36 Elihu vazhdoi të thoshte:
2 «Bëni edhe pak durim me mua, dhe do t’ju tregoj
se kam ende për të thënë për Perëndinë.
3 Do ta sjell njohurinë time që nga larg,
dhe do të shpall drejtësinë e Bërësit tim.+
4 Se në fjalët e mia nuk ka asnjë gënjeshtër,
dhe Ai që është i përsosur në njohuri,+ është para jush.
5 Perëndia është i fuqishëm+ e nuk do ta hedhë poshtë njeriun.
Kuptueshmëria e zemrës së tij është e pafund.
6 Ai nuk do të lërë gjallë asnjë të lig,+
por të munduarit do t’i gjykojë me drejtësi.+
7 Nuk do t’ua ndajë sytë të drejtëve.+
Edhe mbretërit i vë në fron,+
i ul atje përgjithmonë, dhe ata lartësohen.
8 Kur njerëzit janë nën vargonj,+
janë lidhur me litarët e mundimit.
9 Atëherë ai u tregon për veprat
dhe shkeljet e tyre, sepse mbahen me të madh.
10 Do t’ua hapë veshët që të dëgjojnë këshillat,+
do t’u thotë që të kthehen e t’i lënë të këqijat.+
11 Nëse binden dhe i shërbejnë,
do t’i përfundojnë ditët në mbarësi
dhe vitet në kënaqësi.+
12 Por nëse nuk binden, do të vdesin+ nga shigjeta+
dhe do të japin frymë pa pasur njohuri.
13 Ata që janë apostatë në zemër, do të grumbullojnë zemërim.+
Nuk do të thërrasin për ndihmë, ngaqë ai i ka lidhur.
14 Ata do të vdesin ende të rinj.+
Jeta do t’u marrë fund mes prostitutave-meshkuj të tempullit.+
15 Të munduarin do ta shpëtojë nga mundimi;
do t’ia hapë veshët, teksa është i shtypur.
16 Ai do të të nxjerrë nga nofullat e vuajtjeve!+
Në vend të tyre, do të kesh vend të gjerë+ dhe jo shtrëngesë.
Tryeza jote do të ketë ngushëllimin më të bollshëm e më të pasur.+
17 Do të ngopesh duke parë gjykimin e të ligjve;+
vendimi gjyqësor dhe drejtësia së bashku do të token.
18 Kujdes se mos tërbimi+ të shtyn të përplasësh duart tërë mëri,
dhe mos lër që një shpërblesë+ e madhe të të çojë në rrugë të shtrembër.
19 A do të bëjë punë thirrja jote për ndihmë?+
Jo, madje as tërë përpjekjet e tua të mëdha kur të jesh në hall.+
20 Mos e dëshiro fort natën,
kur njerëzit kthehen në vendet e tyre.
21 Ruhu se mos kthehesh tek e keqja,+
se atë ke zgjedhur dhe jo mundimin.+
22 Me fuqinë e tij, Perëndia vepron në mënyrë të lavdishme.
Ku ka mësues si ai?!
23 Kush i kërkon llogari për atë që bën?+
Kush i thotë: ‘Ke bërë padrejtësi.’+
24 Mos harro që duhet të madhërosh veprat e tij,+
të cilave njerëzit u thurin këngë.+
25 Mbarë njerëzimi mbi to i mban sytë;
vdekatari i vështron pareshtur nga larg.+
26 E pra, Perëndia është shumë më i lartësuar nga sa dimë ne.+
Vitet e tij as që mund të numërohen.+
27 Ai i tërheq lart pikat e ujit,+
të cilat filtrohen dhe kthehen në shi e mjegull.
28 Kështu retë rrjedhin,+
derdhen me bollëk mbi njerëzit.
29 Vërtet, kush mund ta kuptojë shtresën e reve,
buçimat nga kasollja e tij?+
30 Ai shpalos mbi të dritën e tij+
dhe mbulon fundin e detit.
31 Me anë të tyre, ai mbron çështjen e njerëzve.+
Jep ushqim me bollëk.+
32 Rrufenë e mban të mbyllur në duart e veta,
dhe jep urdhër të bjerë mbi ata që mësyjnë.+
33 Ushtimat e tij+ flasin për të,
dhe bagëtia për Atë që vjen.