Zakaria
12 Shpallje:
«Fjala e Jehovait për Izraelin,—thotë Jehovai,
Ai që shpalosi qiejt,+
që hodhi themelet e tokës+
dhe që i dha frymën* njeriut.
2 Ja tek po e bëj Jerusalemin një kupë* që i trullos të gjithë popujt përreth; Judën do ta rrethojnë, e po ashtu edhe Jerusalemin.+ 3 Atë ditë unë do ta bëj Jerusalemin gur të rëndë për të gjithë popujt. Tërë ata që do ta ngrenë, do të dëmtohen keq.+ Kundër tij do të mblidhen të gjitha kombet e tokës.+ 4 Atë ditë,—thotë Jehovai,—do të bëj që të gjithë kuajt t’i zërë paniku, kurse kalorësit e tyre do t’i godas me çmenduri. Do t’i mbaj sytë mbi shtëpinë e Judës, kurse kuajt e popujve do t’i godas me verbëri. 5 Sheikët* e Judës do të thonë me vete:* ‘Banorët e Jerusalemit janë forca jonë falë Jehovait të ushtrive, Perëndisë së tyre.’+ 6 Atë ditë do t’i bëj sheikët e Judës si zjarri mes pemëve dhe si një pishtar të zjarrtë në një rresht me drithë të korrur.+ Ata do të gllabërojnë të gjithë popujt përreth, në të djathtë e në të majtë;+ banorët e Jerusalemit do të banojnë sërish në vendin e tyre,* në Jerusalem.+
7 Jehovai do të shpëtojë të parat tendat e Judës, që bukuria e* shtëpisë së Davidit dhe bukuria e* banorëve të Jerusalemit të mos jenë më të mëdha se bukuria e Judës. 8 Atë ditë Jehovai do të jetë një mbrojtje rreth banorëve të Jerusalemit.+ Atë ditë ai që pengohet,* do të bëhet i fortë si Davidi, dhe shtëpia e Davidit si Perëndia, si engjëlli i Jehovait që shkon përpara tyre.+ 9 Atë ditë me siguri do t’i shfaros të gjitha kombet që dalin kundër Jerusalemit.+
10 Unë do të derdh frymën* time mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jerusalemit, dhe ata do të kenë pëlqimin tim e do të më bëjnë përgjërime. Ata do të shohin atë që shpuan tejpërtej+ dhe do ta vajtojnë, ashtu siç do të vajtonin një bir të vetëm. Do të pikëllohen thellësisht për të, ashtu siç do të pikëlloheshin për një bir të parëlindur. 11 Atë ditë në Jerusalem do të vajtohet me të madhe, siç u vajtua në Hadadrimon, në rrafshinën e Megidos.+ 12 Vendi do të vajtojë, çdo familje më vete: familja e shtëpisë së Davidit më vete dhe gratë e tyre më vete; familja e shtëpisë së Natanit+ më vete dhe gratë e tyre më vete; 13 familja e shtëpisë së Levit+ më vete dhe gratë e tyre më vete; familja e shimeitëve+ më vete dhe gratë e tyre më vete; 14 dhe të gjitha familjet që kanë mbetur, çdo familje më vete dhe gratë e tyre më vete.