Josiu
6 Jerikoja ishte krejtësisht e mbyllur nga frika që kishin prej bijve të Izraelit. Asnjeri nuk dilte e asnjeri nuk hynte.+
2 Jehovai i tha Josiut: «Ja, të kam dhënë në dorë Jerikonë, mbretin e saj dhe trimat e fuqishëm.+ 3 Të gjithë ju që jeni luftëtarë duhet të marshoni një herë rreth e qark qytetit. Këtë duhet ta bëni për gjashtë ditë. 4 Shtatë priftërinj duhet të mbajnë shtatë brirë dashi përpara Arkës. Ditën e shtatë duhet të marshoni rreth qytetit shtatë herë, kurse priftërinjtë duhet t’i bien bririt.+ 5 Kur ata t’i bien bririt dhe ju ta dëgjoni tingullin e tij, tërë populli duhet të lëshojë një britmë të madhe për luftë.+ Muret e qytetit do të rrafshohen+ dhe njerëzit do të mësyjnë gjithsekush përpara.»
6 Kështu, Josiu, biri i Nunit, thirri priftërinjtë+ dhe u tha: «Merrni arkën e besëlidhjes+ dhe shtatë priftërinj nga ju duhet të mbajnë në krye të arkës+ së Jehovait shtatë brirë dashi.» 7 Pastaj i tha popullit: «Kaloni e marshoni përqark qytetit. Forcat e armatosura për luftë+ të kalojnë në krye të arkës së Jehovait.» 8 Dhe u bë siç i tha Josiu popullit. Shtatë priftërinj që mbanin shtatë brirë dashi para Jehovait kaluan dhe u ranë brirëve, kurse arka e besëlidhjes së Jehovait i ndiqte nga pas. 9 Forcat e armatosura për luftë shkonin përpara priftërinjve që u binin brirëve. Ndërkaq praparoja+ ndiqte Arkën dhe i binte bririt pareshtur.
10 Josiu e urdhëroi popullin:+ «Mos bërtitni e mos t’ju dëgjohet zëri. Të mos ju dalë nga goja asnjë fjalë gjer ditën kur t’ju them: ‘Bërtitni!’ dhe atëherë do të bërtitni.»+ 11 Ai e vuri arkën e Jehovait të marshonte një herë rreth e qark qytetit. Pas kësaj, ata shkuan në kamp dhe kaluan natën aty.
12 Pastaj Josiu u çua herët në mëngjes+ dhe priftërinjtë vajtën të mbanin arkën+ e Jehovait. 13 Shtatë priftërinjtë që mbanin shtatë brirët e dashit përpara arkës së Jehovait ecnin dhe u binin atyre pareshtur, kurse forcat e armatosura për luftë ecnin përpara tyre. Ndërkaq praparoja ndiqte arkën e Jehovait dhe i binte bririt pareshtur.+ 14 Ditën e dytë marshuan një herë përqark qytetit e pas kësaj u kthyen në kamp. E bënë këtë për gjashtë ditë me radhë.+
15 Ditën e shtatë u çuan herët, me të zbardhur agimi, dhe marshuan në këtë mënyrë shtatë herë përqark qytetit. Vetëm atë ditë marshuan shtatë herë përqark qytetit.+ 16 Herën e shtatë priftërinjtë u ranë brirëve dhe Josiu i tha popullit: «Bërtitni,+ se Jehovai jua ka dhënë në dorë qytetin.+ 17 Qyteti duhet të shkatërrohet.+ Ai bashkë me gjithçka që është në të i përket Jehovait. Të lihet gjallë vetëm prostituta me emrin Rahaba+ dhe të gjithë ata që janë në shtëpi me të, sepse ajo i fshehu lajmëtarët që dërguam ne.+ 18 Kurse ju rrini larg asaj që është për t’u shkatërruar,+ se mos ju hipën dëshira+ e merrni ndonjë gjë të tillë+ dhe sillni shkatërrim mbi kampin e Izraelit, duke e futur në telashe.*+ 19 Tërë argjendi, ari dhe sendet prej bakri e prej hekuri janë gjëra të shenjta për Jehovain.+ Duhet të shkojnë në thesarin e Jehovait.»+
20 Kështu, kur u ranë brirëve, populli bërtiti.+ Sapo populli dëgjoi tingullin e bririt dhe filloi të lëshonte një britmë të madhe për luftë, muri zuri të rrafshohej.+ Pas kësaj, njerëzit mësynë drejt qytetit, gjithsekush përpara, dhe e morën. 21 Gjithçka kishte ky qytet, me burra, gra, të rinj e të moshuar, gjedhë, dhen e gomarë, ata i shfarosën duke i shkuar në teh të shpatës.+
22 Dy burrave që kishin vëzhguar vendin, Josiu u tha: «Shkoni në shtëpinë e asaj prostitutës dhe, siç iu betuat, nxirreni që andej tok me gjithë njerëzit e saj.»+ 23 Dhe ata që vëzhguan vendin, shkuan dhe nxorën Rahabën, të atin, të ëmën, vëllezërit dhe gjithë njerëzit e saj, po, nxorën tërë familjen e saj+ dhe e çuan jashtë kampit të Izraelit.
24 Pastaj i vunë zjarrin qytetit dhe dogjën gjithçka që kishte.+ Vetëm argjendin, arin dhe sendet prej bakri e prej hekuri i dorëzuan në thesarin e shtëpisë së Jehovait.+ 25 Prostitutën me emrin Rahaba, shtëpinë e të atit dhe tërë njerëzit e saj, Josiu i la gjallë.+ Ajo banon edhe sot e kësaj dite mes Izraelit,+ sepse fshehu lajmëtarët që dërgoi Josiu për të vëzhguar Jerikonë.+
26 Pikërisht në këtë kohë, Josiu zuri be: «Mallkuar qoftë para Jehovait ai njeri që ngrihet e ndërton qytetin e Jerikosë! Do t’ia hedhë themelet duke e paguar me jetën e të parëlindurit të tij dhe do t’ia vërë dyert duke e paguar me jetën e djalit të tij më të vogël!»+
27 Jehovai ishte me Josiun+ dhe fama e tij u përhap në mbarë tokën.+