Danieli
10 Vitin e tretë të Kirit,+ mbretit të Persisë, Danielit, që e quanin Belteshazar,+ iu dha një zbulesë hyjnore. Mesazhi ishte i vërtetë e kishte të bënte me një luftë të madhe, dhe Danieli e kuptoi mesazhin e atë që kishte parë.
2 Në ato ditë, unë, Danieli, kisha mbajtur zi+ plot tri javë. 3 Nuk hëngra ushqime të zgjedhura, nuk vura në gojë as mish, as verë dhe nuk u leva fare me vaj për tri javë plot. 4 Ditën e 24-t të muajit të parë, kur gjendesha buzë lumit të madh, Tigrit,*+ 5 ngrita sytë dhe pashë një burrë me veshje linoje,+ që në mes kishte një rrip ari nga Ufazi. 6 Trupin e kishte si krizolit,+ fytyrën si vetëtimë, sytë si pishtarë të zjarrtë, krahët e këmbët si bakër i lustruar,+ kurse tingulli i fjalëve të tij ishte si zhurma e një turme. 7 Vetëm unë, Danieli, e pashë vegimin;* njerëzit që ishin me mua, nuk e panë.+ Prapëseprapë i zuri një frikë aq e madhe, sa ia mbathën për t’u fshehur.
8 Kështu mbeta vetëm unë dhe, kur pashë këtë vegim madhështor, s’më mbeti pikë fuqie, u preva në fytyrë e fuqitë m’u shterën krejt.+ 9 Më pas dëgjova zërin e atij që fliste, por, kur e dëgjova të fliste, rashë në gjumë të thellë me fytyrë përtokë.+ 10 Pastaj ai më preku me dorë+ e më tundi, që të ngrihesha mbi duar e mbi gjunjë. 11 Atëherë ai më tha:
«O Daniel, njeri shumë i vyer,*+ kushtoju vëmendje fjalëve që do të të them. Tani ngrihu në këmbë aty ku je, sepse më kanë dërguar te ti.»
Kur më tha këto fjalë, u çova ndërsa dridhesha i tëri.
12 Atëherë më tha: «Mos ki frikë,+ Daniel! Fjalët e tua u dëgjuan që ditën e parë që kërkove me gjithë zemër t’i kuptoje këto gjëra e të përuleshe para Perëndisë, prandaj erdha për shkak të fjalëve të tua.+ 13 Mirëpo princi+ i mbretërisë së Persisë m’u kundërvu për 21 ditë. Por, pas kësaj, Mikaeli,*+ një nga princat më të rëndësishëm,* erdhi të më ndihmonte; unë mbeta atje, pranë mbretërve të Persisë. 14 Kam ardhur që të të ndihmoj të kuptosh ç’do të ndodhë me popullin tënd në ditët e fundit,+ sepse ka ende një vegim për ditët që do të vijnë.»+
15 Kur më tha këto, ula kokën dhe mbeta pa fjalë. 16 Pastaj dikush që ngjante me një njeri, më preku buzët,+ dhe unë hapa gojën e i thashë atij që qëndronte përballë meje: «Imzot, po dridhem nga vegimi që pashë e s’kam pikë fuqie.+ 17 Prandaj, imzot, si mund të flasë shërbëtori yt me ty?+ Se nuk kam pikë fuqie dhe po më merret fryma.»+
18 Ai që ngjante me një njeri, më preku përsëri e më dha forcë.+ 19 Pastaj tha: «Mos ki frikë,+ o njeri shumë i vyer!*+ Paqja qoftë me ty!+ Ji i fortë, po, ji i fortë!» Ndërsa më fliste, mora forcë dhe i thashë: «Le të flasë zotëria im, sepse më ke dhënë forcë.»
20 Atëherë më tha: «E di pse erdha te ti? Tani do të kthehem të luftoj me princin e Persisë.+ Kur të largohem, do të vijë princi i Greqisë. 21 Megjithatë do të të tregoj gjërat e dokumentuara në librin e së vërtetës. Nuk ka asnjë që të më mbështetë fortësisht në këto gjëra, përveç Mikaelit,+ princit tuaj.+