Ezekieli
30 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 2 «Bir njeriu, profetizo dhe thuaj: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova:
‘Ulërini: “Medet, erdhi dita!”,
3 sepse dita është afër, po, dita e Jehovait është afër.+
Ajo do të jetë një ditë plot re,+ një kohë e caktuar për kombet.+
4 Një shpatë do të vijë kundër Egjiptit
dhe, kur në të të bien të vrarë, kur t’ia marrin pasuritë e kur t’i shemben themelet,+
Etiopinë do ta mbërthejë paniku.
5 Etiopia,+ Puti,+ Ludi, tërë popujt e përzier,*
Kubi dhe bijtë e vendit që kanë hyrë në një besëlidhje,*
do të bien të gjithë të vdekur nga shpata.’
6 Kështu thotë Jehovai:
‘Edhe përkrahësit e Egjiptit do të bien;
arroganca e fuqia e tij do të marrin fund.+
Nga Migdoli+ deri në Sienë+ do të bien të vdekur nga shpata,—shpall Zotëria Sovran Jehova.—7 Ato do të bëhen vendet më të shkreta, dhe qytetet e Egjiptit do të jenë qytetet më të rrënuara.+ 8 Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai kur t’i vë zjarrin Egjiptit e kur aleatët e tij të shpartallohen. 9 Atë ditë do të dërgoj lajmëtarë me anije, që t’i futin dridhmat Etiopisë, e cila ka siguri të madhe te vetja; atë do ta mbërthejë paniku kur t’i vijë dita Egjiptit, sepse ajo ditë ka për të ardhur.’
10 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Do t’i jap fund hordhive* të Egjiptit me dorën e Nabukodonosorit,* mbretit të Babilonisë.+ 11 Ai dhe trupat e tij, më mizorët e kombeve,+ do të dërgohen për të shkatërruar vendin. Ata do të nxjerrin shpatat kundër Egjiptit dhe do ta mbushin vendin me të vrarë.+ 12 Unë do t’i kthej kanalet e Nilit+ në tokë të thatë dhe do t’ua shes vendin të ligjve. Vendin dhe gjithçka në të do ta shkretoj me anë të duarve të të huajve.+ Unë Jehovai kam folur.’
13 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do të shkatërroj edhe idhujt e pështirë* e do t’i shfaros perënditë e kota të Nofit.*+ Nuk do të ketë më princa* nga Egjipti, dhe unë do të shtie frikën në këtë vend.+ 14 Do ta shkretoj Patrosin,+ do t’i vë zjarrin Zoanit dhe do të ekzekutoj gjykimin mbi Nónë.*+ 15 Do ta derdh tërbimin tim mbi Sinin, fortesën e Egjiptit, dhe do ta shkatërroj popullin e Nosë. 16 Egjiptit do t’i vë zjarrin; Sinin do ta mbërthejë tmerri dhe Nosë do t’ia çajnë muret, kurse Nofin* do ta sulmojnë në mes të ditës. 17 Djemtë e Onit* dhe të Pibesetit do të bien të vdekur nga shpata dhe banorët e qyteteve do të shkojnë në robëri. 18 Tefnesi do të erret në mes të ditës kur të thyej atje zgjedhën e Egjiptit.+ Arroganca dhe fuqia e tij* do të marrin fund;+ atë do ta mbulojnë retë dhe banorët e fshatrave të tij do të shkojnë në robëri.+ 19 Unë do të ekzekutoj gjykimin tim mbi Egjiptin. Atëherë ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”»
20 Më pas, vitin e 11-të,* ditën e shtatë të muajit të parë, fjala e Jehovait m’u drejtua përsëri: 21 «Bir njeriu, unë ia kam thyer krahun faraonit, mbretit të Egjiptit; ai s’ka për ta lidhur me fasha që të shërohet e të forcohet sa të mbajë shpatën.
22 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, unë jam kundër faraonit, mbretit të Egjiptit;+ do t’ia thyej krahët, edhe të fortin, edhe krahun tashmë të thyer,+ dhe do t’ia rrëzoj shpatën nga dora.+ 23 Pastaj do t’i shpërndaj egjiptianët mes kombeve dhe do t’i hallakat sa andej këtej.+ 24 Unë do t’ia forcoj krahët* mbretit të Babilonisë+ dhe do t’i jap në dorë shpatën time.+ Kurse faraonit do t’ia thyej krahët, dhe ai do të rënkojë me zë të lartë para tij* sikur të ishte duke vdekur. 25 Unë do t’i forcoj krahët e mbretit të Babilonisë, kurse krahët e faraonit do të lëshohen. Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai kur t’ia jap në dorë shpatën time mbretit të Babilonisë, dhe ai ta vringëllojë kundër Egjiptit.+ 26 Do t’i shpërndaj egjiptianët mes kombeve dhe do t’i hallakat sa andej këtej.+ Atëherë ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’»