Zanafilla
11 Tani, gjithë toka fliste vetëm një gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.* 2 Ndërsa udhëtonin drejt lindjes, njerëzit zbuluan një rrafshinë në vendin e Shinarit+ dhe filluan të banonin atje. 3 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: «Oburra! Të bëjmë tulla e t’i pjekim në zjarr.» Kështu përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum si llaç. 4 Pastaj thanë: «Hajde! Të ndërtojmë një qytet për veten tonë, si edhe një kullë, maja e së cilës të prekë qiejt, dhe të bëhemi të famshëm, që të mos shpërndahemi në mbarë faqen e dheut.»+
5 Atëherë Jehovai zbriti për të parë qytetin dhe kullën që kishin ndërtuar bijtë e njerëzve. 6 Pastaj Jehovai tha: «Ata janë një popull i vetëm, flasin një gjuhë të vetme+ dhe ja çfarë kanë filluar të bëjnë. Tani, çdo gjë që do t’u vijë ndër mend, do ta arrijnë patjetër. 7 Eja, le të zbresim+ e t’ua ngatërrojmë gjuhën, që të mos e kuptojnë më njëri-tjetrin.» 8 Kështu Jehovai i shpërndau nga atje në mbarë faqen e dheut,+ dhe pak nga pak ata e ndërprenë ndërtimin e qytetit. 9 Ja pse u quajt Babel,*+ sepse atje Jehovai ngatërroi gjuhën e gjithë tokës; nga atje Jehovai i shpërndau në mbarë faqen e dheut.
10 Kjo është historia e Semit.+
Semi ishte 100 vjeç kur i lindi Arpakshadi,+ dy vjet pas Përmbytjes. 11 Pas lindjes së Arpakshadit, Semi jetoi edhe 500 vjet dhe i lindën bij e bija.+
12 Arpakshadi ishte 35 vjeç kur i lindi Shelahu.+ 13 Pas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi edhe 403 vjet dhe i lindën bij e bija.
14 Shelahu ishte 30 vjeç kur i lindi Eberi.+ 15 Pas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi edhe 403 vjet dhe i lindën bij e bija.
16 Eberi ishte 34 vjeç kur i lindi Pelegu.+ 17 Pas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi edhe 430 vjet dhe i lindën bij e bija.
18 Pelegu ishte 30 vjeç kur i lindi Reu.+ 19 Pas lindjes së Reut, Pelegu jetoi edhe 209 vjet dhe i lindën bij e bija.
20 Reu ishte 32 vjeç kur i lindi Serugu. 21 Pas lindjes së Serugut, Reu jetoi edhe 207 vjet dhe i lindën bij e bija.
22 Serugu ishte 30 vjeç kur i lindi Nahori. 23 Pas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi edhe 200 vjet dhe i lindën bij e bija.
24 Nahori ishte 29 vjeç kur i lindi Terahu.+ 25 Pas lindjes së Terahut, Nahori jetoi edhe 119 vjet dhe i lindën bij e bija.
26 Pasi kishte mbushur 70 vjeç, Terahut i lindi Abrami,+ Nahori+ dhe Harani.
27 Kjo është historia e Terahut.
Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani. Haranit i lindi Loti.+ 28 Harani vdiq në vendlindje, në Ur+ të kaldeasve,+ ndërsa ishte ende gjallë i ati, Terahu. 29 Abrami dhe Nahori u martuan; gruaja e Abramit quhej Saraja,+ ndërsa gruaja e Nahorit quhej Milka+ dhe ishte bijë e Haranit, i cili ishte i ati i Milkës dhe i Iskës. 30 Mirëpo Saraja ishte shterpë,+ nuk kishte fëmijë.
31 Pastaj Terahu mori me vete të birin, Abramin, nipin e tij,+ Lotin, pra birin e Haranit, dhe nusen e Abramit, Sarajën, e të gjithë këta dolën nga Uri i kaldeasve për të shkuar në vendin e Kananit.+ Me kalimin e kohës arritën në Haran+ dhe filluan të banonin atje. 32 Terahu jetoi 205 vjet, pastaj vdiq në Haran.