Libri i dytë i Mbretërve
7 Tani, Eliseu tha: «Dëgjoni fjalën e Jehovait. Kështu thotë Jehovai: ‘Nesër në këtë kohë, te porta* e Samarisë, një sea* miell i bluar imët do të vlejë një sikël* dhe dy sea elb do të vlejnë po një sikël.’»+ 2 Atëherë adjutanti,* të cilit mbreti i besonte, i tha njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Edhe sikur Jehovai të hapë portat e qiejve, a mund të ndodhë vërtet kjo?»*+ Ai ia ktheu: «Ti do ta shohësh këtë me sytë e tu,+ por s’do të hash.»+
3 Në hyrje të portës së qytetit+ ndodheshin katër të lebrosur që i thoshin njëri-tjetrit: «Pse rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen? 4 Nëse hyjmë në qytet, ndërkohë që atje ka zi buke,+ do të vdesim atje. Edhe po të rrimë ulur këtu, do të vdesim, prandaj të hyjmë në kampin e sirianëve. Nëse na lënë gjallë, do të jetojmë, por edhe po na vranë, ne për të vdekur kemi.» 5 Atëherë u çuan në muzg të mbrëmjes për të hyrë në kampin e sirianëve. Kur arritën në rrethinat e kampit të sirianëve, atje nuk kishte njeri.
6 Në fakt, Jehovai kishte bërë që në kampin e sirianëve të dëgjohej zhurmë karrocash lufte dhe kuajsh, zhurma e një ushtrie të madhe,+ prandaj ata i kishin thënë njëri-tjetrit: «Ja, mbreti i Izraelit ka paguar mbretërit e hititëve dhe mbretërit e Egjiptit për të dalë kundër nesh!» 7 Menjëherë ishin ngritur e ia kishin mbathur në të ngrysur duke i lënë tendat, kuajt, gomarët, gjithë kampin siç ishte, dhe kishin ikur për të shpëtuar kokën.
8 Kur këta të lebrosur arritën në periferinë e kampit, hynë në një nga tendat dhe filluan të hanin e të pinin; morën nga ajo argjend, ar dhe rroba, pastaj ikën dhe i fshehën. Pas kësaj u kthyen dhe hynë në një tendë tjetër, morën edhe nga ajo gjëra dhe ikën e i fshehën.
9 Në fund i thanë njëri-tjetrit: «Kjo që po bëjmë nuk është e drejtë. Duhet t’ua themi edhe të tjerëve këtë lajm të mirë. Nëse ngurrojmë e presim deri në agim, e kemi hak dënimin, prandaj të shkojmë dhe të njoftojmë shtëpinë e mbretit.» 10 Kështu vajtën, u thirrën derëtarëve të qytetit dhe i njoftuan: «Ne shkuam në kampin e sirianëve, por atje s’kishte njeri; s’dëgjohej zë njeriu. Kishte vetëm kuaj e gomarë të lidhur, si dhe tendat që ishin lënë pa prekur.» 11 Pa vonesë, derëtarët raportuan në shtëpinë e mbretit.
12 Menjëherë mbreti u çua natën dhe u tha shërbëtorëve të tij: «Ua them unë çfarë kanë bërë sirianët. E dinë se jemi të uritur,+ prandaj kanë ikur nga kampi për t’u fshehur në fushë, duke thënë: ‘Ata do të dalin nga qyteti, dhe ne do t’i zëmë të gjallë e do të hyjmë në qytet.’»+ 13 Atëherë një nga shërbëtorët e tij tha: «Të lutem, cakto disa burra që të marrin pesë kuaj nga ata që kanë mbetur në qytet e t’i dërgojmë që të shohin. Për ta njësoj është: nëse kthehen, do të jenë si gjithë izraelitët që kanë mbetur, nëse jo, do të jenë njësoj si të gjithë ata që kanë vdekur.» 14 Kështu, ata burra morën dy karroca me kuaj e mbreti i dërgoi te kampi i sirianëve dhe u tha: «Shkoni e shihni.» 15 Këta ndoqën gjurmët e tyre deri në Jordan dhe gjithë rruga ishte plot me rroba e enë që sirianët i kishin flakur teksa ia mbathnin të frikësuar. Burrat u kthyen dhe i raportuan mbretit.
16 Atëherë populli doli dhe plaçkiti kampin e sirianëve. Kështu, një sea miell i bluar imët vlejti një sikël dhe dy sea elb vlejtën po një sikël, siç kishte thënë Jehovai.+ 17 Për të ruajtur portën, mbreti kishte caktuar adjutantin, të cilit i besonte, por populli e shkeli me këmbë dhe ai vdiq, ashtu si kishte thënë njeriu i Perëndisë së vërtetë kur mbreti shkoi tek ai. 18 Ndodhi siç i kishte thënë mbretit njeriu i Perëndisë së vërtetë: «Nesër në këtë kohë, te porta e Samarisë, dy sea elb do të vlejnë një sikël dhe një sea miell i bluar imët do të vlejë po një sikël.»+ 19 Por adjutanti i kishte thënë njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Edhe sikur Jehovai të hapë portat e qiejve, a mund të ndodhë vërtet kjo?»* Eliseu ia kishte kthyer: «Ti do ta shohësh këtë me sytë e tu, por s’do të hash.» 20 Atij i ndodhi pikërisht kështu, sepse populli e shkeli me këmbë te porta, dhe ai vdiq.