Libri i dytë i Kronikave
30 Hezekia i çoi fjalë gjithë Izraelit+ e Judës, dhe i shkroi letra edhe Efraimit e Manaseut,+ që të vinin në shtëpinë e Jehovait në Jerusalem për të kremtuar Festën e Kalimit* për Jehovain, Perëndinë e Izraelit.+ 2 Megjithatë, mbreti, princat e tij dhe gjithë kongregacioni në Jerusalem vendosën ta kremtonin Festën e Kalimit muajin e dytë,+ 3 pasi nuk mundën ta kremtonin në kohën e caktuar,+ sepse nuk ishin shenjtëruar mjaft priftërinj+ dhe populli nuk ishte mbledhur në Jerusalem. 4 Ky vendim iu duk i drejtë mbretit dhe gjithë kongregacionit. 5 Kështu vendosën që të bëhej një shpallje në mbarë Izraelin, nga Ber-Sheba në Dan,+ që populli të vinte në Jerusalem e të kremtonte Festën e Kalimit për Jehovain, Perëndinë e Izraelit, sepse nuk e kishin bërë këtë së bashku siç kërkohej nga Ligji.+
6 Prandaj, sipas urdhrit të mbretit, korrierët* shkuan anembanë Izraelit e Judës me letrat e mbretit dhe të princave të tij, duke thënë: «Popull i Izraelit, kthehuni te Jehovai, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, që ai të kthejë te ju ata që kanë mbetur dhe që kanë shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë.+ 7 Mos u bëni si paraardhësit dhe vëllezërit tuaj që u treguan të pabesë ndaj Jehovait, Perëndisë së paraardhësve të tyre, i cili i bëri objekt llahtarie, tamam siç po e shihni.+ 8 Mos u bëni kokëfortë si paraardhësit tuaj.+ Nënshtrojuni Jehovait dhe ejani në shenjtëroren e tij+ që ai e ka shenjtëruar përgjithmonë dhe shërbejini Jehovait, Perëndisë tuaj, që të largohet prej jush zemërimi i tij i zjarrtë.+ 9 E nëse ktheheni te Jehovai, ata që mbajnë robër vëllezërit e djemtë tuaj do të kenë mëshirë për ta+ dhe do t’i lejojnë të kthehen në këtë vend.+ Sepse Jehovai, Perëndia juaj, është i dhembshur* e i mëshirshëm+ dhe nuk do t’i largojë sytë nga ju, nëse ktheheni tek ai.»+
10 Korrierët* shkuan qytet më qytet, anembanë vendit të Efraimit dhe të Manaseut,+ madje deri në Zabulon, por njerëzit i tallnin e i përqeshnin.+ 11 Megjithatë disa veta nga Asheri, Manaseu dhe Zabuloni u përulën dhe erdhën në Jerusalem.+ 12 Dora e Perëndisë* së vërtetë ishte edhe mbi Judën, që të ishin në një mendje* për të plotësuar urdhërimin e mbretit dhe të princave, sipas fjalës së Jehovait.
13 Një mori njerëzish, një kongregacion jashtëzakonisht i madh, u mblodh në Jerusalem në muajin e dytë+ për të kremtuar Festën e Bukëve Pa Maja.+ 14 Ata hoqën altarët e perëndive të rreme e tërë altarët e temjanit+ që ishin në Jerusalem+ dhe i hodhën në luginën e Kidronit. 15 Pas kësaj, ditën e 14-të të muajit të 2-të, ata therën flijimin e Festës së Kalimit. Atëherë priftërinjtë dhe levitët, të turpëruar, u shenjtëruan edhe vetë dhe sollën blatime të djegura në shtëpinë e Jehovait. 16 Ata qëndruan në vendin e tyre, sipas Ligjit të Moisiut, njeriut të Perëndisë së vërtetë. Pastaj priftërinjtë spërkatën altarin me gjakun+ e marrë nga dora e levitëve. 17 Meqenëse në kongregacion kishte shumë që nuk ishin shenjtëruar, levitët u ngarkuan të thernin flijimet e Festës së Kalimit për të gjithë ata që nuk ishin të pastër,+ që t’i shenjtëronin për Jehovain, 18 sepse shumë njerëz, sidomos nga Efraimi, Manaseu,+ Isahari dhe Zabuloni, e kremtuan Festën e Kalimit ndonëse nuk ishin pastruar siç kërkohej nga Ligji. Por Hezekia u lut për ta: «Jehovai, i cili është i mirë,+ e faltë 19 këdo që ka përgatitur zemrën për të kërkuar Perëndinë e vërtetë,+ Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tij, edhe pse nuk është pastruar sipas standardit të shenjtërisë!»+ 20 Dhe Jehovai e dëgjoi Hezekinë, dhe e fali* popullin.
21 Kështu, për shtatë ditë, izraelitët që ndodheshin në Jerusalem kremtuan me gëzim të madh+ Festën e Bukëve Pa Maja.+ Ditë për ditë, levitët dhe priftërinjtë i thurnin lavde Jehovait dhe u binin fort instrumenteve për Jehovain.+ 22 Përveç kësaj, Hezekia u dha zemër* të gjithë levitëve që i shërbenin Jehovait me maturi. Për shtatë ditë, gjatë festës, ata hëngrën,+ bënë flijime në bashkësi+ dhe e falënderuan Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre.
23 Atëherë tërë kongregacioni vendosi që ta kremtonte festën edhe për shtatë ditë të tjera, prandaj e kremtuan plot gëzim edhe për shtatë ditë të tjera.+ 24 Hezekia, mbreti i Judës, dha si kontribut për kongregacionin 1.000 dema e 7.000 dhen, kurse princat dhanë si kontribut për kongregacionin 1.000 dema e 10.000 dhen.+ Një numër i madh priftërinjsh u shenjtëruan.+ 25 Gjithë kongregacioni i Judës, priftërinjtë, levitët, gjithë kongregacioni që erdhi nga Izraeli,+ si edhe të huajt+ që erdhën nga vendi i Izraelit ose që banonin në Judë, fluturonin nga gëzimi. 26 Mbarë Jerusalemin e kishte pushtuar një gëzim i madh, sepse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në atë qytet që nga ditët e Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit.+ 27 Në fund priftërinjtë levitë u çuan dhe bekuan popullin.+ Perëndia e dëgjoi zërin e tyre dhe lutja e tyre mbërriti në banesën e tij të shenjtë, në qiej.