Sipas Gjonit
20 Ditën e parë të javës, Maria-Magdalena vajti te varri* herët,+ kur ishte akoma errësirë, dhe pa se gurin tashmë e kishin hequr nga varri.*+ 2 Prandaj vrapoi e shkoi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezui e kishte veçanërisht për zemër,+ dhe u tha: «Zotërinë e kanë hequr nga varri+ dhe nuk e dimë ku e kanë vënë.»
3 Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër u nisën për te varri. 4 Filluan të vraponin të dy bashkë, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri. 5 Kur u përkul pak përpara, pa copat e linosë përtokë,+ mirëpo nuk hyri brenda. 6 Pas tij erdhi edhe Simon Pjetri dhe hyri brenda varrit. Ai i pa copat e linosë përtokë, 7 kurse napa që kishte qenë në kokën e Jezuit, nuk ishte bashkë me copat e tjera, por e mbështjellë më vete. 8 Pastaj hyri edhe dishepulli tjetër që kishte arritur i pari te varri dhe, kur e pa me sytë e vet, e besoi atë që i kishin thënë. 9 Por ata nuk e kuptonin akoma shkrimin që thoshte se ai duhej të ngrihej nga të vdekurit.+ 10 Kështu dishepujt u kthyen në shtëpitë e tyre.
11 Kurse Maria rrinte jashtë, afër varrit, dhe qante. Ndërsa po qante, u përkul pak përpara për të parë brenda varrit 12 dhe vuri re dy engjëj+ të veshur me të bardha, të ulur në vendin ku më parë shtrihej trupi i Jezuit, njëri nga koka dhe tjetri nga këmbët. 13 Ata e pyetën: «Grua, pse po qan?» Ajo u përgjigj: «Kanë marrë Zotërinë tim dhe nuk e di ku e kanë vënë.» 14 Pasi tha këto fjalë, u kthye dhe pa Jezuin që po rrinte në këmbë, por nuk e dalloi që ishte ai.+ 15 Jezui e pyeti: «Grua, pse po qan? Kë po kërkon?» Duke menduar se ai ishte kopshtari, ajo i tha: «Zotëri, nëse e ke çuar diku, ma thuaj ku e ke vënë, e unë do ta marr.» 16 Jezui i tha: «Mari!» Ajo u kthye dhe i tha në hebraisht: «Rabóni!» (që do të thotë «Mësues!») 17 Jezui i tha: «Mos më shtrëngo më, se unë nuk kam shkuar ende lart tek Ati. Por shko te vëllezërit e mi+ dhe thuaju: ‘Unë po ngjitem tek Ati im+ dhe Ati juaj, te Perëndia im+ dhe Perëndia juaj.’» 18 Maria-Magdalena vajti dhe u çoi dishepujve lajmin: «Kam parë Zotërinë!», dhe u tregoi çfarë i kishte thënë ai.+
19 Atë ditë, që ishte dita e parë e javës, dishepujt u mblodhën bashkë në mbrëmje. Jezui iu shfaq atyre, edhe pse ata i kishin kyçur dyert nga frika e judenjve. Ai qëndroi mes tyre dhe u tha: «Paqja qoftë me ju!»+ 20 Pastaj u tregoi duart dhe brinjën.+ Kur panë Zotërinë, dishepujt s’i mbante vendi nga gëzimi.+ 21 Jezui u tha përsëri: «Paqja qoftë me ju!+ Ashtu si Ati më ka dërguar mua,+ edhe unë po ju dërgoj ju.»+ 22 Pastaj fryu mbi ta dhe u tha: «Merrni frymë të shenjtë.+ 23 Nëse ia falni mëkatet dikujt, ato i falen, dhe nëse nuk ia falni, ato nuk i falen.»
24 Por Thomai,+ një nga të Dymbëdhjetët që quhej Binjaku, nuk ishte me ta kur erdhi Jezui. 25 Prandaj, kur dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotërinë!», ai ua ktheu: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, të vë gishtin në shenjën e gozhdëve e të vë dorën në brinjë,+ nuk do ta besoj kurrë.»
26 Tetë ditë më pas, dishepujt e tij ishin mbledhur përsëri dhe bashkë me ta ishte edhe Thomai. Ndonëse dyert ishin të kyçura, Jezui erdhi, qëndroi mes tyre dhe tha: «Paqja qoftë me ju!»+ 27 Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin këtu e shihi duart e mia, zgjate dorën e vëre në brinjën time dhe mos dysho më,* por beso.» 28 Atëherë Thomai i tha: «Zotëria im dhe Perëndia im!» 29 Jezui ia ktheu: «Ngaqë më pe, besove? Lum ata që nuk shohin, e prapëseprapë besojnë!»
30 Jezui sigurisht kreu para dishepujve edhe shumë shenja* të tjera, që nuk janë shkruar në këtë rrotull.+ 31 Por këto janë shkruar që të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe, falë besimit, të keni jetë me anë të emrit të tij.*+