Zanafilla
33 Kur ngriti sytë, Jakobi pa Esaun që po vinte bashkë me katërqind burra.+ Atëherë ai ua shpërndau fëmijët Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve.+ 2 Të parat vuri shërbyeset dhe fëmijët e tyre.+ Më pas vuri Lean dhe fëmijët e saj,+ e në fund Rakelën dhe Jozefin.+ 3 Ai vetë doli përpara tyre, dhe u përkul deri në tokë shtatë herë, derisa iu afrua vëllait të tij.+
4 Esau vrapoi ta takonte,+ iu hodh në qafë, e përqafoi,+ e puthi dhe të dy shpërthyen në lot. 5 Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë dhe fëmijët e pyeti: «Cilët janë këta?» Jakobi ia ktheu: «Janë fëmijët që Perëndia i fali shërbëtorit tënd.»+ 6 Pastaj, shërbyeset dhe fëmijët e tyre dolën përpara dhe u përkulën. 7 Doli edhe Lea me fëmijët e saj, dhe u përkulën; dhe në fund, doli Jozefi me Rakelën, dhe u përkulën.+
8 Esau e pyeti: «Pse më kishe dërguar gjithë atë kamp që më doli përpara?»+ Jakobi ia ktheu: «Që të gjeja hir në sytë e zotërisë tim.»+ 9 Atëherë Esau i tha: «Unë kam shumë, o vëlla.+ Mbaji për vete ato që janë të tuat.» 10 Por Jakobi i tha: «Jo, të lutem. Nëse kam gjetur hir në sytë e tu,+ merre këtë dhuratë nga dora ime, sepse e pashë fytyrën tënde, si të shihja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më prite me kënaqësi.+ 11 Të lutem, merre dhuratën që të kam sjellë+ si bekim, sepse Perëndia më ka dhënë hir dhe kam çdo gjë.»+ Dhe vazhdoi ta luste, derisa ai e mori.+
12 Pastaj Esau i tha: «Hajde të nisemi tani, dhe unë do të shkoj para teje.» 13 Por Jakobi i tha: «Zotëria im e di mirë se fëmijët janë të brishtë, dhe se më duhet të kujdesem për dhentë e lopët pëlleja.+ Po t’i vë të ecin tepër shpejt, qoftë edhe për një ditë të vetme, atëherë gjithë kopeja ka për të ngordhur.+ 14 Të lutem, zotëria im! Shko përpara shërbëtorit tënd, kurse unë do të udhëtoj sipas takatit tim, sipas hapit të bagëtisë+ që është para meje, dhe sipas hapit të fëmijëve,+ derisa të mbërrij te zotëria im në Seir.»+ 15 Atëherë Esau i tha: «A të të lë të paktën disa nga njerëzit e mi?» Por ai ia ktheu: «Përse të mundohesh? Unë mund të vij vetë.» 16 Kështu, atë ditë Esau u kthye prapë në Seir.
17 Jakobi u nis për në Sukot+ dhe atje ndërtoi një shtëpi, ndërsa për tufat e tij bëri kasolle.+ Ja përse e quajti atë vend Sukot.
18 Më vonë, pasi u kthye nga Padan-Arami,+ Jakobi mbërriti shëndoshë e mirë në qytetin e Sikemit,+ që ndodhet në vendin e Kanaanit,+ dhe e ngriti kampin përballë qytetit. 19 Pastaj bleu nga bijtë e Hamorit, atit të Sikemit, për njëqind monedha,+ një pjesë të fushës, ku ngriti tendën e tij. 20 Pas kësaj, ngriti atje një altar dhe e quajti Perëndi, Perëndia i Izraelit.+