Estera
1 Në ditët e Asuerit,* domethënë të Asuerit që sundonte nga India deri në Etiopi,* mbi 127 provinca,+ 2 në kohën kur mbreti Asuer rrinte në fronin e tij mbretëror në kështjellën e Shushanit,*+ 3 në vitin e tretë të mbretërimit të tij, ai shtroi një gosti për të gjithë princat dhe shërbëtorët e vet. Komandantët e ushtrisë së Persisë+ e të Medisë,+ fisnikët dhe princat e provincave erdhën në gosti, 4 dhe për shumë ditë, për 180 ditë, ai u tregoi pasuritë e mbretërisë së tij të lavdishme dhe ç’mbret madhështor e i nderuar ishte. 5 Kur përfunduan këto ditë, mbreti shtroi në oborrin e kopshtit të pallatit mbretëror një gosti për shtatë ditë me radhë për të gjithë ata që ishin në kështjellën e Shushanit, nga më i madhi te më i vogli. 6 Aty kishte perde prej linoje dhe pambuku cilësor ngjyrë blu, të kapura me litarë prej pëlhure cilësore dhe me kordonë prej leshi në ngjyrë të purpurt.* Këta ishin të lidhur në rrathë argjendi të mbërthyer në shtylla mermeri. Divanët prej ari e argjendi ishin mbi dysheme porfiri, mermeri, sedefi dhe mermeri të zi.
7 Vera shërbehej në kupa* ari të formave të ndryshme dhe vera e mbretit ishte me bollëk, ngaqë ai i kishte mundësitë. 8 Sa për pijet askush nuk kishte ndonjë detyrim,* sepse mbreti kishte vendosur me zyrtarët e pallatit të tij, që secili të bënte si t’i pëlqente.
9 Edhe mbretëresha Vashti+ shtroi një gosti për gratë që ishin në shtëpinë mbretërore të mbretit Asuer.
10 Ditën e shtatë, kur mbreti erdhi në qejf nga vera, i tha Mehumanit, Biztait, Harbonait,+ Bigtait, Abagthait, Zetarit dhe Karkasit, shtatë zyrtarëve të oborrit që ishin shërbëtorët personalë të mbretit Asuer, 11 që të sillnin para tij mbretëreshën Vashti me vellon* mbretërore në kokë për t’u treguar bukurinë e saj njerëzve dhe princave, sepse ajo ishte shumë e bukur. 12 Mirëpo mbretëresha Vashti refuzoi prerazi të vinte sipas urdhrit që i kishte dhënë mbreti nëpërmjet zyrtarëve të oborrit. Kjo e zemëroi së tepërmi mbretin, i cili vlonte përbrenda nga tërbimi.
13 Atëherë mbreti i pyeti të mençurit që i njihnin mirë procedurat.* (Se në këtë mënyrë mbreti ua paraqiste çështjen tërë atyre që e njihnin ligjin dhe çështjet ligjore. 14 Më të afërt për të ishin: Karshenai, Shetari, Admatai, Tarshishi, Meresi, Marsenai dhe Memukani, shtatë princat+ e Persisë dhe të Medisë, të cilët lejoheshin të hynin te mbreti dhe kishin postet më të larta në mbretëri.) 15 Mbreti i pyeti: «Sipas ligjit, çfarë duhet bërë me mbretëreshën Vashti, meqë ajo nuk iu bind urdhrit që i dha mbreti Asuer nëpërmjet zyrtarëve të oborrit?»
16 Atëherë, në prani të mbretit dhe të princave, Memukani tha: «Mbretëresha Vashti nuk ka gabuar vetëm kundër mbretit,+ por edhe kundër gjithë princave dhe gjithë popujve në tërë provincat e mbretit Asuer, 17 sepse atë që bëri mbretëresha do ta marrin vesh të gjitha gratë dhe do t’i përbuzin burrat e tyre e do të thonë: ‘Mbreti Asuer dha urdhër që mbretëresha Vashti të shkonte para tij, por ajo refuzoi.’ 18 Madje sot princeshat e Persisë dhe të Medisë që e dinë çfarë bëri mbretëresha, do t’ua thonë këtë gjithë princave të mbretit, dhe kjo do të ngjallë shumë përçmim e indinjatë. 19 Nëse mbreti e sheh të udhës, le të nxjerrë një dekret mbretëror dhe le të shkruhet ndër ligjet e Persisë dhe të Medisë, që janë të pakthyeshme.+ Në bazë të tij, Vashti nuk duhet të dalë më kurrë para mbretit Asuer. Pozitën e saj mbretërore, mbreti le t’ia japë një gruaje tjetër më të mirë se ajo. 20 Dhe kur dekreti i mbretit të dëgjohet në tërë mbretërinë e tij të paanë, të gjitha gratë do t’i nderojnë burrat e tyre, nga më i madhi te më i vogli.»
21 Ky sugjerim i pëlqeu mbretit e princave, dhe mbreti bëri si tha Memukani. 22 Kështu, ai dërgoi letra në tërë provincat e mbretërisë,+ çdo province sipas shkrimit të vet dhe çdo populli në gjuhën e vet, që çdo burrë të ishte zot* në shtëpinë e tij dhe të fliste në gjuhën e popullit të vet.