13 Një bir i mençur e pranon disiplinën e të atit,+
por tallësi i mbyll veshët para qortimit.+
2 Njeriu shijon të mira nga fryti i gojës së vet,+
por i pabesi s’ka të ngopur me dhunë.
3 Kush e mban gojën, e mbron jetën e vet,+
por kush nuk u vë fre buzëve, do të rrënohet.+
4 Përtaci është lakmues i pangopur, e prapëseprapë s’ka asgjë,+
por njeriu i papërtuar kënaqet plotësisht.+
5 I drejti i urren gënjeshtrat,+
por veprimet e të ligut sjellin turp e çnderim.
6 Drejtësia e mbron atë që ecën në pafajësi,+
por ligësia e shemb përdhe mëkatarin.
7 Dikush hiqet si i pasur, por s’ka gjë fare;+
tjetri hiqet si i varfër, e megjithatë ka pasuri të madhe.
8 I pasuri e paguan shpërblesën për të shpëtuar jetën,+
por të varfrin nuk e kërcënon ky rrezik.+
9 Drita e të drejtëve rrëzëllen,+
por llamba e të ligjve do të shuhet.+
10 Kur kalohen caqet me arrogancë, ndizet veçse grindje,+
por mençuria u përket atyre që kërkojnë këshilla.+
11 Pasuritë që fitohen shpejt e shpejt do të shterojnë,+
por pasuritë e atij që mbledh pak nga pak, do të shtohen.
12 Pritja e zgjatur e ligështon zemrën,+
por dëshirat e realizuara janë pemë jete.+
13 Kush i përbuz udhëzimet, e paguan shtrenjtë,+
por kush i respekton urdhërimet, shpërblehet.+
14 Mësimet e të mençurit janë burim jete;+
ato të mbajnë larg kurtheve të vdekjes.
15 Kush ka gjykim të thellë, fiton pëlqimin e të tjerëve,
por udha e të pabesëve është plot vështirësi.
16 Njeriu mendjemprehtë vepron sipas njohurisë,+
por i marri e nxjerr sheshit marrëzinë e vet.+
17 Lajmëtari i lig sjell veç telashe,+
por një i dërguar i besueshëm sjell shërim.+
18 Kush e shpërfill disiplinën, varfërohet dhe turpërohet,
por kush e pranon ndreqjen, merr lavdi.+
19 Dëshirat e realizuara e kënaqin shpirtin,+
por të marrët e urrejnë t’i largohen së keqes.+
20 Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur,+
por atij që shoqërohet me të pamendët, do t’i shkojë keq.+
21 E keqja i ndjek këmba-këmbës mëkatarët,+
kurse begatia i shpërblen të drejtët.+
22 Njeriu i mirë u lë trashëgimi nipërve dhe mbesave,
kurse pasuritë e mëkatarit ruhen për të drejtët.+
23 Ara e të varfërve jep shumë ushqim,
por atë mund ta përlajë padrejtësia.
24 Kush ia kursen disiplinën të birit, e urren,+
por kush e do, nuk e lë pa disiplinuar.+
25 I drejti ha sa i ngopet shpirti,+
kurse i ligu mbetet me barkun bosh.+