Ligji i përtërirë
19 Kur Jehovai, Perëndia yt, të shfarosë kombet, vendin e të cilave Jehovai, Perëndia yt, po ta jep ty, dhe ti t’ua marrësh pronat e të banosh në qytetet e në shtëpitë e tyre,+ 2 veço tri qytete në mes të vendit që Jehovai, Perëndia yt, po të jep si pronë.+ 3 Ndaje në tri pjesë territorin e vendit që të dha Jehovai, Perëndia yt, dhe përgatit rrugë, e kështu ai që i shkakton vdekjen dikujt mund të ikë me të shpejtë në njërin nga këto qytete.
4 Ja në cilin rast mund të shkojë për të jetuar në një nga këto qytete ai që i shkakton vdekjen dikujt: kur godet pa dashje dikë, pa e urryer më parë,+ 5 si për shembull, kur shkon në pyll me një tjetër për të prerë dru, ngre sëpatën për të prerë pemën, por koka e sëpatës del nga bishti, godet tjetrin dhe ai vdes. Atëherë ai që i shkaktoi vdekjen tjetrit, të ikë me të shpejtë në njërin nga këto qytete, që të jetojë.+ 6 Përndryshe, në kulmin e zemërimit,* gjakmarrësi+ mund ta ndjekë këmba-këmbës, ta zërë e ta vrasë atë që i shkaktoi vdekjen tjetrit, ngaqë qyteti ishte shumë larg. Mirëpo ai nuk e meritonte të vdiste, se nuk e urrente tjetrin më parë.+ 7 Prandaj po të urdhëroj: ‘Veço tri qytete.’
8 Nëse Jehovai, Perëndia yt, e zgjeron territorin tënd siç iu betua paraardhësve të tu+ dhe të jep tërë vendin që ua premtoi atyre+ 9 —me kusht që t’i zbatosh me besnikëri tërë këto urdhërime që po të jap sot, pra, të duash Jehovain, Perëndinë tënd, e të ecësh përherë në udhët e tij+—atëherë këtyre tri qyteteve shtoju edhe tri të tjera.+ 10 Kështu nuk do të derdhet gjak i pafajshëm+ në vendin që po të jep si trashëgimi Jehovai, Perëndia yt, dhe ti nuk do të mbash faj gjaku.+
11 Por nëse një njeri urren dikë,+ i zë pritë që ta sulmojë, e plagos për vdekje dhe ky vdes, e pastaj ikën me të shpejtë në njërin nga këto qytete, 12 atëherë pleqtë e qytetit të tij duhet të dërgojnë njerëz për ta marrë që andej, duhet ta dorëzojnë në duart e gjakmarrësit dhe ai duhet të vdesë.+ 13 Të mos i dhimbset syrit tënd. Hiqe nga Izraeli fajin e gjakut të pafajshëm,+ që të të vejë mbarë.
14 Kur të marrësh trashëgiminë tënde në vendin që po të jep si pronë Jehovai, Perëndia yt, mos e shty shenjën e kufirit të pronës së fqinjit+ nga vendi që kanë vendosur paraardhësit.
15 Një dëshmitar i vetëm nuk mjafton për të shpallur fajtor* dikë për ndonjë faj a mëkat që mund të kryejë.+ Çështja duhet të vendoset nga dëshmia* e dy ose tre dëshmitarëve.+ 16 Nëse një dëshmitar dashakeqës ngre padi dhe dëshmon kundër dikujt për ndonjë shkelje,*+ 17 këta të dy që kanë mosmarrëveshjen duhet të qëndrojnë para Jehovait, para priftërinjve dhe gjykatësve që do të jenë në detyrë.+ 18 Gjykatësit do ta hetojnë imtësisht çështjen,+ e nëse ai që dha dëshmi është dëshmitar i rremë dhe ka ngritur padi të rreme kundër të vëllait, 19 duhet t’i bësh atë që ai vetë kishte kurdisur kundër të vëllait.+ Hiqe të keqen nga mesi yt.+ 20 Me ta dëgjuar këtë, të tjerët do të kenë frikë dhe nuk do të bëjnë më kurrë një të keqe si kjo mes popullit tënd.+ 21 Syrit tënd të mos i dhimbset:+ do të jepet jetë për jetë,* sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë e këmbë për këmbë.+