E hënë, 9 nëntor
[Ai] respekton ata që nderojnë thellësisht Jehovain.—Psal. 15:4.
Ne duhet të kërkojmë mënyra si t’u tregojmë përzemërsi e t’i nderojmë miqtë e Jehovait. (Rom. 12:10) Një mënyrë përmendet te Psalmi 15:4—një mysafir në tendën e Jehovait «nuk del nga fjala edhe sikur t’i dalë për keq». Po të mos i mbajmë premtimet, do t’i lëndojmë të tjerët. (Mat. 5:37) Për shembull, Jehovai pret që mysafirët e tij të respektojnë betimin e martesës. Ai kënaqet edhe kur prindërit përpiqen fort t’i mbajnë premtimet që u bëjnë fëmijëve. Dashuria për Perëndinë e për të tjerët do të na motivojë që të bëjmë çmos ta mbajmë fjalën. Një mënyrë tjetër si i respektojmë miqtë e Perëndisë, është duke qenë mikpritës dhe bujarë. (Rom. 12:13) Kur kalojmë kohë me vëllezërit e motrat, forcojmë miqësinë me ta dhe me Jehovain. Veç kësaj, duke treguar mikpritje, imitojmë Atin tonë. w24.06 12 ¶15-16
E martë, 10 nëntor
Ç’është vdekatari që ta mbash në mendje?!—Psal. 8:4.
Jehovai ua zbulon të vërtetën të përulurve. (Mat. 11:25) Me përulësi, ne pranuam që dikush të na ndihmonte të mësonim të vërtetën. (Vep. 8:30, 31) Gjithsesi, duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos bëhemi krenarë. Po të jemi krenarë, mund të fillojmë t’i konsiderojmë opinionet tona po aq të mençura sa parimet nga Shkrimet dhe drejtimi që jep organizata e Jehovait. Që të mbetemi të përulur, nuk duhet të harrojmë sa të vegjël jemi në krahasim me Jehovain. (Psal. 8:3, 4) Gjithashtu mund të lutemi që të jemi më të përulur dhe më të gatshëm të mësohemi prej tij. Jehovai do të na ndihmojë t’i vlerësojmë mendimet e tij—që na i zbulon nëpërmjet Biblës dhe organizatës—më tepër se mendimet tona. Gjatë leximit të Biblës, kërko hollësi që nxjerrin në pah se Jehovai e do përulësinë dhe i urren krenarinë, arrogancën dhe fodullëkun. Dhe bëj jashtë mase kujdes që të mbetesh i përulur kur merr një caktim nga i cili ke njëfarë autoriteti ose bie më shumë në sy. w24.07 10 ¶8-9
E mërkurë, 11 nëntor
I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë në kohën e vet.—Isa. 60:22.
Që nga viti 1919, Jezui ka përdorur një grup të vogël me burra të mirosur për të organizuar veprën e predikimit dhe për t’u dhënë ushqim në kohën e duhur dishepujve të tij. (Luka 12:42) Duket qartë se Jehovai po e bekon punën e tyre. (Isa. 65:13, 14) Po të mos ishim të organizuar, nuk do ta përmbushnim dot veprën që na ka caktuar Jezui. (Mat. 28:19, 20) Për shembull, sikur të mos kishim territore të caktuara, gjithkush do të predikonte ku të kishte qejf. Disa territore mund të stërpredikoheshin nga lajmëtarë të ndryshëm, kurse të tjera mund të liheshin krejt pas dore. A të vijnë ndër mend mënyra të tjera si nxjerrim dobi ngaqë jemi të organizuar? Jezui po vazhdon ta organizojë popullin e Perëndisë sipas të njëjtit model që i organizoi dishepujt e tij kur ishte në tokë. w24.04 8-9 ¶2-4