Libri biblik numër 27—Danieli
Shkrimtari: Danieli
Vendi ku u shkrua: Babiloni
Shkrimi përfundoi: rr. 536 p.e.s.
Periudha përkatëse: 618 p.e.s.–rr. 536 p.e.s.
1. Ç’lloj historie përmban libri i Danielit dhe çfarë thekson ai?
SOT, kur të gjitha kombet e tokës janë buzë shkatërrimit, libri i Danielit na e drejton vëmendjen te disa mesazhe profetike me domethënie të rëndësishme. Ndërsa librat biblikë të Samuelit, të Mbretërve dhe të Kronikave bazohen në dokumentime të dëshmitarëve okularë të historisë së mbretërisë tipike të Perëndisë (dinastisë së Davidit), Danieli përqendrohet te kombet e botës, dhe jep vegime paraprake të luftës për pushtet mes dinastive të mëdha që nga koha e Danielit e deri në «kohën e fundit». Është histori botërore e shkruar pa ndodhur akoma. Ajo shkon drejt një kulmi tërheqës, që tregon se ç’do të ndodhë «në ditët e fundit». Ashtu si Nabukodonosori, kombet kanë për ta marrë vesh me pahir se «Më i Larti është sundimtar në mbretërinë e njerëzve», dhe se më në fund ai ia jep atë dikujt që është «si një bir njeriu», Mesisë dhe Udhëheqësit, Krishtit Jezu. (Dan. 12:4; 10:14; 4:25; 7:13, 14; 9:25; Gjoni 3:13-16) Duke u kushtuar vëmendje të kujdesshme përmbushjeve profetike të librit të frymëzuar të Danielit, do të kuptojmë më plotësisht fuqinë që ka Jehovai për të profetizuar dhe sigurinë që jep ai për të mbrojtur e për të bekuar popullin e vet.—2 Pjet. 1:19.
2. Nga se vërtetohet që Danieli ishte një person real dhe gjatë cilës periudhë plot ngjarje profetizoi ai?
2 Libri mban emrin e shkrimtarit. «Daniel» (hebraisht, Danijéʼl) do të thotë «Gjykatësi im është Perëndia». Ezekieli, që jetoi në të njëjtën periudhë kohore, vërteton faktin se Danieli ishte një person real duke e përmendur atë bashkë me Noenë dhe Jobin. (Ezek. 14:14, 20; 28:3) Vetë Danieli e daton fillimin e librit të tij me «vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit, mbretit të Judës». Ky ishte viti 618 p.e.s., viti i tretë i Jehojakimit si mbret haraçpagues ndaj Nabukodonosorit.a Vegimet profetike të Danielit vazhduan deri vitin e tretë të Kirit, rreth 536 p.e.s. (Dan. 1:1; 2:1; 10:1, 4) Ç’vite plot ngjarje përjetoi Danieli! Vitet e para të jetës i kaloi në mbretërinë e Perëndisë në Judë. Më pas, kur ishte një princ adoleshent, bashkë me shokët e tij nga fisnikëria judaike, u çua në Babiloni, ku përjetoi ngritjen dhe rënien e asaj fuqie të tretë botërore në historinë biblike. Danieli mbijetoi dhe shërbeu si zyrtar qeveritar edhe gjatë fuqisë së katërt botërore, Medo-Persisë. Danieli mund të ketë jetuar pothuajse deri në moshën 100-vjeçare.
3. Ç’prova kemi që libri i Danielit është autentik dhe pjesë e kanunit biblik?
3 Libri i Danielit është përfshirë gjithnjë në katalogun judaik të Shkrimeve të frymëzuara. Pjesë nga libri i Danielit janë gjetur mes librave të tjerë kanunorë në Rrotullat e Detit të Vdekur, disa prej të cilave datojnë nga gjysma e parë e shekullit të parë p.e.s. Por, një provë edhe më e rëndësishme e autenticitetit të librit, janë referimet në Shkrimet e Krishtere Greke. Jezui e përmend në mënyrë specifike Danielin në profecinë e tij të «përfundimit të sistemit», ku citon disa herë nga libri.—Mat 24:3; shih edhe Dan. 9:27; 11:31; dhe 12:11—Mat. 24:15 dhe Mar. 13:14; Dan. 12:1—Mat. 24:21; Dan. 7:13, 14—Mat. 24:30.
4, 5. Si i ka hedhur poshtë arkeologjia thëniet e kritikëve të Biblës për Danielin?
4 Megjithëse kritikët e Biblës e kanë vënë në pikëpyetje vërtetësinë historike të librit të Danielit, gjetjet arkeologjike, të bëra gjatë viteve, i kanë hedhur poshtë plotësisht thëniet e tyre. Për shembull, këta kritikë kanë shpërfillur pohimin e Danielit se Belshazari ishte mbret i Babilonisë, në një kohë kur mendohej se sundimtar ishte Nabonidi. (Dan. 5:1) Tanimë, arkeologjia ka përcaktuar përtej çdo dyshimi që Belshazari ishte një person real dhe bashkëregjent me Nabonidin në vitet e fundit të Perandorisë Babilonase. Për shembull, një tekst i lashtë kuneiform, i quajtur «Tregimi në vargje i Nabonidit», pohon qartësisht se Belshazari ushtronte autoritet mbretëror në Babiloni dhe shpjegon mënyrën se si ai u bë bashkësundimtar me Nabonidin.b Dëshmi të tjera kuneiforme mbështetin idenë se Belshazari ushtronte funksione mbretërore. Një pllakë që daton nga viti i 12-të i Nabonidit, përmban një betim të bërë në emër të mbretit Nabonid, dhe të Belshazarit, birit të mbretit, dhe kjo tregon se Belshazari i përkiste të njëjtit rang si i ati.c Edhe kjo është mjaft interesante, sepse shpjegon përse Belshazari i ofroi Danielit të bëhej «sundimtari i tretë në mbretëri», në rast se interpretonte shkrimin me dorë në mur. Nabonidi konsiderohej i pari, Belshazari i dyti, dhe për Danielin do të lajmërohej se ishte sundimtari i tretë. (5:16, 29) Një studiues thotë: «Referimet që i bëhen Belshazarit në tekstet kuneiforme kanë hedhur aq shumë dritë mbi rolin e tij, saqë vendi i tij në histori tanimë është mjaft i qartë. Ka shumë tekste që tregojnë se Belshazari ishte pothuajse i barabartë me Nabonidin për nga pozita dhe prestigji. Sundimi i përbashkët gjatë pjesës më të madhe të mbretërisë së fundit neobabilonase është tashmë një fakt i vërtetuar. Nabonidi ushtronte autoritet suprem nga oborri i tij në Tema të Arabisë, kurse Belshazari vepronte si bashkëregjent në atdhe, ku Babilonia ishte qendra e pushtetit të tij. Është e qartë se Belshazari nuk ishte nënmbret i parëndësishëm; atij i ishte dhënë ‘autoritet mbretëror’.»d
5 Disa janë përpjekur ta diskreditojnë tregimin e Danielit për furrën e zjarrtë (kap. 3), duke thënë se është një sajim legjendash. Një letër e epokës së vjetër babilonase, pjesërisht thotë: «Kështu thotë Rîm-Sin, zotëria yt: Meqë ai e hodhi djaloshin skllav në furrë, ti duhet ta hedhësh skllavin në furrë.» Në mënyrë interesante, duke iu referuar kësaj letre, Xh. R. Drajvër thotë se ky lloj ndëshkimi «shfaqet në tregimin e Tre Shenjtorëve (Dan. III 3:6, 15, 19-27).»e
6. Cilat janë dy pjesët që përbëjnë librin e Danielit?
6 Judenjtë nuk e renditnin librin e Danielit mes Profetëve, por e përfshinin te Shkrimet. Nga ana tjetër, Biblat në shqip ndjekin rendin kanunor të Septuagintës greke dhe të Vulgatës latine, duke e vendosur Danielin midis profetëve të mëdhenj e të vegjël. Faktikisht, libri ka dy pjesë. Pjesa e parë, kapitujt 1 deri 6, jep në radhë kronologjike përvojat e Danielit e të shokëve të tij gjatë shërbimit qeveritar, nga viti 617 p.e.s. deri në vitin 538 p.e.s. (Dan. 1:1, 21) Pjesa e dytë, që përfshin kapitujt 7 deri 12, është shkruar në vetën e parë nga vetë Danieli si tregimtar, dhe përshkruan vegimet dhe bashkëbisedimet me engjëjt që ai vetë pati, përafërsisht nga viti 553 p.e.s.f deri në vitin 536 p.e.s. (7:2, 28; 8:2; 9:2; 12:5, 7, 8) Të dyja pjesët së bashku përbëjnë një libër të vetëm të harmonishëm, librin e Danielit.
PËRMBAJTJA E DANIELIT
7. Si ndodh që Danieli dhe shokët e tij hyjnë në shërbimin qeveritar në Babiloni?
7 Përgatitja për shërbime shtetërore (1:1-21). Në vitin 617 p.e.s., Danieli mbërrin në Babiloni bashkë me robërit judenj. Mbërrijnë edhe pajisjet e shenjta të tempullit të Jerusalemit, të cilat vendosen në shtëpinë e thesarit të një perëndie pagane. Danieli dhe tre shokët e tij hebrenj janë mes atyre të rinjve judenj nga dera mbretërore që zgjidhen për një kurs stërvitjeje trevjeçar në pallatin e mbretit. Danieli është i vendosur në zemër të mos ndotet me ushqimet e zgjedhura dhe me verën e mbretit pagan, prandaj propozon një provë dhjetëditore, gjatë së cilës ata do të hanë vetëm perime. Prova jep rezultate të mira për Danielin dhe shokët e tij, dhe Perëndia u jep njohuri e mençuri. Nabukodonosori i emëron të katërt që të shërbejnë në prani të tij si këshilltarë. Vargu i fundit i kapitullit të parë, që mund të jetë shtuar shumë kohë pas shkrimit të pjesës së mësipërme, tregon se Danieli vazhdonte të shërbente në oborrin mbretëror pothuajse 80 vjet pas vajtjes në mërgim, që i bie të jetë rreth vitit 538 p.e.s.
8. Ç’ëndërr dhe ç’interpretim i zbulon Perëndia Danielit dhe si e shpreh çmueshmërinë Nabukodonosori?
8 Ëndrra me shëmbëlltyrën e tmerrshme (2:1-49). Vitin e dytë të mbretërimit (me sa duket duke e llogaritur që nga shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 607 p.e.s.) Nabukodonosorin e trazon një ëndërr. Priftërinjtë e tij që merren me magji, nuk janë të zotë t’ia zbulojnë ëndrrën dhe interpretimin e saj. Ai u premton dhurata të mëdha, por ata ankohen e thonë se askush, përveç perëndive, s’mund t’ia tregojë mbretit ato gjëra që kërkon. Mbreti tërbohet dhe jep urdhër që të mençurit të vriten. Meqë në këtë dekret përfshihen edhe katër hebrenjtë, Danieli kërkon t’i lihet kohë për të zbuluar ëndrrën. Danieli dhe shokët e tij i luten Jehovait për drejtim. Jehovai i zbulon Danielit ëndrrën dhe interpretimin e saj, prandaj ai shkon para mbretit dhe i thotë: «Ka një Perëndi në qiej që është Zbulues i të fshehtave dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor se çfarë do të ndodhë në ditët e fundit.» (2:28) Danieli përshkruan ëndrrën. Ka të bëjë me një shëmbëlltyrë tejet të madhe. Koka e shëmbëlltyrës është prej ari, gjoksi dhe krahët prej argjendi, barku dhe kofshët prej bakri, kërcinjtë prej hekuri, kurse këmbët janë pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile. Një gur e godet shëmbëlltyrën dhe e thërrmon, kurse vetë guri bëhet një mal i madh që mbush tërë tokën. Ç’do të thotë kjo? Danieli thotë se mbreti i Babilonisë është koka prej ari. Pas mbretërisë së tij do të vijë një e dytë, një e tretë dhe një e katërt. Së fundi, «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. . . . Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» (2:44) Me mirënjohje dhe çmueshmëri, mbreti lavdëron Perëndinë e Danielit si «Perëndi i perëndive», kurse Danielin e bën «sundimtar mbi gjithë provincën e Babilonisë e kryeprefekt të të gjithë burrave të mençur të Babilonisë». Tre shokët e Danielit emërohen administratorë në mbretëri.—2:47, 48.
9. Ç’rezultat sjell qëndrimi i guximshëm i tre hebrenjve kundër adhurimit të shëmbëlltyrës?
9 Tre hebrenjtë mbijetojnë në furrën e zjarrtë (3:1-30). Nabukodonosori ngre një shëmbëlltyrë të madhe prej ari, 60 kute (27 m) të lartë, dhe u jep urdhër qeveritarëve të perandorisë që të mblidhen për përurimin e saj. Kur të dëgjojnë tingullin e një muzike të veçantë, të gjithë duhet të bien përmbys e të adhurojnë shëmbëlltyrën. Kushdo që nuk vepron kështu, do të hidhet në furrën me zjarr përvëlues. Hapet fjala se tre shokët e Danielit, Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja, nuk janë bindur. Prandaj i sjellin para mbretit të tërbuar, ku ata dëshmojnë plot guxim: «Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë. . . . Nuk do ta adhurojmë shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur.» (3:17, 18) Fare i xhindosur, mbreti jep urdhër që ta nxehin furrën shtatë herë më shumë se zakonisht dhe që t’i lidhin hebrenjtë e t’i hedhin brenda. Teksa zbatojnë këtë urdhër, flakët e zjarrit djegin burrat që do t’i ekzekutonin. Nabukodonosorin e zë frika. Ç’është ajo që po sheh në furrë? Katër burra po ecin në mes të zjarrit pa u dëmtuar, kurse «i katërti përngjan nga pamja me një bir perëndish». (3:25) Mbreti u thërret tre hebrenjve që të dalin nga zjarri. Ata dalin, aspak të përcëlluar, madje as nuk mbajnë erë të djegur! Falë qëndrimit të tyre të guximshëm në anën e adhurimit të vërtetë, Nabukodonosori shpall lirinë e adhurimit për judenjtë anembanë perandorisë.
10. Ç’ëndërr të tmerrshme në lidhje me ‘shtatë kohët’ pa Nabukodonosori dhe si doli e vërtetë ajo?
10 Ëndrra e ‘shtatë kohëve’ (4:1-37). Kjo ëndërr është përfshirë në tregim si një kopje që Danieli i ka bërë një dokumenti shtetëror babilonas. E shkroi Nabukodonosori pasi ishte përulur. Fillimisht Nabukodonosori pranon madhështinë dhe mbretërinë e Perëndisë Më të Lartë. Pastaj, tregon një ëndërr të tmerrshme dhe se si doli e vërtetë për të. Ai pa një pemë që shkoi deri në qiell dhe siguronte strehë e ushqim për çdo mish. Një vrojtues thirri: ‘Priteni pemën. Lidheni kërcurin e saj me hekur dhe bakër. Le të kalojnë shtatë kohë, që ta dinë se Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve dhe se vendos mbi të edhe më të përvuajturin e njerëzve.’ (4:14-17) Danieli e interpretoi ëndrrën dhe tha se pema përfaqësonte Nabukodonosorin. Menjëherë më pas tregohet plotësimi i kësaj ëndrre profetike. Ndërkohë që shprehte krenarinë e tij të madhe, mbreti u çmend dhe jetoi shtatë vjet si kafshët e fushës. Pas kësaj kohe, atij i erdhi mendja dhe pranoi epërsinë e Jehovait.
11. Gjatë cilës shthurje Belshazari sheh shkrimin fatal, si e interpreton Danieli dhe si përmbushet?
11 Gostia e Belshazarit: interpretohet shkrimi (5:1-31). Është nata fatale e 5 tetorit 539 p.e.s. Mbreti Belshazar, biri i Nabonidit, si bashkëregjent në Babiloni, shtron një gosti të madhe për një mijë nga fisnikët e tij. Nën ndikimin e verës, mbreti urdhëron të sjellin enët e shenjta prej ari e argjendi që kishin marrë nga tempulli i Jerusalemit, dhe, në shthurje e sipër, Belshazari dhe të ftuarit e tij pinë me to dhe lëvdojnë perënditë e veta pagane. Në çast, shfaqet një dorë që shkruan në mur një mesazh të fshehtë. Mbreti tmerrohet. Burrat e mençur nuk janë në gjendje ta interpretojnë shkrimin. Më në fund sjellin Danielin. Mbreti i premton se do ta bëjë të tretin në mbretëri nëse mund ta lexojë e ta interpretojë shkrimin, por Danieli i thotë t’i mbajë për vete dhuratat. Pastaj, vazhdon të tregojë shkrimin dhe domethënien e tij: «MÉNE, MÉNE, TÉKEL dhe PÁRSIN. . . . Perëndia i ka numëruar ditët e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund asaj. . . . Ti je peshuar në kandar dhe ke dalë mangët. . . . Mbretëria jote është ndarë dhe u është dhënë medëve dhe persëve.» (5:25-28) Po atë natë, Belshazarin e vrasin dhe Dari, medi, merr mbretërinë.
12. Si dështon komploti kundër Danielit dhe çfarë dekreti nxjerr më pas Dari?
12 Danieli në gropën e luanëve (6:1-28). Zyrtarët e lartë të qeverisë së Darit komplotojnë kundër Danielit dhe e bindin mbretin të miratojë një ligj, sipas të cilit për 30 ditë është e ndaluar t’i drejtohen lutje kujtdo perëndie apo njeriu, përveç mbretit. Kushdo që nuk bindet, do të hidhet në gropën e luanëve. Danieli nuk pranon t’i bindet këtij ligji që bie ndesh me adhurimin e tij, dhe i lutet Jehovait. Prandaj, e hedhin në gropën e luanëve. Në mënyrë të mrekullueshme, engjëlli i Jehovait ua mbyll gojën luanëve dhe të nesërmen në mëngjes mbreti Dar gëzohet që e gjen Danielin shëndoshë e mirë. Tani, armiqtë u hidhen si ushqim luanëve, kurse mbreti nxjerr një dekret që i urdhëron njerëzit t’i frikësohen Perëndisë së Danielit, pasi «ai është Perëndia i gjallë». (6:26) Danielit i ecën mbarë në shërbimin qeveritar deri në mbretërimin e Kirit.
13. Ç’vegim sheh Danieli në ëndërr në lidhje me katër bisha dhe sundimin e Mbretërisë?
13 Vegimet e bishave (7:1–8:27). Kthehemi në «vitin e parë të Belshazarit», mbretërimi i të cilit me sa duket filloi në vitin 553 p.e.s. Tani vetë Danieli sheh një ëndërr, të cilën e shkruan në aramaisht.g Ai sheh katër bisha të stërmëdha e të frikshme, që shfaqen me radhë. Bisha e katërt ishte jashtëzakonisht e fortë dhe një bri i vogël del e ngrihet kundër brirëve të saj të tjerë, ‘duke folur gjëra të mëdha’. (7:8) Pastaj shfaqet i Lashti i Ditëve që ulet në fronin e tij. «Një mijë mijëra» i shërbejnë. Përpara tij vjen ‘dikush si një bir njeriu’, të cilit ‘i jepet sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbejnë gjithë popujt, kombet dhe gjuhët’. (7:10, 13, 14) Danielit i jepet interpretimi i vegimit të katër bishave. Ato përfaqësojnë katër mbretër, ose mbretëri. Mes dhjetë brirëve të bishës së katërt del një bri i vogël. Ai bëhet i madh dhe bën luftë kundër të shenjtëve. Megjithatë, Trupi Gjykues qiellor ndërhyn për t’i dhënë ‘mbretërinë, sundimin dhe madhështinë e mbretërive nën të gjithë qiejt . . popullit që janë të shenjtët e Tejet të Lartit’.—7:27.
14. Ç’vegim sheh Danieli në lidhje me një cjap dhe një dash me dy brirë? Si e shpjegon Gabrieli vegimin?
14 Dy vjet më vonë, shumë kohë para rënies së Babilonisë, Danieli sheh një vegim tjetër, të cilin e shkruan në hebraisht. Një cjap që ka mes syve një bri që spikat, lufton kundër një dashi me dy brirë dhe e mund. Briri i madh i cjapit thyhet dhe dalin katër brirë më të vegjël. Nga njëri prej tyre del një bri i vogël që bëhet i madh, aq sa sfidon ushtrinë e qiejve. Ka për të kaluar një periudhë prej 2.300 ditësh derisa vendi i shenjtë të kthehet «në gjendjen e duhur». (8:14) Gabrieli i shpjegon vegimin Danielit. Dashi përfaqëson mbretërit e Medisë e të Persisë. Cjapi është mbreti i Greqisë, mbretëria e të cilit do të ndahet në katër pjesë. Më vonë, një mbret me fytyrë të egër do të ngrihet «kundër Princit të princave». Meqë «duhet të kalojnë ende shumë ditë» derisa të plotësohet vegimi, tani për tani Danieli duhet ta mbajë të fshehtë.—8:25, 26.
15. Ç’e shtyn Danielin t’i lutet Jehovait dhe çfarë i thotë Gabrieli në lidhje me ‘shtatëdhjetë javët’?
15 Profetizohet Mesia, Udhëheqësi (9:1-27). «Vitin e parë të Darit . . . të medëve» Danieli është duke shqyrtuar profecinë e Jeremisë. Kur kupton se shkretimit 70-vjeçar të parathënë të Jerusalemit po i afrohet fundit, Danieli i lutet Jehovait dhe rrëfen mëkatet e veta dhe ato të Izraelit. (Dan. 9:1-4; Jer. 29:10) Gabrieli shfaqet për t’i thënë se janë caktuar «shtatëdhjetë javë . . . për t’i dhënë fund shkeljes, për të zhdukur fare mëkatin, për të shlyer fajin». Mesia, Udhëheqësi, do të vijë në fund të 69 javëve, pas të cilave ai do të vritet. Besëlidhja do të mbahet në fuqi për shumë veta, deri në fund të javës së 70-të dhe në fund do të ketë shkretim derisa të marrë fund.—Dan. 9:24-27.
16. Në cilat rrethana një engjëll i shfaqet përsëri Danielit?
16 Veriu kundër jugut, ngrihet Mikaeli (10:1–12:13). Jemi në «vitin e tretë të Kirit», pra rreth vitit 536 p.e.s., jo shumë kohë pas kthimit të judenjve në Jerusalem. Pas një agjërimi trejavor, Danieli gjendet buzë lumit Hidekel. (Dan. 10:1, 4; Zan. 2:14) Një engjëll i shfaqet dhe i shpjegon se ‘princi i Persisë’ iu kundërvu për të mos e lejuar të vinte te Danieli, por «Mikaeli, një nga princat e parë» e ndihmoi. Tani ai i tregon Danielit një vegim për «ditët e fundit».—Dan. 10:13, 14.
17. Ç’histori profetike për mbretin e veriut dhe mbretin e jugut shkruan tani Danieli?
17 Në fillim, ky vegim rrëqethës flet për dinastinë e Persisë dhe për një luftë të ardhme me Greqinë. Një mbret i fuqishëm do të ngrihet me një sundim me shtrirje të gjerë, por mbretëria e tij do të thyhet në katër pjesë. Përfundimisht, do të ngelen dy linja të gjata mbretërore, mbreti i jugut kundër mbretit të veriut. Lufta për pushtet do të shpërthejë sa nga njëra anë në tjetrën. Këta mbretër të këqinj e të pakorrigjueshëm do të vazhdojnë të thonë gënjeshtra në të njëjtën tryezë. «Në kohën e caktuar», lufta do të ndizet rishtas. Shenjtërorja e Perëndisë do të përdhoset dhe ‘gjëja e neveritshme që shkakton shkretim’ do të vihet në vend. (11:29-31) Mbreti i veriut do të flasë gjëra të habitshme kundër Perëndisë së perëndive dhe do t’i japë lavdi perëndisë së fortesave. «Në kohën e fundit», kur mbreti i jugut dhe mbreti i veriut do të shtyjnë njëri-tjetrin, mbreti i veriut do të vërshojë nëpër vende të ndryshme dhe do të hyjë edhe «në vendin e Stolisë». I turbulluar nga lajmet që vijnë nga lindja dhe veriu, ai do të dalë me tërbim dhe do të ngulë «tendat e tij si një pallat ndërmjet detit të madh dhe malit të shenjtë të Stolisë». Kështu «do të shkojë drejt fundit të tij dhe s’do të ketë asnjë që ta ndihmojë».—11:40, 41, 45.
18. Ç’gjëra ndodhin gjatë kohës që Mikaeli qëndron ‘përkrah bijve të popullit të Perëndisë’?
18 Vegimi madhështor vazhdon: Mikaeli qëndron ‘përkrah bijve të popullit të Perëndisë’. Do të jetë «një kohë me ankthe», e paparë në historinë e njerëzimit, por ata që gjenden të shkruar në libër, do të shpëtojnë. Shumë veta që flenë në pluhurin e tokës, do të ngrihen për të marrë jetën e përhershme, dhe «ata që kanë gjykim të thellë, do të ndriçojnë si hapësira qiellore». Ata do të çojnë shumë veta në drejtësi. Danieli duhet ta vulosë librin «deri në kohën e fundit». «Sa kohë do të kalojë derisa të përmbushen këto gjëra të mrekullueshme?» Engjëlli flet për periudha kohe prej tri kohë e gjysmë, 1.290 ditësh dhe 1.335 ditësh, dhe thotë se vetëm «ata që kanë gjykim të thellë, do të kuptojnë». Lum ata! Së fundi, engjëlli i bën Danielit premtim sigurues se ai do të prehet e më pas do të çohet për të marrë pjesën e tij «në fund të ditëve».—12:1, 3, 4, 6, 10, 13.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
19. Çfarë shembujsh të shkëlqyer gjejmë në librin e Danielit në lidhje me integritetin dhe mbështetjen te Jehovai me anë të lutjes?
19 Të gjithë ata që janë të vendosur të mbajnë integritetin në këtë botë ku banojnë si të huaj, bëjnë mirë të shqyrtojnë shembullin e shkëlqyer të Danielit e të tre shokëve të tij. Pavarësisht se sa mizor ishte kërcënimi, ata vazhduan të jetonin në përputhje me parimet hyjnore. Kur jeta e tyre ishte në fije të perit, Danieli veproi «me maturi e gjykim të shëndoshë», dhe me respekt për autoritetin më të lartë të mbretit. (2:14-16) Kur u detyruan të zgjidhnin, tre hebrenjtë parapëlqyen të digjeshin në furrën e zjarrtë në vend që të bënin një veprim idhujtarie, kurse vetë Danieli zgjodhi më mirë strofkën e luanëve, sesa të hiqte dorë nga privilegji për t’iu lutur Jehovait. Në secilin rast Jehovai siguroi mbrojtje. (3:4-6, 16-18, 27; 6:10, 11, 23) Danieli na ka dhënë një shembull të shkëlqyer të mbështetjes te Perëndia Jehova me anë të lutjes.—2:19-23; 9:3-23; 10:12.
20. Cilat janë katër vegimet që lidhen me fuqitë botërore dhe përse është besimforcues sot shqyrtimi i tyre?
20 Shqyrtimi i vegimeve të Danielit është emocionues e besimforcues. Së pari, të marrim katër vegimet që lidhen me fuqitë botërore: (1) Në fillim kemi vegimin e shëmbëlltyrës së tmerrshme, koka prej ari e së cilës përfaqëson dinastinë e mbretërve babilonas, që nis me Nabukodonosorin, dhe pas së cilës dalin tri mbretëri të tjera, sikurse përshkruhet nga pjesët e tjera të shëmbëlltyrës. Këto janë mbretëritë që u thërrmuan nga «guri», i cili, nga ana e vet, bëhet «një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë», Mbretëria e Perëndisë. (2:31-45) (2) Pastaj vijnë vegimet që pa personalisht Danieli, ku i pari ishte vegimi i katër bishave që përfaqësojnë «katër mbretër». Ato ishin si një luan, si një ari, si një leopard me katër kokë dhe si një bishë që ka dhëmbë të mëdhenj hekuri, dhjetë brirë e më vonë një bri të vogël. (7:1-8, 17-28) (3) Më pas, kemi vegimin e dashit (Medo-Persia), të cjapit (Greqia) e të bririt të vogël. (8:1-27) (4) Së fundi, vjen vegimi i mbretit të jugut dhe mbretit të veriut. Danieli 11:5-19 përshkruan saktësisht rivalitetin mes degës egjiptiane dhe asaj Seleukase të Perandorisë Greke, pas vdekjes së Aleksandrit në vitin 323 p.e.s. Nga 11 vargu 20 profecia vazhdon të gjurmojë udhën e kombeve që i zinin vendin njëri-tjetrit në jug e në veri. Fakti që Jezui përmend «gjënë e neveritshme që shkakton shkretim» (11:31) në profecinë për shenjën e pranisë së tij, tregon se kjo luftë për pushtet midis dy mbretërve vazhdon deri në ‘përfundim të sistemit’. (Mat. 24:3) Sa të ngushëllon sigurimi që jep profecia se, në «një kohë me ankthe, aq sa nuk ka pasur që kur lindën kombet e deri në atë kohë», Mikaeli do të ngrihet për të hequr kombet e paperëndishme dhe për t’i sjellë paqe njerëzimit të bindur!—Dan. 11:20–12:1.
21. Si u përmbush në mënyrë të jashtëzakonshme profecia e Danielit për ‘shtatëdhjetë javët’?
21 Pastaj, kemi profecinë e Danielit për ‘shtatëdhjetë javët’. Pas 69 javëve do të shfaqej «Mesia, Udhëheqësi». Në mënyrë të jashtëzakonshme, 483 vjet (69 herë 7 vjet) nga «dalja e fjalës» për të rindërtuar Jerusalemin, me autorizimin e Artakserksit në vitin e 20-të të mbretërimit të tij dhe me vënien në zbatim nga Nehemia në Jerusalem, Jezui nga Nazareti u pagëzua në lumin Jordan dhe u miros me frymë të shenjtë, duke u bërë Krishti, ose Mesia (domethënë i Mirosuri).h Kjo ndodhi në vitin 29 të e.s. Më pas, sikurse paratha Danieli, ndodhi «shkretimi» kur Jerusalemi u shkatërrua në vitin 70 të e.s.—Dan. 9:24-27; Luka 3:21-23; 21:20.
22. Ç’mësim nxjerrim nga përulja e Nabukodonosorit?
22 Në ëndrrën e Nabukodonosorit për pemën që u pre, e cila gjendet në kapitullin 4 të Danielit, tregohet që mbreti, i cili u mburr për arritjet e veta dhe ishte i sigurt për fuqinë e vet, u përul nga Perëndia Jehova. Atë e bënë të jetonte si një kafshë fushe, derisa e kuptoi «se Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atë kujt të dojë». (Dan. 4:32) Po ne sot, a do të jemi si Nabukodonosori, që të mburremi me arritjet tona e ta mbështetim sigurinë te fuqia e njeriut, duke marrë mbi vete ndëshkimin e Perëndisë, apo do të tregohemi të mençur e të pranojmë se Ai është Sundimtari në mbretërinë e njerëzve dhe ta mbështetim sigurinë tonë te Mbretëria e tij?
23. (a) Si theksohet shpresa e Mbretërisë gjatë gjithë librit të Danielit? (b) Për çfarë duhet të na nxitë ky libër profetik?
23 Shpresa e Mbretërisë theksohet kudo gjatë librit të Danielit në një mënyrë që të ngjall besim! Perëndia Jehova shfaqet si Sovrani Tejet i Lartë, i cili vendos një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë e që do të thërrmojë gjithë mbretëritë e tjera. (2:19-23, 44; 4:25) Edhe mbretërit paganë, Nabukodonosori dhe Dari, ishin të detyruar të pranonin epërsinë e Jehovait. (3:28, 29; 4:2, 3, 37; 6:25-27) Jehovai lartësohet e merr lavdi si i Lashti i Ditëve që gjykon çështjen e Mbretërisë dhe i jep ‘dikujt si një bir njeriu’ ‘sundim, lavdi dhe mbretëri [të përhershme], që t’i shërbejnë gjithë popujt, kombet dhe gjuhët’. «Të shenjtët e Tejet të Lartit» marrin pjesë bashkë me Krishtin Jezu, «Birin e njeriut», në Mbretëri. (Dan. 7:13, 14, 18, 22; Mat. 24:30; Zbul. 14:14) Ai është Mikaeli, princi i madh, që ushtron fuqinë e Mbretërisë së tij për të thërrmuar e për t’u dhënë fund gjithë mbretërive të kësaj bote të vjetër. (Dan. 12:1; 2:44; Mat. 24:3, 21; Zbul. 12:7-10) Kuptueshmëria e këtyre profecive dhe vegimeve duhet t’i inkurajojë ata që duan drejtësinë, që të lëvizin e të enden nëpër faqet e Fjalës së Perëndisë për të gjetur «këto gjëra [vërtet] të mrekullueshme» të qëllimeve të Mbretërisë së Perëndisë, të cilat na janë zbuluar nëpërmjet librit të frymëzuar e të dobishëm të Danielit.—Dan. 12:2, 3, 6.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 1269, anglisht.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 283, anglisht.
c Archaeology and the Bible, 1949, nga Xhorxh A. Barton, faqja 483.
d The Yale Oriental Series · Researches, vëll. XV, 1929.
e Archiv für Orientforschung, vëll. 18, 1957, 1958, faqja 129.
f Me sa duket, Belshazari nisi të mbretëronte si bashkëregjent që nga viti i tretë i Nabonidit. Meqë besohet se Nabonidi ka nisur të sundojë në vitin 556 p.e.s., viti i tretë i sundimit të tij dhe ‘viti i parë i Belshazarit’ ishte, nga ç’duket, viti 553 p.e.s.—Dan. 7:1; shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 283; vëll. 2, faqja 457, anglisht.
g Danieli 2:4b–7:28 është shkruar në aramaisht, kurse pjesa tjetër e librit në hebraisht.
h Nehemia 2:1-8; shih edhe Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 899-901, anglisht.