Ezekieli
7 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 2 «Bir njeriu, kështu i thotë Zotëria Sovran Jehova vendit të Izraelit: ‘Ja fundi! Erdhi fundi në të katër anët e vendit. 3 Tani të erdhi fundi! Unë do të shfryj zemërimin tim mbi ty, do të të gjykoj sipas udhëve që ke ndjekur dhe do të të kërkoj llogari për tërë veprimet e neveritshme. 4 Syrit tim nuk do t’i vijë keq për ty dhe nuk do të më dhimbsesh fare.+ Përkundrazi, do të sjell mbi ty tërë të këqijat e udhëve të tua, dhe ti do të vuash pasojat e veprimeve të tua të neveritshme.+ Ju keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’+
5 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja! Një e keqe e madhe, një e keqe e paparë po vjen!+ 6 Po të vjen fundi! Fundi do të vijë e do të ngrihet* kundër teje! Ja ku po vjen. 7 Të erdhi radha,* o banor i vendit! Të erdhi koha, dita është afër.+ Në male ka rrëmujë e jo britma gëzimi.
8 Pas pak mbi ty do të derdh tërbimin tim+ dhe do ta shfryj deri në fund zemërimin.+ Do të të gjykoj sipas udhëve që ke ndjekur dhe do të të kërkoj llogari për tërë veprimet e neveritshme. 9 Syrit tim nuk do t’i vijë keq dhe nuk do të më dhimbsesh fare.+ Do të sjell mbi ty të këqijat e udhëve që ke ndjekur, dhe ti do të vuash pasojat e veprimeve të tua të neveritshme. Ju keni për ta marrë vesh se unë, Jehovai, po ju godas.*+
10 Ja dita! Ja, po vjen!+ Të erdhi radha!* Shkopi ka lulëzuar! Arroganca* ka çelur! 11 Dhuna është bërë shkop për të ndëshkuar ligësinë.+ As ti, as pasuria, as turmat dhe as fama jote nuk do të mbijetojnë. 12 Do të vijë koha! Do të vijë dita! Ai që blen, të mos gëzojë, ai që shet, të mos vajtojë, sepse zemërimi im i furishëm po vjen kundër të gjithëve.*+ 13 Ai që shet, nuk do të kthehet më tek ajo që shiti edhe nëse i kursehet jeta, pasi vegimi* është kundër të gjithëve. Asnjë nuk do të kthehet dhe, për shkak të fajit të vet,* askush nuk do ta shpëtojë jetën e vet.
14 I bien trumbetës+ dhe të gjithë bëhen gati, por askush nuk shkon në betejë, sepse zemërimi im i furishëm po vjen kundër të gjithëve.+ 15 Jashtë është shpata,+ brenda zia e bukës dhe murtaja. Kush është në arë, do të bjerë i vdekur nga shpata dhe kush është në qytet, do të gllabërohet nga zia e bukës dhe murtaja.+ 16 Ata që arrijnë të shpëtojnë, do të shkojnë në male dhe, si pëllumbat e luginave, do të vajtojnë secili për shkak të fajit të vet.+ 17 Të gjithë do t’i lëshojë zemra,* tërë gjunjët do të pikojnë.*+ 18 Me copë thesi*+ do të vishen e të dridhurat do t’i pushtojnë. Të gjithë do të turpërohen e do t’i rruajnë kokat.*+
19 Do ta hedhin argjendin nëpër rrugë dhe ari i tyre do të bëhet i neveritshëm. As argjendi dhe as ari i tyre nuk do t’i çlirojë dot ditën e zemërimit të furishëm të Jehovait.+ Nuk do të ngopen e nuk do ta mbushin barkun, sepse ato* u bënë gur pengese që i bëri me faj. 20 Krenoheshin me bukurinë e stolive të tyre dhe me to* bënë shëmbëlltyrat e neveritshme dhe idhujt e pështirë.+ Ja pse do t’ua kthej arin dhe argjendin në një gjë të neveritshme. 21 Unë do t’ua jap ato* si plaçkë të huajve dhe të ligjve të tokës, të cilët do t’i përdhosin.
22 Do t’i largoj sytë prej tyre+ dhe vendi im i çmuar* do të përdhoset; atje do të hyjnë hajdutët e do ta përdhosin.+
23 Bëj gati zinxhirin,*+ sepse vendi është plot me vendime gjyqësore të përgjakura+ dhe qyteti është plot dhunë.+ 24 Unë do të sjell njerëzit më të këqij të kombeve,+ që do t’ua zaptojnë shtëpitë;+ do t’i jap fund krenarisë së të fortëve dhe shenjtëroret e tyre do të përdhosen.+ 25 Kur t’i pushtojë ankthi, do të kërkojnë paqe, por nuk do të kenë.+ 26 Do t’u bien të zeza pas të zezash dhe do të vijnë lajme të këqija njëri pas tjetrit. Njerëzit do t’i kërkojnë më kot vegime ndonjë profeti,+ dhe ligji* i priftërinjve e këshillat* e pleqve s’do të ekzistojnë më.+ 27 Mbreti do të mbajë zi,+ prijësit do t’i pushtojë dëshpërimi dhe popullit do t’i dridhen duart nga tmerri. Unë do t’i trajtoj sipas udhëve që kanë ndjekur dhe do t’i gjykoj siç i gjykuan ata të tjerët. Ata kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’»+