Gjykatësit
4 Por, pasi vdiq Ehudi, izraelitët bënë përsëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait.+ 2 Atëherë Jehovai i shiti në duart e Jabinit, mbretit të Kananit,+ që mbretëronte në Hazor. Kreu i ushtrisë së tij ishte Sisera, i cili banonte në Haroshetin+ e Kombeve.* 3 Izraelitët i thirrën Jehovait për ndihmë,+ sepse Jabini* i kishte shtypur me ashpërsi izraelitët+ për 20 vjet dhe kishte 900 karroca lufte me kosa të hekurta.*+
4 Në atë kohë, Izraelin e gjykonte profetesha Debora,+ gruaja e Lapidotit. 5 Ajo rrinte ulur nën palmën e Deborës midis Ramahut+ dhe Bethelit,+ në rajonin malor të Efraimit, dhe izraelitët ngjiteshin tek ajo për të ditur gjykimet e Perëndisë. 6 Tani, Debora dërgoi të thërritnin Barakun,+ birin e Abinoamit nga Kedesh-Neftali,+ dhe i tha: «A nuk urdhëroi Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Shko e marsho* në malin Tabor dhe merr me vete 10.000 burra nga Neftali e nga Zabuloni. 7 Unë do të ta sjell Siserën, kreun e ushtrisë së Jabinit, bashkë me karrocat e tij të luftës e me trupat e tij+ në përroin* e Kishonit e do ta dorëzoj në duart e tua.’»+
8 Atëherë Baraku i tha asaj: «Nëse vjen me mua, do të shkoj, por nëse s’vjen ti, s’do të shkoj as unë.» 9 Ajo ia ktheu: «Do të vij pa diskutim. Sidoqoftë, fushata ushtarake që do të bësh, s’ka për të të sjellë lavdi, sepse Jehovai do ta japë Siserën në duart e një gruaje.»+ Pastaj Debora u ngrit dhe shkoi me Barakun në Kedesh.+ 10 Atje Baraku thirri Zabulonin dhe Neftalin,+ e 10.000 burra e ndoqën hap pas hapi. Edhe Debora shkoi bashkë me të.
11 Vlen të përmendet se Heberi, që ishte kenit,+ ishte ndarë nga kenitët, pasardhësit e Hobabit, vjehrrit të Moisiut.+ Ai e kishte ngritur tendën pranë pemës së madhe në Zananim që ndodhet pranë Kedeshit.
12 Siserën e njoftuan se Baraku, biri i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor.+ 13 Menjëherë Sisera mblodhi tërë karrocat e tij, 900 karroca lufte me kosa të hekurta* dhe tërë trupat ushtarake që ishin me të, për të shkuar nga Harosheti i Kombeve deri në përroin* e Kishonit.+ 14 Tani Debora i tha Barakut: «Ngrihu, sepse kjo është dita kur Jehovai do të ta japë në dorë Siserën. A nuk po të prin vetë Jehovai?» Kështu Baraku zbriti nga mali Tabor me 10.000 burra që e ndiqnin. 15 Atëherë Jehovai e bëri rrëmujë Siserën me tërë karrocat e luftës dhe ushtrinë e tij,+ të cilët ranë të vdekur me anë të shpatës së Barakut. Në fund, Sisera zbriti nga karroca dhe ia mbathi më këmbë. 16 Baraku i ndoqi karrocat e luftës dhe ushtrinë deri në Haroshetin e Kombeve, prandaj tërë ushtria e Siserës u vra me shpatë. Nuk mbeti as edhe një.+
17 Por Sisera ia mbathi më këmbë drejt tendës së Jaelës,+ gruas së Heberit,+ që ishte kenit, sepse mes Jabinit,+ mbretit të Hazorit, dhe shtëpisë së Heberit kishte paqe. 18 Atëherë Jaela doli për të takuar Siserën dhe i tha: «Hyni, imzot, hyni këtu. Mos kini frikë.» Kështu ai hyri në tendën e saj dhe ajo e mbuloi me një batanije. 19 Pastaj ai i tha: «Të lutem, më jep të pi pak ujë se kam etje.» Atëherë ajo hapi një kacek me qumësht, i dha të pinte+ e më pas e mbuloi përsëri. 20 Ai i tha: «Rri në hyrje të tendës dhe, nëse vjen dikush e të pyet: ‘A ka njeri këtu?’, thuaji: ‘Jo!’»
21 Por Jaela, gruaja e Heberit, mori në dorë një kunj tende dhe një çekan. Ndërsa ai bënte një gjumë të rëndë ngaqë ishte i sfilitur, iu afrua vjedhurazi, ia nguli kunjin në tëmtha derisa e futi në tokë, dhe ai vdiq.+
22 Teksa ndiqte Siserën, Baraku kaloi andej dhe Jaela doli ta takonte e i tha: «Eja të të tregoj njeriun që po kërkon.» Ai hyri brenda tendës bashkë me të, dhe pa Siserën të vdekur me kunjin të ngulur në tëmtha.
23 Kështu atë ditë, Perëndia e mposhti Jabinin, mbretin e Kananit, para izraelitëve.+ 24 Dora e izraelitëve u bë gjithnjë e më e rëndë kundër Jabinit,*+ derisa e shfarosën.+