Sa i saktë është kalendari hebre?
SIPAS kalendarit hebre, të premten më 16 shtator 1993, ishte dita e festivalit të Rosh Hashanasë. Sipas traditës, shofari apo briri i dashit, i përdorur në vend të borisë, po binte për të lajmëruar ardhjen e vitit të ri. Është viti 5754 (sipas kalendarit hebre) dhe vazhdon nga 16 shtator 1993 deri në 5 shtator 1994.
Menjëherë, vëmë re se ekziston një ndryshim prej 3.760 vjetësh midis llogaritjes hebreje të kohës dhe kalendarit perëndimor apo gregorian, kalendar që tashmë është në përdorim të gjerë. Përse ekziston ky ndryshim? Sa i saktë është kalendari hebre?
Vendosja e pikënisjes
Çdo sistem për llogaritjen e kohës duhet të ketë një nisje specifike apo pikë referimi. Për shembull, i ashtuquajturi krishterim e llogarit kohën nga viti në të cilin mendohet të ketë lindur Jezui. Që atëherë, datat u quajtën si të epokës së krishterimit. Ato shpesh paraqiten nga simbolet A.D., nga latinishtja anno domini, që do të thotë «në vitin e Zotërisë». Datat përpara asaj periudhe shënohen P.K., «para Krishtit».a Në mënyrë të ngjashme, tradita kineze e llogarit kohën nga viti 2698 p.e.s., me fillimin e mbretërimit të Perandorit të Verdhë, legjendarit Huang-ti. Në këtë mënyrë, 10 shkurti i vitit 1994 shënon fillimin e vitit hënor kinez 4692. Por, çfarë mund të themi rreth kalendarit hebre?
Një enciklopedi deklaron: «Metoda e tanishme e përdorur midis hebrenjve për regjistrimin e datës së një ngjarjeje, është që të bëjë të njohur numrin e viteve që kanë kaluar që nga krijimi i botës.» (The Jewish Encyclopedia) Ky sistem i njohur midis hebrenjve si «epoka e krijimit», u përdor në masë të gjerë rreth shekullit të nëntë të e.s. Kështu, datave në kalendarin hebre u paraprin zakonisht shenja A.M. Ajo përdoret për anno mundi, që është forma e shkurtuar e ab creatione mundi (në latinisht), që do të thotë «nga krijimi i botës». Pasi viti në vazhdim është 5754 A.M., sipas këtij sistemi të llogaritjes së kohës, «krijimi i botës» konsiderohet sikur të ketë ndodhur 5.753 vjet më parë. Le të shohim se si u përcaktua ajo kohë.
«Epoka e krijimit»
Një enciklopedi jep këtë shpjegim: «Në llogaritjet e ndryshme rabinike ‘epoka e krijimit’ fillon në vjeshtën e njërit prej viteve midis 3762-shit dhe 3758-ës p.e.s. Megjithatë, prej shekullit të 12-të të e.s., u pranua se ‘epoka e krijimit’ filloi në vitin 3761 p.e.s. (për të qenë më të saktë, në 7 tetor të atij viti). Kjo llogaritje bazohet mbi sinkronizimin e elementëve kronologjikë të paraqitur në Bibël dhe llogaritjeve të gjetura në literaturën e hershme hebreje pasbiblike.»—Encyclopaedia Judaica (1971).
Sistemi i datimit nga «krijimi i botës», në thelb bazohet mbi interpretimet rabinike të tekstit të Biblës. Për shkak të besimit të tyre se bota dhe çdo gjë në të u krijuan në gjashtë ditë literale 24-orëshe, studiuesit rabinikë si edhe ata të të ashtuquajturit krishterim, pretendojnë se krijimi i njeriut të parë Adamit, ndodhi në të njëjtin vit me atë të krijimit të botës. Megjithatë, kjo nuk është aspak e saktë.
Kapitulli i parë i Zanafillës hapet me deklaratën: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Pastaj ai vazhdon të përshkruajë atë që bëri Perëndia në gjashtë «ditët» vijuese, për të transformuar tokën nga një masë «e paformë dhe e papërpunuar» në një banim të përshtatshëm për njerëzit. (Zanafilla 1:1, 2) Miliona vjet mund të kenë kaluar midis këtyre dy stadesh. Për më tepër, ditët e krijimit nuk ishin periudha 24 orëshe, sikur aktivitetet e Krijuesit të kishin një kufizim të tillë. Që një «ditë» në këtë kontekst mund të jetë më e gjatë se 24 orë, shënohet tek Zanafilla 2:4, e cila flet për të gjitha periudhat e krijimit si një «ditë». Me mijëra vite kaluan nga dita e parë e krijimit tek e gjashta, në të cilën u krijua Adami. Hipoteza e krijimit të Adamit në të njëjtën kohë me atë të krijimit të qiejve fizikë dhe të tokës, nuk bazohet as tek Shkrimet dhe as tek shkenca. Atëherë, si u përcaktua se «epoka e krijimit» filloi në vitin 3761 p.e.s.?
Bazat nga kronologjia
Mjerisht, shumica e literaturës hebreje në të cilën bazoheshin llogaritjet në fjalë, nuk ekziston më. Ajo që ka mbetur është origjinali i një vepre kronologjike, i quajtur Seder ‘Olam (rregulli i botës). Ajo i përket studiuesit talmudist të shekullit të dytë të e.s. Jose ben Halafta. Kjo vepër (e quajtur më vonë Seder ‘Olam Rabbah për t’u dalluar nga një kronikë mesjetare e titulluar Seder ‘Olam Zuta) paraqet një histori kronologjike që nga Adami deri tek revolta hebreje e shekullit të dytë të e.s., kundër Romës nën mesinë e rremë Bar Kokba. Si e siguroi shkrimtari një informacion të tillë?
Ndërsa Jose ben Halafta u përpoq të ndiqte tregimin biblik, ai shtoi interpretimin e tij personal, aty ku teksti nuk ishte i saktë për sa i përkiste datave në fjalë. «Në shumë raste, . . . ai i dha datat sipas traditës dhe përveç kësaj ndërfuti thëniet dhe halakot [traditat] e rabinëve të mëparshëm dhe të bashkëkohësve të tij»,—thotë The Jewish Encyclopedia. Të tjerët janë më pak të dashur në vlerësimin e tyre. Një libër pohon: «Ai llogaritet nga epoka e krijimit dhe si pasojë ia atribuon datat e ndryshme imagjinare ngjarjeve të ndryshme hebreje, që supozohej të kishin ndodhur që nga njeriu i parë, Adami, deri tek Aleksandri i Madh.» (The Book of Jewish Knowledge) Por, si ndikuan interpretime dhe gjëra të tilla të shtuara në saktësinë dhe autenticitetin e kronologjisë hebreje? Le të shohim.
Traditat dhe interpretimet
Në përputhje me traditën rabinike, Jose ben Halafta, llogariti se tempulli i dytë në Jeruzalem qëndroi për 420 vjet. Kjo bazohej në interpretimin rabinik të profecisë së Danielit mbi «shtatëdhjetë javë» apo 490 vjet. (Danieli 9:24) Kjo periudhë kohe iu aplikua intervalit midis shkatërrimit të tempullit të parë dhe rrënimit të të dytit. Duke hequr 70 vjetët e mërgimit në Babiloni, Jose ben Halafta arriti në përfundimin se tempulli i dytë qëndroi 420 vjet.
Megjithatë, ky interpretim ndesh në një problem serioz. Viti i përmbysjes së Babilonisë (539 p.e.s.) dhe ai i shkatërrimit të tempullit të dytë (70 i e.s.), janë data të njohura historike. Kështu, periudha e qëndrimit të tempullit të dytë duhet të ketë qenë 606 vjet dhe jo 420 vjet. Duke shënuar vetëm 420 vjetët e kësaj periudhe, kronologjia hebreje rezulton e gabuar me 180 vjet më pak.
Profecia e Danielit nuk ka të bëjë me faktin se sa gjatë duhej të qëndronte tempulli në Jeruzalem. Në vend të kësaj, ajo paratha kohën kur do të shfaqej Mesia. Profecia në mënyrë të qartë tregon se «që kur ka dalë urdhri të restaurohet dhe të rindërtohet Jeruzalemi deri te Mesia, princi, do të duhen shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë të tjera». (Danieli 9:25, 26) Edhe pse themelet e tempullit u vendosën në vitin e dytë të kthimit të hebrenjve nga mërgimi (viti 536 p.e.s.), «fjala» për të rindërtuar qytetin e Jeruzalemit nuk doli deri në «vitin e njëzetë të mbretit Artakserks». (Nehemia 2:1-8) Historia e saktë botërore vendosi vitin 455 p.e.s. si atë vit. Duke llogaritur në fillim 69 «javë», apo 483 vjet, arrijmë në vitin 29 të e.s. Kjo ishte koha e shfaqjes së Mesisë, me pagëzimin e Jezuit.b
Një tjetër pikë e interpretimit rabinik, që rezultoi në një mospërputhje të madhe në kronologjinë hebreje, ka të bëjë me kohën e lindjes së Abrahamit. Rabinët shtuan vitet e gjeneratave që erdhën më pas të shënuara tek Zanafilla 11:10-26 dhe përcaktuan periudhën nga përmbytja deri tek lindja e Abrahamit (Abramit) si 292 vjet. Megjithatë, problemi qëndron në interpretimin rabinik të vargut 26, i cili thotë: «Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani.» Duke u nisur nga kjo, tradita hebreje supozon se Terahu ishte 70 vjeç kur i lindi Abrahami. Megjithatë, vargu nuk thotë në mënyrë specifike se Terahu u bë babai i Abrahamit në moshën 70 vjeç. Në vend të kësaj, vargu thjesht thotë se ai u bë babai i tre djemve pas moshës 70 vjeç.
Për të gjetur moshën e saktë të Terahut kur i lindi Abrahami, duhet vetëm të lexojmë në tregimin e Biblës. Nga Zanafilla 11:32–12:4, mësojmë se pas vdekjes së Terahut, në moshën 205 vjeç, Abrahami dhe familja e tij e lanë Haranin sipas urdhrit të Jehovait. Në atë kohë Abrahami ishte 75 vjeç. Prandaj, Abrahami mund të ketë lindur kur Terahu ishte 130 vjeç dhe jo 70. Kështu, periudha nga përmbytja deri tek lindja e Abrahamit ishte 352 dhe jo 292 vjet. Këtu kronologjia hebreje gabon me 60 vjet.
Mbeturina fetare
Gabime dhe mospërputhje të tilla në Seder ‘Olam Rabbah dhe në veprat e tjera kronologjike talmudiste, kanë shkaktuar shumë shqetësim dhe një diskutim mjaft të madh midis studiuesve hebrenj. Megjithëse janë bërë përpjekje të shumta për ta pajtuar këtë kronologji me faktet e njohura historike, nuk ka patur sukses plotë. Pse jo? «Interesi i tyre nuk ishte kaq akademik sa fetar»,—vë në dukje Encyclopaedia Judaica.—Tradita duhej përkrahur me çdo kusht, veçanërisht përballë sektarëve të papajtueshëm.» Në vend se të eliminonin konfuzionin e shkaktuar nga traditat e tyre, disa studiues hebrenj u përpoqën të diskretitonin tregimet e Biblës. Të tjerë u përpoqën të mbështeteshin në traditat dhe legjendat babilonase, egjiptiane dhe hinduse.
Si rrjedhim, historianët nuk e panë më «epokën e krijimit» si një pjesë të besueshme të veprës kronologjike. Pak studiues hebrenj u përpoqën që ta mbronin atë dhe madje veprat e përmendura me autoritet, të tilla si Jewish Encyclopedia dhe Encyclopaedia Judaica japin një gjykim kryesisht negativ mbi të. Në këtë mënyrë, metoda tradicionale hebreje e llogaritjes së kohës nga krijimi i botës, nuk mund të konsiderohet e saktë nga pikëpamja e kronologjisë biblike, që është tabela profetike e marshit të Perëndisë Jehova që shpaloset në mënyrë progresive.
[Shënimet]
a Provat biblike dhe ato historike, dëshmojnë për lindjen e Krishtit në vitin 2 P.K. Prandaj, për të qenë më të saktë, shumë preferojnë të përdorin shkurtimet e.s (erës sonë) dhe p.e.s (para erës sonë) dhe kjo është mënyra në të cilën shënohen datat në botimet e Shoqatës Watch Tower.
b Për hollësi shiko Insight in the Scriptures, Volumi 2, faqet 614-616, 900-902, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract Society of New York (angl.).