Levitiku
10 Më vonë, Nadabi dhe Abihu,+ djemtë e Aronit, morën secili mbajtësen e vet të zjarrit, vunë zjarr në to dhe hodhën mbi to temjan.+ Pastaj filluan të paraqitnin para Jehovait zjarr të paligjshëm,+ për të cilin ai nuk i kishte urdhëruar. 2 Menjëherë, nga prania e Jehovait doli një zjarr që i përpiu,+ e ata vdiqën para Jehovait.+ 3 Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Kështu thotë Jehovai: ‘Të gjithë ata që janë afër meje, të mos harrojnë se unë jam i shenjtë,+ dhe tërë populli duhet të më japë lavdi!’» Dhe Aroni heshti.
4 Kështu Moisiu thirri Mishaelin dhe Elzafanin, djemtë e Uzielit,+ xhaxhait të Aronit, dhe u tha: «Hajdeni këtu dhe hiqini vëllezërit tuaj që janë para vendit të shenjtë, dhe nxirrini jashtë kampit.» 5 Atëherë ata u afruan dhe i nxorën jashtë kampit burrat që ishin të veshur me veshjet e gjata, ashtu si tha Moisiu.
6 Pas kësaj Moisiu i tha Aronit dhe djemve që i kishin mbetur, Eleazarit e Ithamarit: «Mos i lini flokët të çrregullt e mos i shqyeni rrobat,+ që të mos vdisni e që Perëndia të mos indinjohet me tërë asamblenë. Vëllezërit tuaj nga mbarë shtëpia e Izraelit do të vajtojnë për ata që Jehovai i ka vrarë me zjarr. 7 Mos u largoni nga hyrja e tendës së takimit, përndryshe do të vdisni, sepse vaji i mirosjes i Jehovait është derdhur mbi ju.»+ Dhe ata bënë siç tha Moisiu.
8 Pastaj Jehovai i tha Aronit: 9 «Ti dhe djemtë e tu mos pini as verë dhe as pije të tjera alkoolike kur të hyni në tendën e takimit,+ që të mos vdisni. Ky do të jetë një ligj i përhershëm, brez pas brezi, 10 që të dalloni gjënë e shenjtë nga e përdhosura, dhe gjënë e pastër nga e papastra,+ 11 e që t’u mësoni izraelitëve tërë rregullat që u ka dhënë Jehovai me anë të Moisiut.»+
12 Pastaj Moisiu i tha Aronit dhe djemve që i kishin mbetur, Eleazarit e Ithamarit: «Merrni atë që mbeti nga blatimi në drithë, nga blatimet e bëra me zjarr për Jehovain, dhe bëni një bukë pa maja e hajeni afër altarit,+ sepse është një gjë shumë e shenjtë.+ 13 Duhet ta hani në një vend të shenjtë,+ sepse është racioni yt dhe racioni i djemve të tu nga blatimet që bëhen me zjarr për Jehovain, e faktikisht kështu m’u urdhërua. 14 Gjithashtu do të hani në një vend të pastër gjoksin e blatimit të tundur dhe këmbën e racionit të shenjtë,+ ti, djemtë e tu dhe vajzat e tua që janë me ty,+ sepse ato jepen si racioni yt e si racioni i djemve të tu nga flijimet në bashkësi të izraelitëve. 15 Ata do të sjellin këmbën e racionit të shenjtë dhe gjoksin e blatimit të tundur, bashkë me pjesët e dhjamura të blatimeve të bëra me zjarr, që të tunden nga njëra anë në tjetrën si blatim i tundur para Jehovait; ky do të jetë përgjithmonë racioni yt dhe i djemve të tu,+ siç ka urdhëruar Jehovai.»
16 Pastaj Moisiu pyeti ç’kishte ndodhur me cjapin e blatimit për mëkatin,+ dhe mori vesh se ai ishte djegur plotësisht. Prandaj u indinjua me Eleazarin dhe Ithamarin, djemtë që i kishin mbetur Aronit, dhe u tha: 17 «Pse nuk e hëngrët blatimin për mëkatin në vendin e shenjtë+ përderisa është një gjë shumë e shenjtë? Ai ua dha juve që të përgjigjeni për fajin e asamblesë dhe të bëni shlyerjen për të para Jehovait. 18 Shihni, gjaku i blatimit nuk është çuar brenda vendit të shenjtë.+ Ju duhej ta kishit ngrënë patjetër në vendin e shenjtë, siç kisha marrë urdhër.» 19 Atëherë Aroni i tha Moisiut: «Sot ata e paraqitën blatimin për mëkatin dhe blatimin e djegur para Jehovait,+ e ndërkohë më ndodhën edhe këto gjëra. Edhe po ta kisha ngrënë sot blatimin për mëkatin, a do të ishte kënaqur Jehovai me këtë?!» 20 Kur i dëgjoi këto, Moisiu ra dakord me të.