Libri i parë i Samuelit
14 Një ditë Jonatani,+ djali i Saulit, i tha shërbëtorit që i mbante armët: «Hajde, të shkojmë te pararoja e filistinëve në anën tjetër.» Por nuk i tregoi asgjë të atit. 2 Sauli po rrinte në rrethinat e Gibeahut,+ nën shegën që gjendet në Migron; me të ishin rreth 600 burra.+ 3 (Efodin+ e mbante veshur Akijahu, biri i Ahitubit,+ vëllait të Ikabodit,+ birit të Finehasit,+ birit të Eliut,+ priftit të Jehovait në Shiloh.)+ Ushtarët nuk e dinin që Jonatani kishte ikur. 4 Tani, midis shtigjeve që Jonatani po përpiqej të kalonte për të arritur te pararoja e filistinëve, gjendej një shkrep në formë dhëmbi nga njëra anë dhe një shkrep në formë dhëmbi nga ana tjetër; njëri e kishte emrin Bozez, kurse tjetri Seneh. 5 Njëri shkrep ngrihej si një shtyllë në veri, përballë Mikmashit, kurse tjetri në jug, përballë Gebës.+
6 Kështu Jonatani i tha armëmbajtësit të tij: «Hajde, të shkojmë te pararoja e këtyre të parrethprerëve.+ Ndoshta Jehovai do të veprojë për ne, sepse Jehovain s’e pengon asgjë që të sjellë shpëtim, qoftë me shumë veta, qoftë me pak.»+ 7 Atëherë armëmbajtësi i tha: «Bëj si të të dojë zemra. Shko nga të duash, dhe unë do të vij me ty ngado që të shkosh.» 8 Pastaj Jonatani ia ktheu: «Do të shkojmë tek ata burra e do t’u dalim hapur. 9 Nëse na thonë: ‘Ndaluni derisa të vijmë te ju’, do të qëndrojmë aty ku jemi dhe nuk do të ngjitemi tek ata. 10 Por nëse na thonë: ‘Ngjituni të luftoni kundër nesh!’, do të ngjitemi, sepse kjo do të jetë shenja+ që Jehovai do të na i japë në dorë.»
11 Atëherë, që të dy i dolën hapur pararojës filistine, dhe filistinët thanë: «Ja, hebrenjtë po dalin nga vrimat ku ishin fshehur.»+ 12 Kështu burrat e pararojës i thanë Jonatanit dhe armëmbajtësit të tij: «Ngjituni te ne dhe do t’jua ndreqim qejfin!»+ Menjëherë Jonatani i tha armëmbajtësit: «Më ndiq, sepse Jehovai do t’i japë në dorë të Izraelit.»+ 13 Dhe Jonatani u ngjit me këmbë e me duar nëpër shkëmb, ndërsa armëmbajtësi ishte pas tij. Jonatani filloi të sulmonte filistinët, dhe ata që mbeteshin gjallë, i vriste armëmbajtësi. 14 Në sulmin e parë që ndërmorën, Jonatani dhe armëmbajtësi vranë rreth 20 burra brenda pothuajse gjysmë brazde në gjysmë hektari tokë.*
15 Atëherë kampit në fushë dhe tërë ushtarëve të pararojës u hyri tmerri e madje edhe trupat sulmuese+ ishin të tmerruara. Toka nisi të dridhej, dhe më pas erdhi tmerri nga Perëndia. 16 Rojat e Saulit në Gibeah+ të Beniaminit panë se rrëmuja po përhapej anembanë kampit.+
17 Sauli u tha ushtarëve që ishin me të: «Bëni numërimin dhe shikoni kush ka ikur!» Kur bënë numërimin, panë se Jonatani dhe armëmbajtësi i tij nuk ishin atje. 18 Atëherë Sauli i tha Akijahut:+ «Sille këtu Arkën e Perëndisë së vërtetë!» (Se në atë kohë* Arka e Perëndisë së vërtetë ishte me izraelitët.) 19 Dhe ndërsa Sauli i fliste priftit, rrëmuja në kampin e filistinëve sa vinte e bëhej më e madhe. Atëherë Sauli i tha priftit: «Ndalo! Mos vazhdo më.» 20 Kështu, Sauli dhe gjithë ushtarët që ishin me të, u mblodhën dhe vajtën në betejë, ku panë se filistinët i kishin kthyer shpatat kundër njëri-tjetrit dhe rrëmuja ishte shumë e madhe. 21 Edhe hebrenjtë që më parë kishin marrë anën e filistinëve dhe që ishin ngjitur me ta në kamp, u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonatanin. 22 Tërë burrat e Izraelit që ishin fshehur+ në rajonin malor të Efraimit, morën vesh se filistinët ia kishin mbathur, prandaj edhe ata zunë t’i ndiqnin, e të merrnin pjesë në betejë. 23 Kështu, atë ditë Jehovai e shpëtoi Izraelin+ dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.+
24 Por burrat e Izraelit ishin të dërrmuar atë ditë, sepse Sauli i kishte vënë në këtë be: «Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë* përpara mbrëmjes, derisa të kem marrë hak kundër armiqve të mi!» Kështu asnjë nga ata nuk vuri bukë në gojë.+
25 Të gjithë ushtarët* vajtën në pyll, dhe mbi tokë kishte mjaltë. 26 Kur hynë në pyll, panë që pikonte mjaltë, por askush nuk hëngri, sepse kishin frikë nga beja. 27 Mirëpo Jonatani nuk e kishte marrë vesh që i ati i kishte vënë ushtarët në be,+ prandaj e zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e zhyti në huall dhe pasi hëngri, mori fuqi.* 28 Atëherë njëri nga ushtarët tha: «Babai yt i vuri ushtarët në be të rëndë, duke thënë: ‘Mallkuar qoftë ai njeri që ha bukë sot!’+ Ja pse ushtarët janë kaq të lodhur.» 29 Por Jonatani tha: «Babai im ka sjellë shumë telashe* në vend. Shihni si mora fuqi ngaqë provova fare pak mjaltë. 30 Do të kishte qenë shumë më mirë sikur sot ushtarët të kishin ngrënë lirisht+ nga preja që gjetën tek armiqtë, sepse atëherë masakra kundër filistinëve do të kishte qenë edhe më e madhe.»
31 Atë ditë i sulmuan dhe i vranë filistinët nga Mikmashi deri në Ajalon,+ dhe ushtarët u lodhën shumë. 32 Prandaj ata u turrën me lakmi mbi prenë dhe morën dhen, gjedhë e viça dhe i therën përtokë; e hëngrën mishin me gjithë gjak.+ 33 Atëherë Saulin e njoftuan: «Ja, ushtarët po mëkatojnë kundër Jehovait, duke e ngrënë mishin me gjithë gjak.»+ Sapo dëgjoi këtë, ai tha: «Ju keni vepruar pabesisht. Rrokullisni menjëherë një gur të madh këtu tek unë.» 34 Pastaj Sauli tha: «Shpërndahuni mes ushtarëve e u thoni: ‘Secili nga ju duhet të sjellë demin dhe delen e vet, t’i therë këtu dhe pastaj t’i hajë. Mos mëkatoni kundër Jehovait duke e ngrënë mishin me gjithë gjak.’»+ Kështu, atë natë secili solli demin e tij dhe e theri atje. 35 E Sauli i ndërtoi një altar Jehovait.+ Ky ishte altari i parë që i ndërtoi Jehovait.
36 Më pas Sauli tha: «T’i ndjekim filistinët natën dhe t’i plaçkitim derisa të zbardhë dita. Nuk do të lëmë asnjë gjallë.» Atëherë ata ia kthyen: «Bëj si të të duket më mirë.» Pastaj prifti tha: «Le t’i afrohemi këtu Perëndisë së vërtetë.»+ 37 Dhe Sauli e pyeti Perëndinë: «Të zbres pas filistinëve?+ A do t’ia japësh në dorë Izraelit?» Por atë ditë Perëndia nuk iu përgjigj. 38 Prandaj Sauli tha: «Ejani këtu, të gjithë ju krerë të popullit, dhe zbuloni çfarë mëkati është bërë sot, 39 sepse siç është e vërtetë që Jehovai rron, i cili e shpëtoi Izraelin, edhe sikur të jetë djali im, Jonatani, ka për të vdekur.» Por askush nga populli nuk i përgjigjej. 40 Atëherë u tha izraelitëve: «Ju do të qëndroni në njërën anë, kurse unë dhe djali im, Jonatani, do të qëndrojmë në anën tjetër.» Ata iu përgjigjën Saulit: «Bëj si të të duket më mirë.»
41 Kështu Sauli i tha Jehovait: «O Perëndi i Izraelit, përgjigju me anë të Thumimit!»*+ Pastaj u zgjodhën Jonatani dhe Sauli, ndërsa të tjerët dolën të pafajshëm. 42 Tani Sauli tha: «Hidhni short*+ për të vendosur mes meje e djalit tim, Jonatanit.» Dhe u zgjodh Jonatani. 43 Atëherë Sauli i tha Jonatanit: «Më trego, çfarë ke bërë?» Kështu Jonatani i tregoi: «Vetëm sa provova pak mjaltë me majën e bastunit që kam në dorë.+ Ja tek jam! Jam gati të vdes!»
44 Me të dëgjuar këtë, Sauli tha: «Perëndia më ndëshkoftë ashpër, nëse ti Jonatan nuk vdes!»+ 45 Por ushtarët i thanë Saulit: «A duhet të vdesë Jonatani, ai që i solli këtë fitore të madhe*+ Izraelit? As që bëhet fjalë! Siç është e vërtetë që Jehovai rron, atij s’duhet t’i bjerë përtokë as edhe një fije floku, sepse sot ai veproi bashkë me Perëndinë.»+ Atëherë ushtarët e shpëtuan* Jonatanin, dhe ai nuk vdiq.
46 Kështu Sauli nuk i ndoqi më filistinët dhe këta shkuan në territorin e tyre.
47 Sauli siguroi pozitën e tij si mbret i Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve të vet nga çdo anë, kundër moabitëve,+ kundër amonitëve,+ kundër edomitëve,+ kundër mbretërve të Zobahut+ dhe kundër filistinëve.+ Ngado që shkonte, i mundte. 48 Dhe ai luftoi trimërisht, i mposhti amalekitët+ dhe e shpëtoi Izraelin nga dora e zhvatësve.
49 Djemtë e Saulit ishin Jonatani, Ishviu dhe Malki-Shuai.+ Ai kishte dy vajza; e madhja quhej Meraba,+ kurse e vogla, Mikala.+ 50 Gruaja e Saulit quhej Ahinoam, vajza e Ahimazit. Kreu i ushtrisë së tij quhej Abner,+ i cili ishte bir i Nerit dhe xhaxha i Saulit. 51 Babai i Saulit ishte Kishi,+ dhe Neri,+ babai i Abnerit, ishte biri i Abielit.
52 Lufta kundër filistinëve ishte e ashpër gjatë gjithë ditëve të Saulit.+ Kur Sauli shihte ndonjë burrë të fuqishëm a të guximshëm, e rekrutonte në shërbimin e tij.+