Veprat e Apostujve
26 Agripa+ i tha Pavlit: «Të lejohet të flasësh në mbrojtje të vetes.» Atëherë Pavli shtriu dorën dhe tha:
2 «Për gjithçka që më akuzojnë judenjtë,+ e quaj veten të lumtur që sot duhet ta bëj mbrojtjen time para teje, o mbret Agripa, 3 sidomos sepse ti i njeh mirë të gjitha zakonet dhe polemikat midis judenjve. Prandaj, të lutem të më dëgjosh me durim.
4 Faktikisht, se ç’jetë bëra që nga rinia mes popullit* tim dhe në Jerusalem e dinë mirë të gjithë judenjtë+ 5 që më njohin prej kohësh dhe, nëse duan, mund të dëshmojnë se jetova si farise,+ sipas sektit më të rreptë të fesë sonë.+ 6 Megjithatë, tani jam thirrur në gjyq, sepse shpresoj te premtimi që Perëndia u bëri paraardhësve tanë;+ 7 i njëjti premtim që 12 fiset tona shpresojnë të përmbushet, duke i bërë me zjarr shërbim të shenjtë Perëndisë ditë e natë. Për këtë shpresë, o mbret, akuzohem nga judenjtë.+
8 Pse ju duket* e pabesueshme që Perëndia ngre të vdekurit?! 9 Edhe unë dikur isha i bindur se duhej t’i kundërvihesha me çdo mënyrë emrit të Jezuit, nazareasit, 10 dhe pikërisht këtë bëra në Jerusalem. Futa në burgje shumë të shenjtë+ me autoritetin që më jepnin krerët e priftërinjve;+ e hidhja votën për të miratuar ekzekutimin e tyre. 11 I ndëshkova shumë herë në të gjitha sinagogat, që t’i detyroja të hiqnin dorë. E meqë isha tej mase i tërbuar kundër tyre, shkova deri aty sa i përndoqa edhe në qytetet e tjera.
12 Gjatë këtyre përpjekjeve, ndërsa shkoja në Damask me autoritetin dhe autorizimin e krerëve të priftërinjve, 13 në kohën e drekës, o mbret, rreth meje dhe rreth atyre që ishin me mua, pashë të vetëtinte në rrugë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se drita e diellit.+ 14 Të gjithë ramë përtokë, dhe unë dëgjova një zë të më thoshte në gjuhën hebraike: ‘Saul, Saul, pse po më përndjek? Nëse u gjuan vazhdimisht me shqelm hostenëve,* do të dëmtosh veten.’ 15 Por unë e pyeta: ‘Kush je ti, Zotëri?’ Dhe Zotëria më tha: ‘Jam Jezui, të cilin ti po e përndjek. 16 Megjithatë çohu dhe qëndro në këmbë, sepse t’u shfaqa që të të zgjedh si shërbëtor e dëshmitar, si për ato që ke parë, edhe për ato që do të të bëj të shohësh lidhur me mua.+ 17 Unë do të të shpëtoj nga ky popull dhe nga kombet ku po të dërgoj+ 18 që t’u hapësh sytë,+ t’i kthesh nga errësira+ në dritë+ dhe nga autoriteti i Satanait+ te Perëndia, që, falë besimit tek unë, t’u falen mëkatet+ dhe të marrin një trashëgimi midis të shenjtëve.’
19 Prandaj, o mbret Agripa, nuk u tregova i pabindur ndaj mesazhit që mora nga ky vegim* qiellor, 20 por ua çova lajmin se duhej të pendoheshin e të ktheheshin te Perëndia me vepra të denja për pendim,+ në fillim atyre në Damask,+ e më pas atyre në Jerusalem,+ si edhe mbarë Judesë e kombeve. 21 Ja pse judenjtë më kapën në tempull dhe u përpoqën të më vritnin.+ 22 Por falë ndihmës që mora nga Perëndia, vazhdoj deri më sot t’u jap dëshmi si njerëzve të thjeshtë, edhe të mëdhenjve, e nuk them asgjë tjetër veç atyre që Profetët dhe Moisiu shpallën se do të ndodhnin,+ 23 pra, se Krishti do të vuante+ dhe, si i pari që do të ringjallej nga të vdekurit,+ do t’i predikonte e do t’i sillte dritë edhe këtij populli, edhe kombeve.»+
24 Tani, ndërsa Pavli po fliste në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Po luan mendsh, Pavël! Mësimet e shumta po të bëjnë të luash mendsh!» 25 Por Pavli iu përgjigj: «Nuk po luaj mendsh, Shkëlqesia juaj Fest, por po them të vërtetën me mendje të shëndoshë. 26 Sigurisht, mbreti, të cilit po i flas pa druajtje, i njeh mirë këto gjëra, sepse jam i bindur se asnjëra prej tyre nuk i ka shpëtuar pa marrë vesh, pasi asgjë nuk është bërë fshehurazi.+ 27 A i beson Profetët, ti, o mbret Agripa? Unë e di se i beson.» 28 Agripa ia ktheu Pavlit: «Brenda pak kohe do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë.» 29 Atëherë, Pavli vazhdoi: «I lutem Perëndisë që herët a vonë, jo vetëm ti, por të gjithë ata që më dëgjojnë sot, të bëhen si unë, me përjashtim të këtyre vargonjve.»
30 Më pas, mbreti u ngrit dhe po ashtu edhe guvernatori, Bernika e njerëzit që ishin ulur me ta. 31 Por, ndërsa largoheshin, i thoshin njëri-tjetrit: «Ky njeri s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen a vargonjtë.»+ 32 Agripa i tha Festit: «Po të mos i ishte apeluar Cezarit, ky njeri do të ishte liruar.»+