Eksodi
22 Nëse dikush vjedh një dem a një dele dhe e ther ose e shet, do të japë si dëmshpërblim pesë dema për demin dhe katër dele për delen.+
2 (Nëse një hajdut+ kapet duke hyrë në një shtëpi natën dhe goditet për vdekje, askush nuk është fajtor për gjakun e tij. 3 Por nëse kjo ndodh pasi ka lindur dielli, ai që e vret, do të jetë fajtor gjaku.)
Hajduti duhet të dëmshpërblejë, e nëse nuk ka asgjë me se ta lajë dëmin, duhet të shitet në këmbim të gjërave që ka vjedhur. 4 Nëse i gjendet ende gjallë kafsha e vjedhur, qoftë dem, gomar a dele, ai duhet të dëmshpërblejë dyfish.
5 Nëse dikush i nxjerr kafshët të kullotin në një arë a vresht dhe i lë që të kullotin në arën e tjetrit, ai duhet të dëmshpërblejë me pjesën më të mirë të prodhimeve të arës a të vreshtit të vet.
6 Nëse bie zjarr dhe përhapet nëpër ferra e si pasojë digjen duajt, drithi i pakorrur a një arë, ai që vuri zjarrin duhet të dëmshpërblejë për atë që u dogj.
7 Kur dikush i jep një tjetri pará a sende që t’ia ruajë dhe këto vidhen në shtëpinë e këtij të fundit, nëse e gjejnë, hajduti duhet të dëmshpërblejë dyfish.+ 8 Nëse hajdutin nuk e gjejnë, atëherë të zotin e shtëpisë do ta nxjerrin para Perëndisë së vërtetë+ që të përcaktohet nëse ka vënë dorë mbi gjërat e tjetrit. 9 Kur dikush akuzohet për zotërim të paligjshëm, qoftë dem, gomar, dele, rrobë a çdo gjë të humbur, për të cilën një tjetër mund të thotë: ‘Kjo është imja!’, të dyja palët do ta paraqesin çështjen para Perëndisë së vërtetë,+ dhe ai që do të shpallet fajtor nga Perëndia, do ta dëmshpërblejë tjetrin dyfish.+
10 Nëse dikush i jep tjetrit një gomar, dem, dele a ndonjë kafshë tjetër shtëpiake që t’ia ruajë, por kjo ngordh, gjymtohet ose e rrëmbejnë pa e parë kush, 11 të dy do të betohen para Jehovait që njëri s’ka vënë dorë mbi të mirat e tjetrit; pronari duhet ta pranojë betimin dhe tjetri nuk është i detyruar të dëmshpërblejë.+ 12 Por nëse ia kanë vjedhur,* ai duhet ta dëmshpërblejë pronarin. 13 Nëse e ka shqyer ndonjë kafshë e egër, ai do ta sjellë si provë, sepse nuk është i detyruar të dëmshpërblejë për një kafshë të shqyer nga egërsirat.
14 Nëse dikush i merr hua kafshën shtëpiake tjetrit dhe ajo gjymtohet ose ngordh kur pronari nuk është i pranishëm, ai që e mori hua duhet ta dëmshpërblejë. 15 Por nëse pronari është i pranishëm, tjetri nuk është i detyruar të dëmshpërblejë. E nëse është marrë me qira, paratë e qirasë shërbejnë si dëmshpërblim.
16 Nëse një burrë josh një virgjëreshë të pafejuar dhe fle me të, ai duhet të paguajë çmimin e nuses që ajo të bëhet gruaja e tij.+ 17 Nëse babai i vajzës nuk pranon në asnjë mënyrë që t’ia japë për grua, ai burrë është ende i detyruar të paguajë aq pará sa kërkohen për çmimin e nuses.
18 Mos e lër gjallë një magjistare.+
19 Kushdo që kryen marrëdhënie seksuale me një kafshë, duhet të vritet pa diskutim.+
20 Kush u bën flijime perëndive të tjera përveç Jehovait, duhet shfarosur.*+
21 Mos e keqtrajtoni dhe mos e shtypni të ardhurin,+ sepse edhe ju banuat si të huaj në vendin e Egjiptit.+
22 Mos e mundoni asnjë vejushë a jetim.*+ 23 Nëse i mundoni sadopak dhe ata më thërrasin mua për ndihmë, pa pikë dyshimi unë do ta dëgjoj klithmën e tyre,+ 24 do të më ndizet zemërimi e do t’ju vras me shpatë, gratë tuaja do të bëhen vejusha dhe fëmijët tuaj do të mbeten pa baba.
25 Nëse i jep pará hua ndonjë të varfri* nga populli im, mos u sill me të si fajdexhi;* mos i kërko kamatë.+
26 Nëse i merr rrobën një tjetri si garanci për një hua,*+ duhet t’ia kthesh përpara se të perëndojë dielli, 27 sepse është e vetmja rrobë që ka për të mbuluar trupin. Me se do të flejë nëse mbetet pa të?+ E kur të më thërrasë për ndihmë, me siguri do ta dëgjoj, sepse unë jam i dhembshur.*+
28 Mos e mallko Perëndinë,*+ as mos mallko ndonjë nga prijësit* e popullit tënd.+
29 Mos ngurro të më japësh blatime nga prodhimi yt i bollshëm dhe nga ajo që vërshon prej shtypëseve të tua.*+ Të parëlindurin e djemve të tu duhet të ma japësh mua.+ 30 Kështu do të veprosh me të parëlindurin e demit dhe të deles:+ shtatë ditë do të rrijë me të ëmën dhe ditën e tetë do të ma japësh mua.+
31 Ju duhet të jeni populli im i shenjtë+ e nuk duhet ta hani mishin e një kafshe të shqyer nga egërsirat në fushë,+ por duhet t’ua hidhni qenve.