Veprat e Apostujve
10 Në Cezare ishte një njeri me emrin Kornel, centurion* i kohortës* italike. 2 Ai ishte njeri i devotshëm, e nderonte thellësisht Perëndinë* bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së tij, jepte shumë dhurata për të varfrit* dhe i përgjërohej vazhdimisht Perëndisë. 3 Rreth orës së nëntë,*+ ai pa qartë në vegim* një engjëll të Perëndisë që erdhi e i tha: «Kornel!» 4 Ai ia nguli sytë i frikësuar dhe ia ktheu: «Ç’është, Zotëri?» Engjëlli iu përgjigj: «Perëndia u kushton vëmendje e nuk i harron lutjet e tua dhe dhuratat e tua për të varfrit.*+ 5 Prandaj dërgo njerëz në Jopë dhe kërko dikë me emrin Simon, të cilin e quajnë edhe Pjetër. 6 Ai është mysafir te Simoni, një regjës lëkurësh që ka një shtëpi pranë detit.» 7 Sapo tha këto, engjëlli iku. Pastaj Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar të devotshëm mes atyre që kishte në shërbimin e vet. 8 U tregoi gjithçka dhe i nisi për në Jopë.
9 Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin e po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë rreth orës së gjashtë* për t’u lutur, 10 por e mori shumë uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatitnin për të ngrënë, ai u përhumb në një vegim+ 11 dhe pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe linoje* që zbriste në tokë, e mbajtur nga katër cepat. 12 Në të kishte lloj-lloj kafshësh katërkëmbëshe e krijesash zvarritëse të tokës, si edhe lloj-lloj zogjsh të qiellit. 13 Atëherë një zë i tha: «Ngrihu Pjetër, ther dhe ha!» 14 Por Pjetri u përgjigj: «Kurrsesi, Zotëri, se asnjëherë nuk kam ngrënë diçka të ndotur a të papastër.»+ 15 Zëri i tha sërish herën e dytë: «Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.» 16 Zëri i foli edhe një herë të tretë, dhe ajo* u mor menjëherë në qiell.
17 Ndërsa Pjetri po vriste mendjen për domethënien e vegimit që pa, në atë moment burrat e dërguar nga Korneli pyetën për shtëpinë e Simonit dhe ishin te porta.+ 18 Ata thirrën të zotin e shtëpisë dhe e pyetën nëse atje ishte mysafir Simoni, që quhej edhe Pjetër. 19 Ndërsa Pjetri po bluante në mendje vegimin, fryma+ i tha: «Po të kërkojnë tre burra. 20 Ngrihu, pra, zbrit poshtë e shko me ta, pa dyshuar aspak, se i kam dërguar unë.» 21 Pjetri zbriti poshtë tek ata dhe tha: «Unë jam ai që kërkoni. Pse keni ardhur?» 22 Ata iu përgjigjën: «Centurion Korneli,+ një njeri i drejtë që nderon thellësisht Perëndinë,* për të cilin flet mirë tërë kombi jude, mori udhëzimin hyjnor nga një engjëll i shenjtë që të të thërrasë të vish në shtëpinë e tij e të dëgjojë ato që ke për të thënë.» 23 Kështu, ai i ftoi brenda dhe i mbajti si mysafirë atë natë.
Të nesërmen u ngrit e shkoi me ta. Me të shkuan edhe disa vëllezër nga Jopa. 24 Ditën tjetër hyri në Cezare. Natyrisht, Korneli po i priste dhe kishte mbledhur farefisin e miqtë e ngushtë. 25 Sapo hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe i bëri nderime.* 26 Por Pjetri e ngriti dhe i tha: «Çohu, se edhe unë jam njeri si ti.»+ 27 Ndërsa bisedonte me të, hyri brenda e gjeti të mbledhur shumë njerëz. 28 Ai u tha: «Ju e dini mirë se për një jude është e paligjshme të shoqërohet a t’i afrohet një jojudeu.+ E megjithatë, Perëndia më tregoi se nuk duhet të quaj asnjeri të ndotur ose të papastër.+ 29 Kështu, kur më thirrën, erdha pa kundërshtuar aspak. Ndaj pyes, pse më thirrët?»
30 Atëherë Korneli u përgjigj: «Katër ditë më parë, në të njëjtën orë si tani, pra në orën e nëntë,* po lutesha në shtëpinë time kur ja, një burrë me rroba të shndritshme qëndroi para meje 31 dhe më tha: ‘Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe nuk i ka harruar dhuratat e tua për të varfrit.* 32 Dërgo njerëz në Jopë dhe thërrit Simonin që quhet edhe Pjetër. Ai njeri është mysafir te Simoni, një regjës lëkurësh që e ka shtëpinë pranë detit.’+ 33 Prandaj, menjëherë dërgova njerëz të të thërrasin dhe të jam mirënjohës që erdhe. E tani, të gjithë jemi këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që Jehovai* të ka urdhëruar të thuash.»
34 Atëherë, Pjetri nisi të thoshte: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm,+ 35 por pranon nga çdo komb këdo që e nderon thellësisht* dhe që bën atë që është e drejtë.+ 36 Perëndia u dërgoi fjalën e tij bijve të Izraelit që t’u shpallte lajmin e mirë të paqes+ që bëhet e mundur falë Jezu Krishtit, pra, lajmin se ai është Zotëri i të gjithëve.+ 37 Ju e dini se çfarë ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galilea,+ pas pagëzimit që predikoi Gjoni, 38 domethënë se Jezuin nga Nazareti, Perëndia e mirosi* me frymë të shenjtë+ e i dha fuqi, dhe se ai përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e Djallit,+ sepse Perëndia ishte me Jezuin.+ 39 Ne jemi dëshmitarë të të gjitha veprave që bëri në vendin e judenjve dhe në Jerusalem. Megjithatë e vranë, duke e varur në një shtyllë.* 40 Perëndia e ngriti atë nga të vdekurit ditën e tretë+ dhe lejoi t’i shfaqej, 41 jo të gjithë popullit, por dëshmitarëve të zgjedhur që më parë nga Perëndia, neve, që hëngrëm e pimë me të, pasi u ngrit nga të vdekurit.+ 42 Veç këtyre, na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe t’i japim dëshmi të plotë+ se Perëndia e dekretoi pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve dhe të të vdekurve.+ 43 Për të japin dëshmi të gjithë profetët,+ që kushdo që tregon besim tek ai të marrë faljen e mëkateve nëpërmjet emrit të tij.»+
44 Ndërsa Pjetri po fliste ende për këto gjëra, të gjithë ata që dëgjonin fjalën, morën frymën e shenjtë.+ 45 Ata që kishin ardhur me Pjetrin, besimtarët e rrethprerë,* u mahnitën, pasi fryma e shenjtë, dhurata* e Perëndisë, po derdhej edhe mbi njerëzit e kombeve,* 46 sepse i dëgjonin të flitnin në gjuhë të huaja dhe të madhëronin Perëndinë.+ Atëherë, Pjetri tha: 47 «A mund t’i pengojë ndokush që të pagëzohen me ujë+ këta që morën frymën e shenjtë njësoj siç e morëm ne?» 48 Kështu i urdhëroi të pagëzoheshin në emër të Jezu Krishtit.+ Pastaj ata i kërkuan Pjetrit të qëndronte për disa ditë.