Jeremia
22 Kështu tha Jehovai: «Shko te shtëpia e mbretit të Judës dhe thuaj atje këto fjalë: 2 “Dëgjo fjalën e Jehovait, o mbret i Judës që ulesh në fronin e Davidit,+ ti, bashkë me shërbëtorët dhe popullin tënd, që hyjnë nga këto porta.+ 3 Kështu thotë Jehovai: ‘Gjykoni me drejtësi dhe bëni atë që është e drejtë, çlirojeni atë që i është bërë një padrejtësi nga dora e mashtruesit dhe mos keqtrajtoni asnjë të ardhur, jetim* a vejushë.+ Mos përdorni dhunë ndaj tyre.+ Mos derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend.+ 4 Sepse po t’i zbatoni këto fjalë, atëherë nga portat e kësaj shtëpie do të hyjnë mbretër, hipur në karroca e kuaj, që do të ulen në fronin e Davidit,+ do të hyjnë mbreti, shërbëtorët dhe populli i tij.+
5 Por nëse nuk u bindeni këtyre fjalëve, betohem për veten,+—thotë Jehovai,—se kjo shtëpi do të bëhet gërmadhë.’+
6 Sepse kështu thotë Jehovai për shtëpinë e mbretit të Judës: ‘Ti je për mua si Galaadi, si maja e Libanit.+ Me siguri do të të bëj shkretëtirë.+ Asnjëri nga qytetet nuk do të banohet.+ 7 Do të shenjtëroj ata që vijnë kundër jush për të sjellë shkatërrim,+ secilin bashkë me armët e veta.+ Ata do të presin cedrat më të mirë+ dhe do t’i hedhin në zjarr.+ 8 E shumë kombe do të kalojnë pranë këtij qyteti dhe do të pyesin njëri-tjetrin: “Pse veproi kështu Jehovai me këtë qytet të madh?”+ 9 Do t’u thonë: “Sepse lanë besëlidhjen që bëri me ta Jehovai, Perëndia i tyre,+ dhe u përkulën para perëndive të tjera e u shërbyen.”’+
10 Mos qani për të vdekurin+ dhe mos vajtoni për të. Qani me të madhe për atë që do të ikë, sepse nuk do të kthehet më dhe nuk do ta shohë më vendin e të afërmve të tij. 11 Sepse kështu thotë Jehovai për Shalumin,+ birin e Josisë, mbretin e Judës, që mbretëron në vend të të atit+ i cili ka ikur nga ky vend: ‘Ai nuk do të kthehet më këtu. 12 Do të vdesë atje ku e kanë çuar në mërgim dhe nuk do ta shohë më këtë vend.’+
13 Mjerë ai që ndërton shtëpinë e vet,+ por jo me drejtësi, dhe që ndërton dhomat e sipërme, por në mënyrë të padrejtë duke shfrytëzuar tjetrin, i cili i shërben pa marrë asgjë, dhe të cilit nuk ia jep pagën.+ 14 Ai thotë: ‘Do të ndërtoj për veten time një shtëpi me shumë hapësirë dhe dhoma të sipërme të rehatshme.+ Do t’i zgjeroj dritaret e saj, do ta vesh me cedër+ dhe do ta lyej me bojë të kuqe në portokalli.’+ 15 Vallë do të mbretërosh akoma vetëm sepse bën garë për përdorimin e cedrit? Po yt atë, a nuk hante e pinte? Ai gjykonte me drejtësi dhe bënte atë që është e drejtë,+ prandaj i shkoi mbarë.+ 16 Ai mbronte çështjen ligjore të të munduarit dhe të të varfrit.+ Për këtë arsye i shkoi mbarë. ‘A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?—thotë Jehovai.— 17 Me siguri sytë dhe zemrën i ke vetëm te fitimi i padrejtë,+ te derdhja e gjakut të të pafajshmit+ dhe se si të hash hakun e të zhvatësh.’
18 Prandaj, kështu thotë Jehovai për Jehojakimin,+ birin e Josisë, mbretin e Judës: ‘Për të nuk do të vajtojnë: “Ah, mor vëlla! Ah, moj motër!” Për të nuk do të vajtojnë: “Ah, mor zotëri! Ah, madhëri!”+ 19 Atë do ta varrosin si një gomar.+ Do ta tërheqin zvarrë e do ta flakin tutje, matanë portave të Jerusalemit.’+
20 Ngjitu në Liban+ e bërtit dhe ngri zërin në Bashan.+ Bërtit nga Abarimi,+ sepse të gjithë ata që të donin me zjarr, janë thyer.+ 21 Të fola në një kohë pa shqetësime,+ por ti the: ‘Nuk do të bindem.’+ Kjo ka qenë udha jote që nga rinia, sepse nuk iu binde zërit tim.+ 22 Të gjithë barinjtë e tu do t’i përpijë një erë,+ dhe ata që të donin me zjarr, do të shkojnë në robëri.+ Atëherë do të të vijë turp dhe do të ndihesh i poshtëruar nga e gjithë gjëma jote.+ 23 Oh, si do të psherëtish ti që banon në Liban,+ që e ke folenë mes cedrave,+ kur të të zënë dhembjet,+ dhembjet si të gruas që lind!+
24 Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Jehovai,—edhe sikur ti, o Koniah,+ bir i Jehojakimit,+ mbret i Judës, të ishe si një unazë me vulë+ në dorën time të djathtë, do të të hiqja prej saj.+ 25 Unë do të të dorëzoj në duart e atyre që kërkojnë shpirtin tënd,+ në duart e atyre që u trembesh, në duart e Nabukodrezarit, mbretit të Babilonisë, dhe në duart e kaldeasve.+ 26 Do të të vërvit ty e nënën+ që të lindi, në një vend ku nuk lindët, dhe atje do të vdisni.+ 27 Por në vendin ku ata do të dëshirojnë me shpirt të kthehen, nuk do të kthehen më.+ 28 Vallë ky njeri, Koniahu,+ është vetëm një enë e përbuzur, e bërë copë-copë,+ a një enë që s’të sjell kënaqësi?+ Pse, pra, ai dhe pasardhësit e tij duhen vërvitur dhe duhen flakur në një vend që nuk e kanë njohur?+
29 Tokë, tokë, o tokë! Dëgjo fjalën e Jehovait!+ 30 Kështu thotë Jehovai: ‘Regjistrojeni këtë njeri si pa fëmijë,+ si një burrë që nuk do t’i vejë fare mbarë gjatë ditëve të tij. Sepse as edhe njërit nga pasardhësit e tij nuk do t’i vejë mbarë,+ nuk do të ulet në fronin e Davidit+ e nuk do të sundojë më në Judë.’”»