnë thellësisht Jehovain, gëzojnë miqësi të ngushtë me të.—Psal. 25:14.
Ka shumë mundësi që nuk do ta renditje frikën ndër cilësitë e rëndësishme për një miqësi të mirë. Megjithatë, ata që duan të kenë miqësi të ngushtë me Jehovain duhet ‘t’i frikësohen’ ose ‘ta nderojnë thellësisht’. Sado kohë të kemi që i shërbejmë Jehovait, duhet të vazhdojmë ta nderojmë thellësisht Atë. Por ç’do të thotë ta nderosh thellësisht Perëndinë? Dikush që ka nderim të thellë për Perëndinë e do Atë dhe nuk dëshiron të bëjë asgjë që do t’ia dëmtonte miqësinë me të. Jezui ‘e nderonte thellësisht Perëndinë’. (Hebr. 5:7) Ai nuk kishte frikë të sëmurë nga Jehovai. (Isa. 11:2, 3) Përkundrazi, e donte me gjithë shpirt dhe dëshironte t’i bindej. (Gjoni 14:21, 31) Ashtu si Jezui, ne kemi respekt dhe nderim të thellë për Jehovain, sepse është i dashur, i mençur, i drejtë dhe i fuqishëm. Gjithashtu e dimë se Jehovai na do dhe i copëtohet ose i gëzon zemra nga mënyra si reagojmë kur na mëson.—Psal. 78:41; Prov. 27:11. w23.06 14 ¶1-2; 15 ¶5
E premte, 12 dhjetor
Me t’u bërë i fortë, zemra e tij u bë fodulle aq sa e rrënoi, kështu që veproi me pabesi ndaj Jehovait.—2 Kron. 26:16.
Kur u bë i fuqishëm, mbreti Uziah harroi se Burimi i fuqisë e i begatisë së tij ishte Jehovai. Cili është mësimi? Duhet t’i kujtojmë vetes se bekimet dhe privilegjet vijnë nga Jehovai. Në vend që të krenohemi me arritjet tona, duhet t’ia japim Jehovait meritat për gjërat që arrijmë të bëjmë. (1 Kor. 4:7) Duhet të pranojmë me përulësi se jemi të papërsosur dhe kemi nevojë për disiplinë. Një vëlla në të 60-at shkroi: «Kam mësuar të mos i jap tepër rëndësi vetes. Kur marr disiplinë për ndonjë gabim trashanik që bëj, përpiqem të përmirësohem dhe të vazhdoj para.» E vërteta është se kur nderojmë thellësisht Jehovain dhe qëndrojmë të përulur, jeta jonë është e lumtur.—Prov. 22:4. w23.09 10 ¶10-11
E shtunë, 13 dhjetor
Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të shijoni përmbushjen e premtimit.—Hebr. 10:36.
Të krishterët e hershëm duhej të tregonin qëndrueshmëri. Ata kalonin probleme si të gjithë njerëzit, por veç kësaj hasnin edhe sprova besimi. Shumë të krishterë i përndiqnin jo vetëm krerët fetarë judenj e autoritetet romake, por edhe familjarët e tyre. (Mat. 10:21) Gjithashtu, brenda kongregacionit ndonjëherë u duhej të luftonin kundër ndikimit të apostatëve dhe mësimeve përçarëse që përhapnin ata. (Vep. 20: 29, 30) Prapëseprapë, të krishterët e hershëm qëndruan besnikë. (Zbul. 2:3) Çfarë i ndihmoi? Ata reflektonin për shembujt e qëndrueshmërisë nga Shkrimet, si ai i Jobit. (Jak. 5:10, 11) I luteshin Jehovait për forcë. (Vep. 4:29-31) Gjithashtu përqendroheshin te të mirat që do të sillte qëndrueshmëria e tyre. (Vep. 5:41) Edhe ne mund të tregojmë qëndrueshmëri nëse e bëjmë zakon të studiojmë e të meditojmë për shembujt e qëndrueshmërisë nga Fjala e Perëndisë dhe botimet tona. w23.07 3 ¶5-6
E diel, 14 dhjetor
Vazhdoni, pra, të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.—Mat. 6:33.
Jehovai dhe Jezui nuk do të heqin dorë nga ne. Pasi mohoi Krishtin, apostulli Pjetër gjendej para një udhëkryqi të vështirë në jetë. Ç’do të bënte: do të dorëzohej apo do të vazhdonte të ishte dishepull i Krishtit? Jezui i ishte përgjëruar Jehovait që Pjetrit të mos i mpakej besimi. Ai i tregoi Pjetrit për ato lutje dhe shprehu besimin se më vonë Pjetri do të ishte në gjendje të forconte vëllezërit. (Luka 22:31, 32) Kushedi sa i ngrohej zemra Pjetrit kur kujtonte fjalët e Jezuit! Kur gjendemi para një udhëkryqi në jetë, Jehovai mund të përdorë barinjtë e dashur për të na dhënë inkurajimin e nevojshëm që të qëndrojmë besnikë. (Efes. 4:8, 11) Ashtu siç u siguroi gjërat e nevojshme materiale Pjetrit dhe apostujve të tjerë, Jehovai do të kujdeset të kemi ç’na nevojitet nëse i japim përparësi në jetë shërbimit. w23.09 24-25 ¶14-15
E hënë, 15 dhjetor
Kush i bën mirë të përvuajturit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë të mirën.—Prov. 19:17.
Jehovai vëren edhe gjënë më të vogël që bëjmë me dashuri për të tjerët. Ai e sheh si një sakrificë me vlerë të madhe, ndihet borxhli ndaj nesh e do të na shpërblejë. Nëse ke shërbyer në të kaluarën si shërbëtor kongregacioni ose si plak, Jehovai nuk i harron veprat e tua dhe dashurinë që të motivoi. (1 Kor. 15:58) Ai vëren edhe dashurinë që vazhdon të shfaqësh. Jehovai do që të gjithë ne ta rritim dashurinë për të dhe për të tjerët. Mund ta forcojmë dashurinë për Jehovain duke lexuar e medituar për Fjalën e tij dhe duke folur rregullisht me të në lutje. Dashurinë për vëllezërit e motrat mund ta thellojmë duke i ndihmuar në mënyra praktike. Ndërsa dashuria jonë rritet, do të lidhemi gjithnjë e më fort me Jehovain dhe me familjen tonë të besimit. E këto miqësi kemi për t’i shijuar në përjetësi! w23.07 10 ¶11; 11 ¶13; 13 ¶18
E martë, 16 dhjetor
Secili do të mbajë ngarkesën e vet.—Gal. 6:5.
Secili nga ne duhet të vendosë vetë si do të kujdeset për shëndetin. Në Bibël ka vetëm pak ligje specifike që duhet t’i ndjekim kur zgjedhim trajtimet mjekësore—si urdhrat për të qëndruar larg nga gjaku dhe nga spiritizmi. (Vep. 15:20; Gal. 5:19, 20) Kurse në aspekte të tjera, secili e ka vetë në dorë të zgjedhë ç‘lloj trajtimi do të pranojë. Sado bindje të forta të kemi për një lloj trajtimi, duhet të respektojmë të drejtën e vëllezërve dhe motrave që të vendosin vetë si do të kujdesen për shëndetin. Kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, duhet të mbajmë parasysh këto pika: (1) Vetëm Mbretëria e Perëndisë do të sjellë shërim të plotë e të përhershëm. (Isa. 33:24) (2) Çdo shërbëtor i Perëndisë duhet të jetë «plotësisht i bindur» se çfarë është më e mira për të. (Rom. 14:5) (3) Nuk i gjykojmë të tjerët dhe nuk bëhemi pengesë për ta. (Rom. 14:13) (4) Tregojmë dashuri dhe nuk e vëmë lirinë për të marrë vendime personale para unitetit të kongregacionit.—Rom. 14:15, 19, 20. w23.07 24 ¶15
E mërkurë, 17 dhjetor
Gjatë gjithë ditëve që është nazire, do të jetë i shenjtë për Jehovain.—Num. 6:8.
A e çmon si thesar miqësinë me Jehovain? Pa diskutim që po! Që në lashtësi, plot njerëz janë ndier njësoj si ti. (Psal. 104:33, 34) Shumë kanë bërë sakrifica për të adhuruar Jehovain. Ndër ta ishin edhe nazirejtë, ose të kushtuarit, që jetuan në Izraelin e lashtë. Ky është një term më se i përshtatshëm për ata izraelitë të zellshëm që sakrifikuan për t’i shërbyer Jehovait në një mënyrë speciale. Sipas Ligjit të Moisiut, një burrë ose një grua mund të merrte një zotim të veçantë para Jehovait që të jetonte si nazire për njëfarë kohe. (Num. 6:1, 2) Kush bënte këtë zotim, ose premtim solemn, duhej të ndiqte disa udhëzime specifike, të cilat pjesa tjetër e izraelitëve nuk ishin të detyruar t’i ndiqnin. Po çfarë e nxiste një izraelit të bëhej nazire? Ka shumë të ngjarë që ta motivonte dashuria e thellë për Jehovain dhe mirënjohja e sinqertë për bekimet e tij të bollshme.—Ligj. 6:5; 16:17. w24.02 14 ¶1-2
E enjte, 18 dhjetor
Jehovai . . . u tregon dashuri besnike atyre që e duan e që zbatojnë urdhërimet e tij.—Dan. 9:4.
Në Bibël, fjala hebraike e përkthyer «besnikëri» ose «dashuri besnike» përcjell idenë e një dashurie të thellë dhe një lidhjeje të ngushtë, e shpesh përdoret për dashurinë që ka Perëndia për shërbëtorët e tij. Kjo fjalë përdoret edhe për dashurinë që kanë shërbëtorët e Perëndisë për njëri-tjetrin. (2 Sam. 9:6, 7) Jehovai pret të tregojmë edhe ne besnikëri ndaj tij. Besnikëria jonë forcohet me kalimin e kohës. Të shohim si ndodhi kjo në rastin e Danielit. Danielit iu sprovua besnikëria ndaj Jehovait gjatë gjithë jetës. Por një nga sprovat më të rënda e pati kur ishte në të 90-at. Pjesëtarët e oborrit mbretëror e kishin halë në sy Danielin dhe nuk kishin respekt për Perëndinë që adhuronte ai, prandaj kurdisën një komplot për ta vrarë. Ata i manovruan gjërat që të dilte një dekret i cili do të provonte nëse Danieli ishte besnik ndaj Perëndisë së tij apo ndaj mbretit. Që të provonte besnikërinë ndaj mbretit, mjaftonte që Danieli të mos i lutej Jehovait për 30 ditë. Por ai nuk bëri kompromis.—Dan. 6:12-15, 20-22. w23.08 5 ¶10-12
E premte, 19 dhjetor
Le të vazhdojmë të duam njëri-tjetrin.—1 Gjon. 4:7.
Jehovai dëshiron që të vazhdojmë t’u tregojmë dashuri vëllezërve e motrave. Edhe nëse një vëlla a motër nuk ka shfaqur ndonjë cilësi të krishterë, mund të kemi besim se dëshiron t’i zbatojë parimet e Biblës dhe se thjesht veproi pa u menduar. (Prov. 12:18) Perëndia i do shërbëtorët e tij besnikë pavarësisht nga të metat dhe gabimet e tyre. Ai nuk na kthen krahët kur bëjmë gabime dhe as na mban mëri. (Psal. 103:9) Sa rëndësi ka të imitojmë Atin tonë që është i gatshëm të falë! (Efes. 4:32–5:1) Mos harro edhe se ndërsa afrohet fundi, na duhet të qëndrojmë të lidhur ngushtë me vëllezërit e motrat. Mund të presim që përndjekjet të shtohen. Madje mund të përfundojmë në burg për hir të besimit. E nëse ndodh kështu, do të kemi nevojë më tepër se kurrë për vëllezërit e motrat.—Prov. 17:17. w24.03 15-16 ¶6-7
E shtunë, 20 dhjetor
Jehovait i takon të drejtojë hapat e njeriut.—Prov. 20:24.
Në Shkrime flitet për të rinj që u afruan me Jehovain, që kishin miratimin e tij dhe bënë jetë të lumtur. Davidi ishte një prej tyre. Në moshë të re, ai vendosi të ishte mik me Perëndinë dhe më vonë u bë një mbret besnik. (1 Mbret. 3:6; 9:4, 5; 14:8) Edhe ti mund të marrësh zemër e të motivohesh nëse studion për jetën dhe shërbimin besnik të Davidit. Ose mund të bësh projekte studimi për Markun a Timoteun. Do të shikosh se ata i shërbyen Jehovait që në moshë të re dhe vazhduan të qëndronin besnikë gjithë jetën. Kjo e kënaqi Jehovain. Vendimet që merr tani do të ndikojnë te jeta që do të bësh në të ardhmen. Nëse mbështetesh te Jehovai dhe jo tek aftësia jote për të kuptuar, ai do të drejtojë që të marrësh vendime të mençura. Ti mund të bësh një jetë të lumtur e shpërblyese. Mos harro, Jehovai e çmon atë që bën për të. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta përdorur jetën sesa t’i shërbesh Atit tënd të dashur! w23.09 13 ¶18-19
E diel, 21 dhjetor
Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.—Kolos. 3:13.
Apostulli Pavël e dinte se vëllezërit e motrat ishin të papërsosur. Për shembull, pak pasi u bë i krishterë, disa bashkëbesimtarë e shihnin me mosbesim. (Vep. 9:26) Më vonë, disa folën për të prapa krahëve që t’i prishnin reputacionin. (2 Kor. 10:10) Pavli pa një vëlla përgjegjës të merrte një vendim të gabuar që mund t’i kishte penguar të tjerët. (Gal. 2:11, 12) Gjithashtu e zhgënjeu thellë një shok i ngushtë, Marku. (Vep. 15:37, 38) Ai mund të kishte lejuar që secila nga këto situata ta shtynte të mos shoqërohej më me ata që e kishin lënduar. Mirëpo, Pavli mbajti një pikëpamje pozitive për vëllezërit e motrat dhe vazhdoi t’i shërbente me zell Jehovait. Çfarë e ndihmoi të mos dorëzohej? Pavli i donte vëllezërit e motrat. Kjo dashuri e ndihmoi të mos përqendrohej te të metat e tyre, por te cilësitë e shkëlqyera. Dashuria e ndihmoi edhe Pavlin të bënte atë që përmendet në shkrimin e sotëm. w24.03 15 ¶4-5
E hënë, 22 dhjetor
Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë.—2 Tim. 2:24.
Bibla është e mbushur me shembuj që theksojnë vlerën e butësisë. Të marrim rastin e Isakut. Kur shkoi të jetonte në Gerar, një territor filistin, fqinjët e tij ziliqarë ia mbyllën puset që kishin hapur shërbëtorët e të atit. Në vend që të luftonte për të mbrojtur të drejtat e veta, Isaku u largua me gjithë familjen dhe hapi puse diku tjetër. (Zan. 26:12-18) Mirëpo filistinët thanë se edhe uji atje ishte i tyri. Prapë, Isaku u përpoq të ruante paqen. (Zan. 26:19-25) Çfarë e ndihmoi të ishte i butë edhe kur të tjerët dukej se ishin të vendosur ta provokonin? Pa dyshim që ai kishte mësuar shumë nga shembulli i prindërve: nga sjellja paqësore e Abrahamit dhe nga ‘fryma e qetë dhe e butë’ e Sarës.—1 Pjet. 3:4-6; Zan. 21:22-34. w23.09 15 ¶4
E martë, 23 dhjetor
Ky është qëllimi im, e unë do ta realizoj.—Isa. 46:11.
Në kohën që kishte caktuar, me dashuri Jehovai dërgoi në tokë Birin e parëlindur, që t’u mësonte njerëzve për Mbretërinë dhe që të jepte jetën për të na shpëtuar nga mëkati dhe vdekja. Pas kësaj, Jehovai e ringjalli Jezuin në qiell që të ishte Mbret i Mbretërisë së Tij. Tema kryesore e Biblës është që emri i Jehovait do të shfajësohet ndërsa ai plotëson qëllimin e tij për tokën nëpërmjet Mbretërisë të drejtuar nga Krishti. Qëllimi i Jehovait s’ka për të ndryshuar kurrë. Ai ka garantuar se do ta përmbushë patjetër. (Isa. 46:10, shën.; Hebr. 6:17, 18) Me kohë, toka do të shndërrohet në një parajsë, ku pasardhësit e përsosur e të drejtë të Adamit dhe Evës ‘do të gëzojnë jetë përgjithnjë’. (Psal. 22:26) Por qëllimi i Jehovait është akoma më madhështor se kaq. Qëllimi i tij përfundimtar është të bashkojë të gjitha krijesat me intelekt në qiell dhe në tokë. Kur të vijë ajo ditë, çdokush në univers do t’i nënshtrohet me besnikëri Jehovait si Sovrani. (Efes. 1:8-11) A nuk mrekullohesh kur mendon sa bukur po e bën realitet Jehovai qëllimin e tij? w23.10 20 ¶7-8
E mërkurë, 24 dhjetor
«Ji i fortë, . . . se unë jam me ju»,—thotë Jehovai i ushtrive.—Hag. 2:4.
Kur judenjtë që u larguan nga Babilonia, mbërritën në Jerusalem, u përballën me një situatë të paqëndrueshme ekonomike e politike dhe me kundërshtime. Si pasojë, e patën të vështirë të mbanin në qendër të jetës rindërtimin e tempullit të Jehovait. Prandaj, Jehovai dërgoi dy profetë, Hageun dhe Zakarinë, që t’u rindiznin zellin, gjë që dha fryt. (Hag. 1:1; Zak. 1:1) Mirëpo, gati 50 vjet më vonë, judenjtë ishin prapë përtokë. Ja pse Ezdra, një kopist i zoti i Ligjit, shkoi nga Babilonia në Jerusalem për ta inkurajuar popullin e Perëndisë që të vinin adhurimin e vërtetë në vend të parë. (Ezd. 7:1, 6) Profecitë e Hageut dhe të Zakarisë e ndihmuan popullin e Perëndisë në lashtësi të vazhdonte të kishte besim te Jehovai përballë kundërshtimeve. Ato mund të na ndihmojnë edhe ne të jemi të sigurt se Jehovai do të na mbështetë përballë pasigurive të jetës.—Prov. 22:19. w23.11 14-15 ¶2-3
E enjte, 25 dhjetor
Vishuni me dashuri, sepse ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.—Kolos. 3:14.
Si e shprehim dashurinë për bashkëbesimtarët? Një mënyrë është duke i ngushëlluar ose inkurajuar. Dhembshuria do të na nxitë ‘të vazhdojmë ta ngushëllojmë njëri-tjetrin’. (1 Sel. 4:18) Si mund ta mbajmë të fortë dashurinë për njëri-tjetrin? Duke u përpjekur me të gjitha forcat t’i falim të tjerët kur gabojnë. Pse sot është më e rëndësishme se kurrë të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin? Pjetri na tregon arsyen: «Fundi i të gjitha gjërave është afruar. Prandaj, . . . kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin.» (1 Pjet. 4:7, 8) Çfarë mund të presim ndërsa fundi i kësaj bote të ligë afrohet përditë e më shumë? Jezui paratha për dishepujt e tij: «Të gjitha kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.» (Mat. 24:9) Që të qëndrojmë besnikë përballë kësaj urrejtjeje, duhet të ruajmë unitetin. Ndërsa e bëjmë këtë, përpjekjet e Satanait për të na përçarë do të dështojnë, sepse ne na lidh fort me njëri-tjetrin dashuria.—Filip. 2:1, 2. w23.11 13 ¶18-19
E premte, 26 dhjetor
Ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.—1 Kor. 3:9.
Të vërtetat e Fjalës së Perëndisë kanë fuqi të jashtëzakonshme. Kur u mësojmë njerëzve se kush është vërtet Jehovai, shohim diçka të mahnitshme. Veli i gënjeshtrave satanike nis të bjerë dhe njerëzit fillojnë të shohin se çfarë cilësish fantastike ka Ati ynë. Fuqia e tij e pakufi i lë pa fjalë. (Isa. 40:26) Drejtësia e tij e përsosur u jep siguri. (Ligj. 32:4) Mençuria e pafund e Jehovait ua ndriçon mendjen. (Isa. 55:9; Rom. 11:33) Dhe ngushëllohen pa masë kur mësojnë se Ai është personifikimi i dashurisë. (1 Gjon. 4:8) Ndërsa afrohen më shumë me Jehovain, shpresa se do të jetojnë përgjithmonë si bijtë dhe bijat e tij bëhet më reale. Çfarë privilegji të mrekullueshëm kemi: t’i ndihmojmë njerëzit të afrohen me Atin e tyre! Teksa e bëjmë këtë, Jehovai na shikon si «bashkëpunëtorë» të tij.—1 Kor. 3:5. w24.02 12 ¶15
E shtunë, 27 dhjetor
Është më mirë të mos e marrësh një zotim, se ta marrësh e të mos e mbash.—Ekl. 5:5.
Nëse je student i Biblës ose po rritesh në të vërtetën, a ke menduar të pagëzohesh? Ky është një synim i shkëlqyer! Por, para se të pagëzohesh, duhet t’i kushtohesh Jehovait. Si mund ta bësh këtë? Duke i premtuar në lutje se do të adhurosh vetëm atë dhe do ta vësh në qendër të jetës vullnetin e tij. Me fjalë të tjera i premton Jehovait se do të vazhdosh ta duash «me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde». (Mar. 12:30) Kushtimi është diçka personale mes teje dhe Jehovait. Ndryshe nga kjo, pagëzimi bëhet publikisht; ai u tregon të tjerëve se ia ke kushtuar jetën Jehovait. Kushtimi është një zotim që merr para Jehovait. Ai pret të jetosh në lartësinë e tij, e patjetër të njëjtën gjë pret edhe ti nga vetja.—Ekl. 5:4. w24.03 2 ¶2; 3 ¶5
E diel, 28 dhjetor
Secili nga ju duhet ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin.—Efes. 5:33.
Të gjitha martesat kanë vështirësitë e veta. Bibla e pranon hapur se të martuarit do të kenë «vështirësi në jetë». (1 Kor. 7:28) Pse? Sepse martesa lidh dy njerëz të papërsosur, secili me cilësi, pëlqime e mospëlqime të ndryshme. Bashkëshortët mund të vijnë nga kultura e prejardhje të ndryshme. Dhe, me kohë, mund të vërejnë te njëri-tjetri tipare që nuk dolën në pah para martese. Secila nga këto gjëra mund të shkaktojë fërkime. E në vend që të pranojnë pjesën e vet të fajit e që duhet të përpiqen të zgjidhin problemet, mund të fajësojnë njëri-tjetrin. Madje mund të fillojnë të shohin si rrugëdalje ndarjen ose divorcin. Por, a është kjo zgjidhja? Jo. Jehovai i udhëzon të martuarit që ta respektojnë martesën edhe nëse bashkëshorti është njeri i vështirë. w24.03 16 ¶8; 17 ¶11
E hënë, 29 dhjetor
Shpresa nuk të zhgënjen.—Rom. 5:5.
Pas kushtimit e pagëzimit, ndërsa mësoje më shumë për Jehovain e përparoje drejt pjekurisë, shpresa jote për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore, vazhdoi të forcohej. (Hebr. 5:13–6:1) Ka shumë të ngjarë që e përjetove vetë atë që thuhet te Romakëve 5:2-4. Kalove gjithfarë shtrëngimesh, por tregove qëndrueshmëri dhe ndjeve se Perëndia të miratonte. Bindja se Perëndia është i kënaqur me ty ta ka forcuar sigurinë se do t’i gëzosh bekimet që ka premtuar. Pra shpresa jote është bërë më fortë se në fillim. Është bërë më reale, më personale. Ndikon më thellë te ti. Ndikon te çdo aspekt i jetës, te mënyra si i trajton pjesëtarët e familjes, si i merr vendimet e madje edhe si e përdor kohën. Apostulli Pavël shton një element shumë të rëndësishëm për shpresën që ke pasi provon miratimin e Perëndisë. Pavli të siguron se shpresa jote do të bëhet realitet.—Rom. 15:13. w23.12 12-13 ¶16-19
E martë, 30 dhjetor
[Jehovai] i jep siguri jetës sate.—Isa. 33:6.
Kur kalojmë një sprovë të rëndë, ndjenjat, mendimet dhe reagimet tona mund të mos jenë aq të ekuilibruara sa normalisht. Mund të ndihemi sikur një dallgë po na përplas nga një ndjenjë negative te tjetra. Si na ndihmon Jehovai kur fillojnë të na mbysin ndjenja të tilla? Në Shkrime, Jehovai na premton se do të na japë «siguri»; fjala e gjuhës origjinale ka edhe kuptimin «stabilitet». Kur është mes një stuhie, një anije mund të fillojë të lëkundet sa andej-këtej, e kjo është e rrezikshme. Për të ruajtur ekuilibrin, shumë anije kanë në të dyja anët një lloj stabilizatori nën ujë. Ata mund të ndihmojnë që anija të mos lëkundet aq shumë, e kështu udhëtimi bëhet më i sigurt dhe më i rehatshëm për pasagjerët. Megjithatë, shumë stabilizatorë funksionojnë më mirë kur anija vazhdon të ecë para. Po njësoj, Jehovai na jep stabilitet ndërsa vazhdojmë t’i shërbejmë besnikërisht mes sprovave. w24.01 22 ¶7-8
E mërkurë, 31 dhjetor
Te Perëndia kam besim e nuk kam frikë.—Psal. 56:4.
Kur ndihesh i frikësuar, pyet veten: «Çfarë ka bërë Jehovai deri tani?» Reflekto për krijimin. Për shembull, ‘vështro me kujdes’ si kujdeset Jehovai për zogjtë e lulet, ndonëse nuk janë krijuar sipas imazhit të tij dhe nuk mund ta adhurojnë. (Mat. 6:25-32) Kjo do të ta forcojë besimin se do të kujdeset edhe për ty. Mendo edhe çfarë ka bërë Jehovai për adhuruesit e tij. Mund të studiosh një personazh të Biblës që tregoi besim të patundur ose mund të lexosh historinë e një shërbëtori të Jehovait nga ditët tona. Veç kësaj, mendo si është kujdesur Jehovai për ty. Si të tërhoqi drejt së vërtetës? (Gjoni 6:44) Si u është përgjigjur lutjeve të tua? (1 Gjon. 5:14) Si po nxjerr dobi çdo ditë nga flijimi i Birit të tij të shtrenjtë?—Efes. 1:7; Hebr. 4:14-16. w24.01 3 ¶6; 7 ¶17