Ezekieli
41 Pastaj ai më çoi tek e Shenjta, në shenjtërore* dhe mati kolonat anësore; ato ishin 6 kute* të trasha në njërin krah dhe 6 kute në krahun tjetër. 2 Hyrja e saj ishte 10 kute e gjerë dhe muret anësore të* hyrjes ishin 5 kute të gjera në njërin krah e 5 kute në krahun tjetër. Kurse vetë e Shenjta ishte 40 kute e gjatë dhe 20 kute e gjerë.
3 Pastaj ai hyri brenda dhomës tjetër* dhe mati kolonën anësore të hyrjes, që ishte 2 kute e trashë, kurse muret anësore të hyrjes ishin nga* 7 kute të gjera; vetë hyrja ishte 6 kute e gjerë. 4 Më pas mati dhomën, e cila e kishte hyrjen përballë së Shenjtës; gjatësia ishte 20 kute dhe gjerësia 20 kute.+ Pastaj më tha: «Kjo është Më e Shenjta.»+
5 Pastaj mati murin e tempullit, dhe ai ishte 6 kute i trashë. Dhomat anësore rreth e qark tempullit ishin 4 kute të gjera.+ 6 Dhomat anësore ishin njëra mbi tjetrën dhe formonin tri kate me nga 30 dhoma secili. Rreth e qark murit të tempullit kishte pjesë të dala që shërbenin si mbështetëse për dhomat anësore, që trarët e tyre të mos futeshin në murin e tempullit.+ 7 Në të dyja anët e tempullit kishte një kalim gjarpërues* që vinte duke u zgjeruar ndërsa ngjitej në dhomat e sipërme.+ Gjerësia shtohej nga kati në kat, kur ngjiteshe nga kati i parë në të tretin duke kaluar nga i dyti.
8 Tempulli ndodhej mbi një platformë të ngritur rreth e qark tij. Themelet e dhomave anësore ishin sa një kallam i plotë, pra, 6 kute të larta. 9 Muri i jashtëm i dhomave anësore ishte 5 kute i trashë. Përgjatë këtij muri, ku ishin dhomat anësore të tempullit, kishte një pjesë të dalë.*
10 Largësia nga dhomat* e ngrënies+ deri te tempulli ishte 20 kute nga të dyja anët. 11 Midis dhomave anësore dhe pjesës së dalë në anën veriore, kishte një hyrje; edhe në anën jugore kishte një hyrje tjetër. Pjesa e dalë ishte 5 kute rreth e qark.
12 Ndërtesa që ndodhej në perëndim të shenjtërores, me hyrjen përballë hapësirës së lirë, ishte 70 kute e gjerë dhe 90 kute e gjatë; muri i ndërtesës ishte 5 kute i trashë rreth e qark.
13 Ai mati tempullin, dhe ai ishte 100 kute i gjatë; edhe hapësira e lirë bashkë me ndërtesën* dhe muret e saj ishin 100 kute të gjata. 14 Gjerësia e pjesës përpara tempullit, pra, në lindje, bashkë me hapësirat e lira në të dyja anët, ishte 100 kute.
15 Ai mati gjatësinë e ndërtesës që ndodhej në pjesën e pasme të shenjtërores, me hyrjen përballë hapësirës së lirë, bashkë me korridoret në të dyja anët, dhe ajo ishte 100 kute.
Gjithashtu, ai mati të Shenjtën, Më të Shenjtën+ dhe portikun përballë oborrit, 16 si edhe pragjet, dritaret që vinin duke u ngushtuar+ dhe korridoret që ndodheshin në këto tri zona. Afër pragut kishte panele druri+ nga dyshemeja deri te dritaret; dritaret ishin të veshura me dru. 17 Mati edhe pjesën sipër hyrjes, pjesën e brendshme dhe të jashtme të tempullit, si edhe gjithë murin rreth e qark. 18 Në tempull ishin gdhendur kerubinë+ e figura palmash;+ midis kerubinëve kishte një palmë, dhe çdo kerubin kishte dy fytyra. 19 Fytyra e njeriut ishte kthyer drejt njërës palmë, dhe fytyra e luanit* ishte kthyer drejt palmës tjetër;+ ata ishin gdhendur në këtë mënyrë në të gjithë tempullin. 20 Në murin e shenjtërores, nga dyshemeja deri sipër hyrjes, ishin gdhendur kerubinë dhe figura palmash.
21 Shtalkat* e shenjtërores ishin katrore.+ Përballë vendit të shenjtë* kishte diçka që i ngjante një altari, 22 një altari prej druri+ 3 kute të lartë dhe 2 kute të gjatë, i cili kishte katër mbështetëse nëpër qoshe; baza* dhe anët e tij ishin prej druri. Ai më tha: «Kjo është tryeza që qëndron para Jehovait.»+
23 E Shenjta dhe Më e Shenjta kishin secila nga një hyrje me dy dyer.+ 24 Dyert ishin me dy kanate në secilën anë, të cilat paloseshin. 25 Në dyert e shenjtërores ishin gdhendur kerubinë dhe figura palmash, siç kishte në mure.+ Në pjesën e përparme të portikut, jashtë tij, kishte edhe një strehë prej druri. 26 Përgjatë të dyja anëve të portikut, si edhe përgjatë dhomave anësore të tempullit dhe strehëve, kishte dritare që vinin duke u ngushtuar+ dhe figura palmash.