Të predikojmë dhe të japim dëshmi të plotë
1 Si «udhëheqës dhe komandant», Jezui i përgatiti dishepujt e tij për veprën e madhe të predikimit, që shtrihej përpara. (Isa. 55:4, BR; Luka 10:1-12; Vep. 1:8) Apostulli Pjetër e përshkroi me këto fjalë urdhrin që u dha Jezui: «Ai na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe t’i japim dëshmi të plotë se ky është Ai i dekretuar nga Perëndia për të qenë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve.» (Vep. 10:42) Çfarë do të thotë të japim dëshmi të plotë?
2 Mund të mësojmë shumë duke shqyrtuar shembullin e apostullit Pavël. Kur u takua me pleqtë nga kongregacioni i Efesit, ai u kujtoi atyre: «Nuk u përmbajta pa jua thënë të gjitha gjërat që ishin dobiprurëse, as t’ju mësoja publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi. Por u dhashë plotësisht dëshmi si judenjve edhe grekëve për pendimin kundrejt Perëndisë dhe besimin te Zotëria ynë Jezu.» Ndonëse haste sprova për vete, Pavli u përpoq t’ua jepte sa më shumë njerëzve lajmin e mirë. Nuk kënaqej vetëm duke u thënë disa të vërteta themelore dëgjuesve të tij, por përpiqej t’u shpjegonte «gjithë qëllimin e Perëndisë». Për të arritur këtë, ishte gati të bënte përpjekje dhe sakrifica. Ai tha më tej: «Shpirtin tim nuk e llogarit si të shtrenjtë për mua, veç të përfundoj vrapimin tim dhe shërbimin që mora nga Zotëria Jezu, që të jap dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.»—Vep. 20:20, 21, 24, 27.
3 Si mund ta imitojmë sot shembullin e Pavlit? (1 Kor. 11:1) Duke kërkuar ata që e meritojnë, edhe pse vetë mund të jemi duke hasur sprova; duke u përpjekur t’u japim lajmin e mirë njerëzve të të gjitha gjuhëve dhe grupeve etnike, si edhe duke kultivuar me zell interesin që gjejmë. (Mat. 10:12, 13) Kjo kërkon kohë, përpjekje dhe dashuri për njerëzit.
4 A mund të shërbesh si pionier ndihmës? Muajt mars dhe prill mund të jenë një rast i shkëlqyer që të japësh dëshmi të plotë, duke shërbyer si pionier ndihmës. Sa inkurajuese ishte vitin e kaluar kur pamë kaq shumë veta që bënë përpjekje të veçantë për të shërbyer si pionierë ndihmës!
5 Një motër 80-vjeçare me shumë probleme shëndetësore u motivua nga inkurajimi që siguroi organizata e Jehovait. Ajo shkroi: «Ky inkurajim më rizgjoi dëshirën që e kisha pasur në zemër nga shumë kohë dhe më bëri të ndieja se duhej të shërbeja si pioniere ndihmëse të paktën edhe një herë tjetër.» Ajo vendosi këtë synim për muajin mars. «Para së gjithash,—tha ajo,— u ula dhe llogarita koston. E diskutova çështjen me vajzën time, sepse do të më duhej ndihma e saj. Ajo më habiti duke marrë një kërkesë për pioniere ndihmëse për vete.» Gjatë atij muaji motra e moshuar kaloi 52 orë në shërbim. «Shumë herë i lutesha Jehovait që të më jepte forcë kur e ndieja se po lodhesha. Në fund të muajit isha shumë e lumtur dhe e kënaqur. E kam falënderuar shumë herë Jehovain që më ndihmoi. Do të doja ta provoja prapë këtë shërbim.» Lumturia që provoi ajo mund t’i inkurajojë të tjerët që me të vërtetë duan të shërbejnë si pionierë ndihmës pavarësisht nga problemet e rënda shëndetësore.
6 Një vëlla, të cilin papritur e pezulluan nga puna, përfitoi nga kjo situatë për të shërbyer si pionier ndihmës. Gjatë muajit u mbush me zell për veprën e predikimit dhe në fund të muajit kishte filluar një studim të ri biblik. Duke menduar për përvojën që pati, ai tha: «Çfarë muaji!» Sa i ngazëlluar që ishte sepse kishte pasur drejtimin dhe ndihmën e Jehovait! Po, Jehovai e bekoi shumë këtë vëlla për përpjekjen e mëtejshme që bëri në shërbim, dhe do të bëjë të njëjtën gjë për ty.—Mal. 3:10.
7 Për shumë veta nuk është e lehtë të shërbejnë si pionierë ndihmës. Gjithsesi, pavarësisht nga përgjegjësitë në punë e në familje, si edhe nga problemet personale, shumë vëllezër e motra kanë arritur ta bëjnë këtë shërbim. Të japim dëshmi të plotë shpesh përfshin të sakrifikojmë nga koha dhe energjitë tona që i kemi të çmuara, por bekimet janë të pakrahasueshme.—Prov. 10:22.
8 Marsi dhe prilli janë muaj të shkëlqyer për të shërbyer si pionierë ndihmës. Marsi ka pesë fundjavë. Edhe disa që punojnë në kohë të plotë mund të shërbejnë si pionierë ndihmës, duke përfituar nga këto fundjavë dhe duke përdorur mirë orët e mbrëmjes. Veç kësaj, mund të përfitosh nga ditët e pushimeve që janë në muajin prill. Disa mund të kenë pushime nga shkolla e nga puna, të cilat mund t’i ndihmojnë të arrijnë kuotën prej 50 orësh që kërkohet. A mund të përdorësh një nga programet e shërbimit si pionier ndihmës që janë dhënë si shembull në këtë artikull, për të programuar 50 orët që do të kalosh në shërbim gjatë muajve mars e prill? Fol për programin tënd me të tjerët, disa prej të cilëve pa dyshim do të marrin zemër që të bashkohen me ty në këtë shërbim. Në qoftë se nuk ke mundësi të shërbesh si pionier ndihmës, vër një synim specifik për këta muaj dhe mbështet ata që janë në gjendje të shërbejnë si pionierë. Bëji që tani planet për të rritur shërbimin gjatë muajve mars e prill.
9 Të tregojmë çmueshmëri për Përkujtimin: Çdo vit gjatë periudhës së Përkujtimit, çmueshmëria për shpërblesën motivon mijëra veta që ‘të blejnë kohën’ për të qenë pionierë ndihmës. (Efes. 5:15, 16) Vitin e kaluar në Shqipëri pati 709 pionierë ndihmës në muajin mars dhe 414 në prill. Kjo përbën një mesatare prej 561 pionierësh ndihmës për këta dy muaj. Krahasoje këtë me mesataren e 206 lajmëtarëve që shërbyen si pionierë ndihmës në secilin nga muajt e mëparshëm të vitit të shërbimit. Periudha e Përkujtimit këtë vit është një rast tjetër i shkëlqyer për të treguar çmueshmërinë tonë të sinqertë për flijimin shpërblyes të Krishtit, duke e rritur veprën e shërbimit në fushë.
10 Me afrimin e 16 prillit, mendo se çfarë domethënieje ka për ty Përkujtimi. Mendo për ngjarjet që çuan deri në vdekjen e Krishtit dhe për mendimet që i rëndonin atij në mendje e në zemër. Medito edhe për gëzimin që iu vu përpara Jezuit dhe si e ndihmoi ky gëzim që të duronte keqtrajtimin. Mendo për pozitën e tij të tanishme si Kreu i kongregacionit, duke mbikëqyrur veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve. (1 Kor. 11:3; Hebr. 12:2; Zbul. 14:14-16) Pastaj tregoje çmueshmërinë për gjithçka që ka bërë Krishti, duke marrë pjesë plotësisht në veprën e predikimit, për aq sa e lejojnë rrethanat e tua.
11 T’i nxitim të tjerët që të japin dëshmi të plotë: Duke marrë pjesë në shërbimin si pionierë ndihmës, pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës kanë një rast shumë të mirë për të nxitur të tjerët. Kur punojnë me lajmëtarët në shërbimin në fushë dhe kur bëjnë vizita baritore, ata kanë raste të shkëlqyera për të ndihmuar personalisht të tjerët që të marrin pjesë plotësisht në këtë vepër të veçantë. Le të lutemi të gjithë për këtë, duke i shtuar përpjekjet tona të bashkuara për të dhënë dëshmi të plotë!
12 Ndërkohë që të gjithë pleqtë e shërbëtorët ndihmës do të bashkëpunojnë me masat që merr kongregacioni për rritjen e veprimtarisë gjatë muajve mars e prill, në veçanti mbikëqyrësi i shërbimit duhet të interesohet për bashkërendimin e veprës ungjillëzuese. Ai duhet të organizojë vendet ku do të mbahen mbledhjet për shërbimin në fushë, ditët, oraret që janë të volitshme për shumicën e lajmëtarëve dhe të marrë masa që këto të njoftohen rregullisht. Mund të merren masa që të bëhen mbledhje për shërbim në orare të ndryshme gjatë ditës, duke u dhënë të gjithëve në kongregacion një mundësi për të marrë pjesë në forma të ndryshme predikimi. Këtu mund të përfshihen: territori tregtar, dëshmia rrugore, predikimi shtëpi më shtëpi, rivizitat dhe dëshmia me telefon. Përveç kësaj, ai duhet të marrë masa që gjatë këtyre muajve të ketë furnizim të mjaftueshëm me literaturë, revista dhe territore.
13 Literatura që do të ofrohet në muajin mars do të jetë libri Njohuria, me synimin për të filluar studime biblike. Sugjerime shumë të mira për të ofruar librin Njohuria kishte në shtojcën e Shërbimi ynë i Mbretërisë, janar 2002. Për muajin prill, do të ofrohen revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Përpiqu të përdorësh prezantimet e sugjeruara, që gjenden në pjesën me titull: «Çfarë të themi për revistat?» Të gjithë duhet të gjejnë kohë që të përgatiten mirë për të dhënë dëshmi të plotë.
14 Sa të bekuar jemi që punojmë nën drejtimin e Kreut të kongregacionit, Krishtit Jezu dhe që kemi privilegjin t’u japim lajmin e mirë të tjerëve! Ndërsa afrohen muajt mars e prill, le të përpiqemi edhe një herë që t’i bëjmë muajt më të mirë, duke iu bindur urdhrit të Krishtit për të predikuar e për të dhënë dëshmi të plotë.
[Kutia në faqen 4]
Disa mënyra për të shërbyer si pionier ndihmës në mars dhe prill 2003
Dita Orë
E hënë 1 2 — — 2 —
E martë 1 — 3 — — —
E mërkurë 1 2 — 5 — —
E enjte 1 — 3 — — —
E premte 1 2 — — — —
E shtunë 5 4 3 5 6 7
E diel 2 2 3 2 2 3
Mars 56 56 54 55 50 50
Prill 50 50 51 53 — —
A do të të bëjë punë ndonjëri nga këto programe?