Kënga e Solomonit
4 «Sa e bukur je,+ o shoqja ime! Ti je e bukur. Sytë e tu prapa velit+ janë si sytë e pëllumbeshave.+ Flokët e tu janë si një kope dhish+ që kanë zbritur duke u hedhur nga rajoni malor i Galaadit.+ 2 Dhëmbët e tu janë si një kope delesh të sapoqethura+ që kanë ardhur nga larja; të gjitha kanë binjakë e asnjëra ndër to nuk ka humbur të vegjlit e saj. 3 Buzët e tua janë si një fill i kuq i ndezur dhe të folurit tënd është i këndshëm.+ Si thelë shege janë tëmthat e tu prapa velit.+ 4 Qafa jote+ është si kulla+ e Davidit, e ndërtuar me shtresa gurësh, në të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat e rrumbullakëta+ të burrave të fuqishëm. 5 Dy gjinjtë e tu+ janë si dy të vegjël, binjakë të një gazele, që ushqehen mes zambakëve.»+
6 «Para se të fryjë flladi i ditës+ dhe të ikin hijet, do të marr udhën për në malin e mirrës dhe për në kodrën e temjanit të bardhë.»+
7 «Ti je e tëra e bukur,+ o shoqja ime; ti nuk ke asnjë të metë.+ 8 Me mua nga Libani, o nuse,+ me mua nga Libani+ ardhsh ti! Zbritsh nga maja e Amanës, nga maja e Senirit,+ po, nga Hermoni,+ nga strofkat e luanëve, nga malet e leopardëve! 9 Ti e ke bërë zemrën time të rrahë, o motra ime,+ nusja ime,+ ti e ke bërë zemrën time të rrahë veç me një shikim të syve të tu,+ veç për një zbukurim të varëses sate. 10 Sa të bukura janë shprehjet e tua të dashurisë,+ o motra ime, nusja ime! Shprehjet e tua të dashurisë janë shumë më të mira se vera dhe aroma e vajrave të tua është shumë më e mirë se çdo lloj parfumi!+ 11 Mjaltë hualli pikojnë buzët e tua,+ o nusja ime. Mjaltë+ dhe qumësht ka nën gjuhën tënde dhe aroma e rrobave të tua është si aroma+ e Libanit. 12 Një kopsht i mbyllur me shul është motra ime,+ nusja ime, një kopsht i mbyllur me shul, një krua i vulosur. 13 Lëkura jote është një parajsë shegësh, me frutat më të zgjedhura,+ bimë kënaje bashkë me bimë nardi;+ 14 me nard+ dhe shafran,+ me kallam erëmirë+ dhe kanellë,+ bashkë me gjithfarë pemësh temjani të bardhë, mirrë dhe aloe,+ bashkë me gjithë parfumet më të mira;+ 15 krua kopshtesh, pus uji të freskët+ dhe rrëkeza nga Libani.+ 16 Zgjohu, o veri, dhe eja, o jugë.+ Fry mbi kopshtin tim.+ Le të rrjedhin parfumet e tij.»
«Le të vijë i shtrenjti im në kopshtin e vet dhe të hajë frutat më të zgjedhura të tij.»