Zanafilla
23 Sara ishte 127 vjeçe kur vdiq.+ 2 Ajo vdiq në Kiriat-Arbë,+ domethënë në Hebron,+ në vendin e Kananit,+ dhe Abrahami filloi të mbante zi e ta vajtonte Sarën. 3 Pastaj u largua nga trupi i së ndjerës dhe u tha bijve të Hethit:+ 4 «Unë jam i ardhur dhe i shpërngulur mes jush.+ Më jepni një pronë për varre në vendin tuaj, që të varros të ndjerën.» 5 Atëherë bijtë e Hethit iu përgjigjën: 6 «Na dëgjo, zotëria ynë. Ti për ne je një prijës nga Perëndia.*+ Varrose të ndjerën në varret tona më të mira. Asnjë nga ne s’do të të pengojë që ta varrosësh të ndjerën në varret tona.»
7 Atëherë Abrahami u ngrit në këmbë, u përkul para vendësve, para bijve të Hethit,+ 8 dhe u tha: «Nëse jeni dakord që ta varros të ndjerën, më dëgjoni dhe lutjuni Efronit, birit të Zoharit, 9 të më shesë shpellën e Makpelahut, që e ka në pronësi dhe ndodhet në skaj të arës së tij. Të ma shesë në praninë tuaj, kundrejt pagesës së plotë në argjend,+ që të kem një pronë për varre.»+
10 Efroni po rrinte ulur mes bijve të Hethit. Kështu Efroni, hititi, iu përgjigj Abrahamit, ndërsa bijtë e Hethit po dëgjonin bashkë me të gjithë ata që hynin në portën e qytetit:+ 11 «Më dëgjo, imzot! Merre edhe arën, edhe shpellën që është në të. Po ta jap në prani të këtyre burrave të popullit tim, prandaj varrose të ndjerën.» 12 Me të dëgjuar këtë Abrahami u përkul para vendësve 13 dhe i tha Efronit ndërkohë që ata po dëgjonin: «Jo, më dëgjo, të lutem! Unë do të të paguaj me argjend aq sa vlen ara. Merri, që të varros të ndjerën atje.»
14 Atëherë Efroni iu përgjigj Abrahamit: 15 «Më dëgjo, imzot. Kjo tokë vlen 400 sikla* argjendi. Por çmimi s’ka rëndësi as për ty, as për mua, prandaj varrose të ndjerën.» 16 Abrahami ia vuri veshin Efronit dhe i peshoi sasinë e argjendit që i kishte thënë, ndërsa bijtë e Hethit dëgjonin; i dha 400 sikla* argjendi, sipas peshës që përdornin tregtarët.+ 17 Kështu ara e Efronit në Makpelah, përballë Mamresë, pra, ara, shpella që ndodhej në të, si edhe gjithë pemët brenda kufijve të saj, 18 u shpall pronë e Abrahamit, e blerë në prani të bijve të Hethit dhe të të gjithë atyre që hynin në portën e qytetit. 19 Pas kësaj Abrahami e varrosi Sarën, gruan e tij, në shpellën e arës së Makpelahut, përballë Mamresë, domethënë Hebronit, në vendin e Kananit. 20 Kështu, në prani të bijve të Hethit, ara dhe shpella që ndodhej atje, kaluan në pronësi të Abrahamit si pronë për varre.+