Miktam i Davidit.
16 Më mbro, o Perëndi, se te ti kam gjetur strehë!+
2 I thashë Jehovait: «O Jehova, ti je Burimi i mirësisë sime.
3 Ç’ma kënaqin shpirtin
gjithë të shenjtët mbi faqen e dheut,
po, gjithë të lavdishmit!»+
4 Veç dhembje do të kenë ata që rendin pas perëndive të tjera,+
por unë kurrë nuk do t’u blatoj pije me gjak siç bëjnë ata,
jo, kurrë nuk do t’ua zë emrat në gojë.+
5 Ti, o Jehova, je pjesa ime, shorti im,+ kupa ime;+
trashëgiminë time e ruan veç ti.
6 Ç’vende të këndshme më kanë rënë për pjesë!
Po, jam i kënaqur me trashëgiminë time.+
7 Unë do të lëvdoj Jehovain që më këshillon;+
edhe natën mendimet e mia më të thella më ndreqin.+
8 E mbaj Jehovain gjithnjë para syve.+
Ai është në të djathtën time, ndaj nuk do të lëkundem kurrë.+
9 Ja pse zemra më gëzon,
gjithë qenia ime ngazëllon
dhe i sigurt jetoj,
10 sepse ti nuk do të më lësh në Varr,+
nuk do të lejosh që besniku yt të shohë gropën.+
11 Ti më tregon shtegun e jetës;+
pranë teje mbushem me gëzim;+
në të djathtën tënde gjej përherë lumturi.