Zanafilla
26 Në vend ra një zi buke, përveç asaj që kishte rënë në ditët e Abrahamit.+ Prandaj, Isaku iu drejtua Abimelekut, mbretit të filistinëve, në Gerar.+ 2 Atëherë Jehovai iu shfaq dhe i tha:+ «Mos zbrit në Egjipt, por fusho në vendin që do të të tregoj unë.+ 3 Qëndro si banor i ardhur në këtë vend,+ dhe unë do të vazhdoj të jem me ty e do të të bekoj, sepse ty dhe farës sate do t’jua jap gjithë këto vende,+ dhe do të përmbush betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd:+ 4 ‘Do ta shumoj farën tënde si yjet e qiejve dhe do t’i jap asaj gjithë këto vende.+ Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime gjithë kombet e tokës’,+ 5 sepse Abrahami e dëgjoi zërin tim dhe i përmbushi vazhdimisht detyrimet që kishte ndaj meje, urdhërimet, normat dhe ligjet e mia.»+ 6 Prandaj, Isaku vazhdoi të banonte në Gerar.+
7 Kur banorët e vendit e pyetnin për gruan e tij, ai u thoshte: «Është motra ime.»+ Sepse kishte frikë të thoshte: «Është gruaja ime», se mos, siç thoshte ai: «Banorët e vendit më vrasin për shkak të Rebekës», ngaqë ajo ishte tërheqëse.+ 8 Një ditë, pasi Isaku kishte kohë që jetonte atje, Abimeleku, mbreti i filistinëve, kishte dalë në dritare e po sodiste, kur pa Isakun që përkëdhelte Rebekën, gruan e vet.+ 9 Menjëherë Abimeleku e thirri Isakun dhe i tha: «Ajo qenka gruaja jote! Pse the: ‘Është motra ime.’» Isaku ia ktheu: «E thashë nga frika se mos vdisja për shkak të saj.»+ 10 Por Abimeleku vazhdoi: «Ç’na bëre kështu?+ Për pak dikush nga populli mund të ishte shtrirë me gruan tënde, dhe ti do të na kishe ngarkuar me faj!»+ 11 Pastaj Abimeleku e urdhëroi gjithë popullin: «Kush e prek këtë njeri dhe gruan e tij, do të vritet!»
12 Isaku nisi të mbillte në atë vend,+ dhe atë vit mori njëqindfishin e asaj që mbolli,+ meqë Jehovai e bekonte.+ 13 Ky njeri u pasurua dhe sa vinte e më mbarë i shkonte, derisa u bë jashtëzakonisht i pasur.+ 14 Ai pati kope me dhen, tufa me gjedhë dhe shumë shërbëtorë,+ aq sa filistinët nisën ta kishin zili.+
15 Të gjitha puset që kishin hapur shërbëtorët e Abrahamit, atit të tij,+ filistinët i mbyllën dhe i mbushën me dhé.+ 16 Atëherë Abimeleku i tha Isakut: «Largohu që këtej, sepse je bërë shumë më i fortë se ne.»+ 17 Kështu Isaku iku që andej, fushoi në luginën e përroit të Gerarit+ dhe u vendos atje. 18 Isaku i hapi prapë puset që kishin hapur në kohën e Abrahamit, atit të tij, por që i kishin mbyllur filistinët pas vdekjes së Abrahamit,+ dhe i quajti përsëri me po ata emra që i kishte quajtur edhe i ati.+
19 Shërbëtorët e Isakut nisën të gërmonin në luginën e përroit dhe gjetën atje një pus me ujë të freskët. 20 Barinjtë e Gerarit u grindën me barinjtë e Isakut+ dhe thoshin: «Uji është i yni.» Prandaj ai e quajti pusin Esek, sepse ata ishin grindur me të. 21 Gërmuan një pus tjetër, por ata u grindën edhe për atë. Prandaj ai e quajti Sitnah.* 22 Më vonë, ai u largua që andej dhe hapi një pus tjetër,+ dhe për të nuk u grindën. Prandaj ia vuri emrin Rehobot dhe tha: «Sepse tani Jehovai na ka dhënë një vend mjaft të madh+ dhe na ka bërë të frytshëm në tokë.»+
23 Atëherë ai u ngjit në Beer-Shebë.+ 24 Atë natë Jehovai iu shfaq dhe i tha: «Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd.+ Mos ki frikë,+ sepse unë jam me ty dhe do të të bekoj e do ta shumoj farën tënde për shkak të Abrahamit, shërbëtorit tim.»+ 25 Prandaj, Isaku ndërtoi atje një altar dhe thirri emrin e Jehovait.+ Pastaj ngriti tendën+ dhe shërbëtorët e tij hapën atje një pus.
26 Më vonë, Abimeleku erdhi nga Gerari bashkë me Ahuzatin, mikun e tij të besuar, dhe me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij.+ 27 Kur i pa, Isaku u tha: «Përse keni ardhur këtu? Ju vetë më urryet dhe më dëbuat!»+ 28 Ata ia kthyen: «E kemi parë qartë se Jehovai ka qenë me ty.+ Prandaj thamë të bëjmë së bashku një besëlidhje,+ duke zënë be,+ 29 se ti nuk do të na bësh asgjë të keqe, ashtu sikurse ne nuk të prekëm, por të bëmë vetëm të mira, dhe të lamë të ikje në paqe.+ Ti je tani i bekuari i Jehovait.’»+ 30 Atëherë ai shtroi për ta një gosti, dhe ata hëngrën e pinë.+ 31 Në mëngjes, u ngritën herët dhe iu betuan njëri-tjetrit.+ Pastaj, Isaku i la të iknin, dhe ata u larguan në paqe.+
32 Atë ditë shërbëtorët e Isakut vajtën tek ai dhe e njoftuan për pusin që kishin hapur:+ «Kemi gjetur ujë!» 33 Prandaj ai e quajti Shibah. Ja përse emri i qytetit është Beer-Shebë+ sot e kësaj dite.
34 Kur ishte dyzet vjeç, Esau mori për grua Juditën, vajzën e Beerit, hititit, si dhe Basematën, vajzën e Elonit, hititit.+ 35 Ato ishin burim hidhërimi për Isakun dhe Rebekën.+