Sipas Gjonit
21 Pas kësaj Jezui iu shfaq përsëri dishepujve në detin e Tiberiadës në këtë mënyrë: 2 Simon Pjetri, Thomai (që quhej Binjaku),+ Natanaeli+ nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut+ dhe dy dishepuj të tjerë ishin bashkë. 3 Simon Pjetri u tha: «Unë po shkoj të peshkoj.» Ata ia kthyen: «Po vijmë edhe ne me ty.» Kështu dolën dhe hipën në varkë, por atë natë nuk kapën gjë.+
4 Kur po zbardhte dita, Jezui po qëndronte në breg, por dishepujt nuk e dalluan që ishte ai.+ 5 Atëherë Jezui i pyeti: «Fëmijë të vegjël, mos keni ndonjë gjë* për të ngrënë?» Ata iu përgjigjën: «Jo!» 6 Ai u tha: «Hidheni rrjetën në të djathtë të varkës e do të gjeni.» Kështu ata e hodhën, por pastaj nuk po e mblidhnin dot, aq shumë peshq kishte.+ 7 Atëherë dishepulli që Jezui kishte veçanërisht për zemër,+ i tha Pjetrit: «Është Zotëria!» Kur dëgjoi se ishte Zotëria, Simon Pjetri veshi* mantelin e vet, ngaqë ishte i zhveshur,* dhe u hodh në det. 8 Kurse dishepujt e tjerë vajtën me varkën e vogël, duke tërhequr rrjetën plot me peshq, sepse nuk ishin larg nga toka, vetëm nja 90 metra.*
9 Kur mbërritën në breg, panë një zjarr me qymyr dhe, mbi të, peshq e bukë. 10 Jezui u tha: «Sillni ca nga peshqit që sapo zutë.» 11 Atëherë Simon Pjetri hipi në varkë dhe e tërhoqi në breg rrjetën plot me peshq, 153 peshq të mëdhenj. Por, ndonëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u ça. 12 Jezui u tha: «Ejani të hani mëngjesin.» Asnjëri nga dishepujt nuk kishte guxim ta pyeste: «Kush je?», sepse e dinin që ishte Zotëria. 13 Jezui u afrua, mori bukën e ua dha; u dha edhe peshq. 14 Kjo ishte hera e tretë+ që Jezui iu shfaq dishepujve pasi ishte ngritur nga të vdekurit.
15 Pasi hëngrën mëngjesin, Jezui e pyeti Simon Pjetrin: «Simon, bir i Gjonit, a më do mua më shumë se këta?» Ai iu përgjigj: «Po, Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.» Ai i tha: «Ushqeji qengjat e mi.»+ 16 Pastaj e pyeti për herë të dytë: «Simon, bir i Gjonit, a më do mua?» Ai iu përgjigj: «Po, Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.» Ai i tha: «Kulloti delet e mia të vogla.»+ 17 Pastaj e pyeti për herë të tretë: «Simon, bir i Gjonit, a më ke për zemër?» Pjetri u trishtua që ai i tha për herë të tretë: «A më ke për zemër?» Prandaj iu përgjigj: «Zotëri, s’ka gjë që ti s’e di; ti e di që unë të kam për zemër.» Jezui i tha: «Ushqeji delet e mia të vogla.+ 18 Me të vërtetë po të them: kur ti ishe më i ri, visheshe vetë e shkoje ku të doje, por kur të plakesh, do të shtrish krahët dhe një tjetër do të të veshë e do të të çojë atje ku ti nuk do.» 19 Këtë e tha për të treguar me ç’lloj vdekjeje Pjetri do t’i jepte lavdi Perëndisë. Pasi tha këtë, ai shtoi: «Vazhdo të më ndjekësh.»+
20 Pjetri u kthye dhe pa që po i ndiqte dishepulli që Jezui kishte veçanërisht për zemër,+ ai që gjatë darkës ishte mbështetur në kraharorin e Jezuit dhe e kishte pyetur: «Zotëri, kush po të tradhton?» 21 Kur e vuri re atë, Pjetri e pyeti Jezuin: «Zotëri, po me atë, ç’do të bëhet?» 22 Jezui iu përgjigj: «Nëse është vullneti im që ai të qëndrojë këtu derisa të vij unë, ti pse shqetësohesh? Ti vazhdo të më ndjekësh.» 23 Prandaj mes vëllezërve dolën fjalë se ai dishepull nuk do të vdiste. Megjithatë, Jezui nuk i tha se nuk do të vdiste, por: «Nëse është vullneti im që ai të qëndrojë këtu derisa të vij unë, ti pse shqetësohesh?»
24 Ky është dishepulli+ që jep dëshmi e që i shkroi këto gjëra, dhe ne e dimë që dëshmia e tij është e vërtetë.
25 Në fakt, Jezui bëri edhe shumë gjëra të tjera, që po të shkruheshin një për një, ma ha mendja se as bota vetë nuk do t’i mbante rrotullat e shkruara.+