Libri biblik numër 16—Nehemia
Shkrimtari: Nehemia
Vendi ku u shkrua: Jerusalem
Shkrimi përfundoi: pas 443 p.e.s.
Periudha përkatëse: 456 p.e.s.–pas 443 p.e.s.
1. Ç’post të besuar mbante Nehemia dhe ç’gjë zinte vendin e parë në mendjen e tij?
NEHEMIA, emri i të cilit do të thotë «Jah ngushëllon», ishte një jude në shërbim të mbretit pers Artakserks (Dorëgjati). Ishte kupëmbajtësi i mbretit. Ky post u jepej njerëzve shumë të besuar e të nderuar dhe ishte mjaft i lakmuar, pasi mund t’i flisje mbretit kur ishte me të mira dhe i gatshëm të bënte favore. Megjithatë, Nehemia ishte një nga ata të mërguar besnikë për të cilët Jerusalemi qëndronte mbi çdo gjë tjetër ‘që i sjell gëzim’ njeriut. (Psal. 137:5, 6) Në mendjen e Nehemisë, vendin e parë nuk e zinte pozita ose pasuria, por rivendosja e adhurimit të Jehovait.
2. Ç’gjendje e mjerueshme e pikëlloi Neheminë dhe çfarë kohe e caktuar po afrohej?
2 Në vitin 456 p.e.s., ‘mbetja që ishte kthyer nga robëria’, pra mbetja e judenjve që ishte kthyer në Jerusalem, nuk po bënte përpara. Ishin në një gjendje të vajtueshme. (Neh. 1:3) Muri i qytetit ishte një gërmadhë dhe njerëzit ishin të poshtëruar në sytë e kundërshtarëve të tyre gjithnjë të pranishëm. Kjo e pikëlloi Neheminë. Megjithatë, kishte ardhur koha e caktuar nga Jehovai për të bërë diçka për murin e Jerusalemit. Me ose pa armiq, Jerusalemi dhe muri i tij mbrojtës duheshin rindërtuar, sepse do të ishin një tregues kohor lidhur me një profeci që Jehovai i kishte dhënë Danielit për ardhjen e Mesisë. (Dan. 9:24-27) Prandaj, Jehovai i drejtoi ngjarjet, duke përdorur Neheminë besnik e të zellshëm për të përmbushur vullnetin e Tij.
3. (a) Nga duket se shkrimtari i librit është Nehemia dhe si mori libri emrin e tij? (b) Ç’hapësirë kohore e ndan këtë libër me atë të Ezdrës, dhe ç’periudhë përfshin libri i Nehemisë?
3 S’ka asnjë dyshim se Nehemia është shkrimtari i librit që mban emrin e tij. Këtë e tregojnë qartë fjalët e para të librit, «fjalët e Nehemisë, birit të Hakaliahut» dhe fakti që ngjarjet tregohen në vetën e parë njëjës. (Neh. 1:1) Fillimisht, libri i Ezdrës dhe libri i Nehemisë ishin një libër i vetëm, që quhej Ezdra. Më vonë, judenjtë e ndanë në librin e parë të Ezdrës dhe librin e dytë të Ezdrës, e ky i fundit, më vonë akoma, u bë i njohur si Nehemia. Ka një hapësirë prej rreth 12 vjetësh nga ngjarjet përmbyllëse të librit të Ezdrës dhe ngjarjeve hapëse të librit të Nehemisë, historia e të cilit përfshin periudhën nga fundi i vitit 456 p.e.s. deri pas vitit 443 p.e.s.—1:1; 5:14; 13:6.
4. Si përputhet libri i Nehemisë me pjesën tjetër të Shkrimeve?
4 Libri i Nehemisë është në përputhje me pjesën tjetër të Shkrimit të frymëzuar, në të cilin bën pjesë me të drejtë. Aty ka shumë referime të tërthorta për Ligjin, në çështje të tilla, si: lidhjet martesore me të huajt (Ligj. 7:3; Neh. 10:30), huatë (Lev. 25:35-38; Ligj. 15:7-11; Neh. 5:2-11) dhe festa e Kasolleve (Ligj. 31:10-13; Neh. 8:14-18). Gjithashtu, libri shënon fillimin e plotësimit të profecisë së Danielit, se Jerusalemi do të rindërtohej, por jo pa kundërshtime, «në një kohë plot shtrëngime».—Dan. 9:25.
5. (a) Nga dëshmitë e cilave burime përcaktohet viti 475 p.e.s. si viti i hipjes në fron të Artakserksit? (b) Cila datë shënon vitin e 20-të të mbretërimit të tij? (c) Si lidhen librat e Nehemisë e të Lukës me përmbushjen e profecisë së Danielit për Mesinë?
5 Ç’të themi për datën 455 p.e.s. që lidhet me udhëtimin e Nehemisë për në Jerusalem për të rindërtuar murin e qytetit? Dëshmi të besueshme historike nga burime greke, perse dhe babilonase tregojnë se viti 475 p.e.s. ishte viti kur hipi në fron Artakserksi dhe viti 474 p.e.s. viti i parë i mbretërimit të tij.a Sipas këtyre të dhënave, viti i 20-të i mbretërimit të tij i bie të ketë qenë viti 455 p.e.s. Nehemia 2:1-8 tregon se në pranverë të atij viti, në muajin judaik të nisanit, Nehemia, kupëmbajtësi i mbretit, mori prej tij leje për të rindërtuar e për të restauruar Jerusalemin, murin dhe portat e tij. Në profecinë e Danielit thuhej se do të kalonin 69 javë vjetore ose ndryshe 483 vjet, «që nga dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin deri te Mesia, Udhëheqësi». Kjo profeci u përmbush në mënyrë mahnitëse kur Jezui u miros në vitin 29 të e.s., datë që përputhet si me historinë botërore, edhe me atë biblike.b (Dan. 9:24-27; Luka 3:1-3, 23) Në fakt, libri i Nehemisë dhe libri i Lukës lidhen në mënyrë domethënëse me profecinë e Danielit, duke treguar se Perëndia Jehova është Autori dhe Plotësuesi i profecive të vërteta. Libri i Nehemisë është vërtet pjesë e Shkrimeve të frymëzuara.
PËRMBAJTJA E NEHEMISË
6. (a) Ç’raport e nxit Neheminë t’i lutet Jehovait dhe për çfarë merr leje nga mbreti? (b) Si i përgjigjen judenjtë planit të Nehemisë?
6 Neheminë e dërgojnë në Jerusalem (1:1–2:20). Nehemia shqetësohet së tepërmi nga një raport i Hananit, i cili pasi është kthyer nga Jerusalemi në Shushan e njofton për situatën e rëndë ku ndodheshin judenjtë dhe për gjendjen e shkatërruar të murit e të portave. Ai agjëron dhe i lutet Jehovait si ‘Perëndi i qiejve, Perëndia i madh dhe që të ngjall frikë, që e ruan besëlidhjen dhe dashamirësinë për ata që e duan dhe për ata që i mbajnë urdhërimet e tij’. (1:5) Rrëfen mëkatet e Izraelit dhe i kërkon Jehovait të mos e harrojë popullin e vet, për shkak të emrit të Tij, ashtu siç i kishte premtuar Moisiut. (Ligj. 30:1-10) Kur mbreti e pyet Neheminë se përse kishte atë çehre të trishtuar, Nehemia i tregon për kushtet e Jerusalemit dhe kërkon leje që të kthehet atje e të rindërtojë qytetin dhe muret e tij. Kërkesa e tij pranohet dhe ai menjëherë merr udhën për në Jerusalem. Pasi bën gjatë natës një inspektim përgjatë mureve të qytetit që të njihet më mirë me punën që ka përpara, ai u zbulon judenjve planin e vet, duke vënë theksin te roli i Perëndisë në këtë çështje. Pastaj ata thonë: «Të ngrihemi e ta ndërtojmë murin!» (Neh. 2:18) Kur fqinjët samaritanë e të tjerë dëgjojnë se ka filluar puna, nisin të përqeshin e të tallen.
7. Si shkon përpara puna dhe cila situatë bën të nevojshme riorganizimin e punëve?
7 Rindërtohet muri (3:1–6:19). Puna për rindërtimin e murit fillon ditën e tretë të muajit të pestë, dhe marrin pjesë të gjithë bashkë, priftërinjtë, princat dhe populli. Portat e qytetit dhe muret mes tyre riparohen shpejt e shpejt. Sanballati, një horonit, tallet: «Ç’po bëjnë këta judenj ngordhalaqë? . . . Do ta përfundojnë në një ditë?» Me këto tallje bashkohet edhe Tobia, amoniti: «Edhe një dhelpër po t’i sulej murit prej guri që po ndërtojnë, me siguri do t’ua shembte.» (4:2, 3) Teksa muri arrin gjysmën e lartësisë, kundërshtarët e bashkuar zemërohen dhe komplotojnë që të ngrihen e të luftojnë kundër Jerusalemit. Mirëpo Nehemia u jep zemër judenjve që të mbajnë ndër mend «Jehovain, atë që është i madh e ngjall frikë», dhe të luftojnë për familjet e për shtëpitë e tyre. (4:14) Kështu, bëjnë një riorganizim të punëve, që të përballojnë këtë situatë të nderë; disa bëjnë rojë me heshta, kurse të tjerët punojnë me shpatën ngjeshur në brez.
8. Si i zgjidh Nehemia problemet që lindin mes vetë judenjve?
8 Gjithsesi, probleme ka edhe mes vetë judenjve. Disa prej tyre, në kundërshtim me ligjin, kërkojnë të mbledhin fajde nga adhuruesit e tjerë të Jehovait. (Dal. 22:25) Nehemia e ndreq këtë situatë duke dhënë këshilla kundër materializmit, dhe populli i pranon me gatishmëri. Nehemia vetë, gjatë 12 vjetëve si guvernator, nga viti 455 p.e.s. deri në vitin 443 p.e.s., nuk kërkon kurrë ushqimin që i takon një guvernatori, për shkak të barrës së rëndë që binte mbi popullin.
9. (a) Si i përballon Nehemia veprimet nën rrogoz për të ndalur ndërtimin? (b) Për sa kohë përfundon muri?
9 Tani armiqtë veprojnë nën rrogoz që të ndalin ndërtimin. E ftojnë Neheminë që të shkojë të këshillohet me ta, por ai ua kthen se s’mund të humbasë kohë nga puna e madhe që po bën. Atëherë, Sanballati e akuzon Neheminë për rebelim dhe se gjoja po thur plane që të bëhet mbret në Judë. Pastaj, në fshehtësi paguan një jude që ta frikësojë Neheminë dhe ta detyrojë të fshihet në tempull e të kryejë kësisoj një mëkat. Nehemia nuk frikësohet, por me qetësi e bindje vazhdon punën që i ka caktuar Perëndia. Muri përfundon «për pesëdhjetë e dy ditë».—Neh. 6:15.
10. (a) Ku jetojnë njerëzit dhe çfarë regjistrimi bëhet? (b) Ç’asamble mbahet dhe cili është programi për ditën e parë?
10 Udhëzon popullin (7:1–12:26). Brenda në qytet ka vetëm pak shtëpi dhe banojnë pak njerëz, sepse pjesa më e madhe e izraelitëve jetojnë jashtë qytetit, nëpër pronat e tyre fisnore. Perëndia e udhëzon Neheminë të mbledhë fisnikët dhe gjithë popullin që të bëjë një regjistrim gjenealogjik. Për këtë, ai shqyrton edhe regjistrimin e atyre njerëzve që u kthyen nga Babilonia. Më pas, mbahet një asamble tetëditore në sheshin përpara Portës së Ujërave. Ezdra e çel programin nga një podium prej druri. Ai bekon Jehovain e pastaj lexon nga libri i Ligjit të Moisiut, nga agimi deri në drekë. Me shumë aftësi e ndihmojnë edhe levitët, që i shpjegojnë Ligjin popullit dhe ‘lexojnë me zë të lartë librin, ligjin e Perëndisë së vërtetë, duke e shtjelluar, duke shpjeguar domethënien, dhe duke i ndihmuar njerëzit ta kuptojnë atë që po lexohet’. (8:8) Nehemia e nxit popullin të shtrojë gosti, të gëzojë e të vlerësojë fuqinë e këtyre fjalëve: «Gëzimi i Jehovait është kalaja juaj.»—8:10.
11. Ç’mbledhje e veçantë mbahet ditën e dytë dhe ç’gëzim vazhdon ta shoqërojë asamblenë?
11 Ditën e dytë të asamblesë, krerët e popullit mbajnë një mbledhje të veçantë me Ezdrën që të fitojnë gjykim të thellë nga Ligji. Ata mësojnë se festa e Kasolleve duhet kremtuar pikërisht në muajin e shtatë, kështu që i futen punës menjëherë që të bëjnë kasolle me rastin e kësaj feste për Jehovain. Ka «një gëzim shumë të madh» teksa banojnë në kasolle për shtatë ditë dhe dëgjojnë ditë pas dite leximin e Ligjit. Ditën e tetë mbajnë një asamble solemne «sipas rregullit».—Neh. 8:17, 18; Lev. 23:33-36.
12. (a) Ç’asamble mbahet më vonë gjatë po atij muaji dhe me çfarë teme? (b) Cila rezolutë miratohet? (c) Ç’masa merren për të populluar Jerusalemin?
12 Ditën e njëzetekatërt të po atij muaji, bijtë e Izraelit mblidhen përsëri dhe ndahen nga gjithë të huajt. Dëgjojnë një lexim të veçantë të Ligjit e më pas një grup levitësh paraqitin një rishikim të marrëdhënieve të Perëndisë me Izraelin, që i ndihmon të bëjnë një shqyrtim me gjithë zemër. Ky rishikim ka këtë temë: «Ngrihuni, bekoni Jehovain, Perëndinë tuaj, për jetë e mot! Qoftë i bekuar emri yt i lavdishëm, që është lartësuar mbi çdo bekim dhe lëvdim!» (Neh. 9:5) Pastaj rrëfejnë mëkatet e etërve të tyre dhe me përulësi kërkojnë bekimin e Jehovait. Kjo bëhet në formën e një rezolute, që vërtetohet me vulën e përfaqësuesve të popullit. Gjithë grupi pranon të mos lidhë krushqi me popujt e tjerë të vendit, të respektojë sabatet dhe të sigurojë furnizime për tempullin e për punëtorët. Me short, një ndër dhjetë njerëz zgjidhet të banojë përgjithnjë në Jerusalem, brenda mureve.
13. Ç’asamble mbahet për kushtimin e murit dhe si rrjedhojë, çfarë rregullimesh bëhen?
13 Kushtimi i murit (12:27–13:3). Kushtimi i murit të sapondërtuar është kohë për këngë e hare. Është rasti për një asamble tjetër. Nehemia organizon dy kore dhe procesione të mëdha falënderimi, që ecin mbi mur në drejtime të kundërta e në fund bashkohen në shtëpinë e Jehovait për flijimet. Organizohet edhe mbledhja e kontributeve në mbështetje të priftërinjve e levitëve në tempull. Një lexim tjetër i Biblës u tregon se amonitët dhe moabitët s’duhet të lejohen të hyjnë në kongregacion, prandaj ata nisin të ndajnë nga Izraeli tërë njerëzit me prejardhje të huaj, që ishin përzier me ta.
14. Përshkruaj veset që ishin zhvilluar gjatë mungesës së Nehemisë dhe hapat që ndërmerr ai për t’i eliminuar.
14 Hiqet papastërtia (13:4-31). Pasi kalon njëfarë kohe në Babiloni, Nehemia kthehet në Jerusalem dhe zbulon se vese të reja kanë depërtuar vjedhurazi mes judenjve. Sa shpejt kanë ndryshuar gjërat! Kryeprifti Eliashib ka bërë një sallë ngrënieje në oborrin e tempullit për Tobinë, një nga armiqtë e Perëndisë. Nehemia s’ka kohë për të humbur. I flak jashtë orenditë e Tobisë dhe jep urdhër të pastrohen sallat e ngrënies. Ai zbulon edhe se kontributet materiale për levitët ishin ndërprerë, kështu që ata po dalin nga Jerusalemi për të siguruar jetesën. Fryma e tregtisë gëlon në qytet. Sabati nuk respektohet më. Nehemia u thotë: «Ju po e shtoni zemërimin e zjarrtë kundër Izraelit duke përdhosur sabatin.» (13:18) Kështu, ai mbyll portat e qytetit ditën e sabatit që të mos hyjnë tregtarët, dhe i urdhëron të largohen edhe nga muri i qytetit. Mirëpo, ka një të keqe edhe më të madhe se kaq, diçka që ata kishin pranuar solemnisht të mos e bënin më kurrë. Kanë sjellë në qytet gra të huaja, pagane. Fëmijët që kishin lindur nga këto lidhje, tashmë nuk flitnin më gjuhën judaike. Nehemia i kujton popullit se Solomoni mëkatoi pikërisht për shkak të grave të huaja. Për shkak të këtij mëkati, Nehemia dëbon nipin e Eliashibit, kryepriftit.c Pastaj, vë në rregull edhe priftërinjtë dhe punën e levitëve.
15. Ç’kërkesë të përulur bën Nehemia?
15 Nehemia e mbyll librin e vet me këtë kërkesë të thjeshtë e të përulur: «Më kujto për mirë, o Perëndia im!»—13:31.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
16. Në ç’aspekte Nehemia është një shembull i shkëlqyer për të gjithë ata që e duan adhurimin e drejtë?
16 Përkushtimi hyjnor i Nehemisë duhet t’i frymëzojë të gjithë ata që e duan adhurimin e drejtë. Ai la një pozitë shumë të lakmuar për t’u bërë një mbikëqyrës i përulur në popullin e Jehovait. Madje nuk pranoi as kontributet materiale që i takonin me të drejtë, dhe e dënoi ashpër materializmin, sepse është një lak. Nehemia e nxiti të gjithë kombin që të ndiqte me zell dhe të ruante adhurimin e Jehovait. (5:14, 15; 13:10-13) Ai na la një shembull të shkëlqyer, sepse ishte vërtet altruist dhe i matur, njeri i veprimit, mbrojtës i patrembur i drejtësisë, pavarësisht nga rreziqet. (4:14, 19, 20; 6:3, 15) Kishte frikën e duhur nga Perëndia dhe interesohej që të forconte bashkëbesimtarët. (13:14; 8:9) E zbatonte me shumë zell ligjin e Jehovait, sidomos në lidhje me adhurimin e vërtetë dhe me heqjen e çdo ndikimi të huaj, si martesa me paganë.—13:8, 23-29.
17. Si është Nehemia shembull edhe për sa i përket njohjes dhe zbatimit të ligjit të Perëndisë?
17 Në të gjithë librin duket qartë se Nehemia e njihte dhe e përdorte mirë ligjin e Jehovait. I kërkoi Perëndisë bekimin duke pasur parasysh premtimin që Ai kishte bërë te Ligji i përtërirë 30:1-4, me besim të plotë se Jehovai do të vepronte me besnikëri ndaj tij. (Neh. 1:8, 9) Organizoi shumë asamble, kryesisht për t’i njohur judenjtë me gjërat e shkruara kohë më parë. Kur lexonin Ligjin, Nehemia dhe Ezdra bënin çmos që t’ia shpjegonin qartë e thjesht popullit Fjalën e Perëndisë dhe të jepnin shembullin duke e zbatuar atë.—8:8, 13-16; 13:1-3.
18. Ç’mësime duhet t’u ngulitë në mendje gjithë mbikëqyrësve mënyra si e ushtronte Nehemia kryesinë nën drejtimin e lutjes?
18 Mbështetja e plotë te Jehovai dhe lutjet e përulura të Nehemisë duhet të na nxitin edhe ne që të zhvillojmë një qëndrim të ngjashëm—të mbështetemi te Perëndia me anë të lutjes. Shih si e lavdërojnë Perëndinë lutjet e tij, si i pranonte mëkatet e popullit të tij dhe përgjërohej që të shenjtërohej emri i Jehovait. (1:4-11; 4:14; 6:14; 13:14, 29, 31) Ky mbikëqyrës i zellshëm ishte burim force për popullin e Perëndisë dhe këtë e tregon gatishmëria me të cilën ata ndoqën drejtimin e tij të mençur dhe gëzimi që provuan tek bënin vullnetin e Perëndisë përkrah tij. Sa shembull frymëzues! Por, sa shpejt depërtuan materializmi, korrupsioni dhe apostazia në mungesë të një mbikëqyrësi të mençur! Sigurisht që kjo duhet t’u ngulitë në mendje gjithë mbikëqyrësve të sotëm në popullin e Perëndisë nevojën për të qenë të gjallë, vigjilentë e të zellshëm për interesat e vëllezërve të tyre të krishterë, e ndërkohë mirëkuptues dhe të vendosur për t’i udhëhequr në udhët e adhurimit të vërtetë.
19. (a) Si e përdori Nehemia Fjalën e Perëndisë që të përforconte sigurinë te premtimet e Mbretërisë? (b) Si i nxit sot shërbëtorët e Perëndisë shpresa e Mbretërisë?
19 Nehemia tregoi se mbështetej fuqimisht te Fjala e Perëndisë. Ai jo vetëm që ishte mësues i zellshëm i Shkrimeve, por i përdori ato edhe për të përcaktuar trashëgimitë sipas gjenealogjisë dhe shërbimin e priftërinjve e të levitëve në popullin e rivendosur të Perëndisë. (Neh. 1:8; 11:1–12:26; Jos. 14:1–21:45) Kjo duhet t’i ketë dhënë shumë zemër mbetjes së judenjve. U përforcoi sigurinë te premtimet madhështore që ishin dhënë kohë më parë për Farën dhe për rivendosjen më të madhe që do të ndodhte në Mbretërinë e Tij. Kjo shpresë në rivendosjen e Mbretërisë i nxit shërbëtorët e Perëndisë të luftojnë me guxim për interesat e Mbretërisë dhe të bëjnë sa më shumë që munden për të çuar përpara adhurimin e vërtetë në mbarë tokën.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 613-616, anglisht.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 899-901, anglisht.
c Disa historianë judenj pohojnë se ky nip i Eliashibit quhej Manase dhe se, bashkë me vjehrrin e vet, Sanballatin, ai ndërtoi tempullin në malin Gerizim, që më vonë u bë qendra e adhurimit të samaritanëve ku ai shërbeu si prift gjatë jetës së tij. Gerizimi është mali për të cilin Jezui flet te Gjoni 4:21.—The Second Temple in Jerusalem, 1908, U. Shou Kolldikat, faqet 252-255; shih Kullën e Rojës, 15 korrik 1960, faqet 425, 426, anglisht.