10 Proverbat e Solomonit.+
Biri i mençur është gëzimi i babait të vet,+
kurse biri i pamend është hidhërimi i nënës së vet.
2 Thesaret e fituara me ligësi nuk sjellin asnjë dobi,
por drejtësia të shpëton nga vdekja.+
3 Jehovai nuk do të lejojë që të drejtët të vuajnë urie,+
dhe të ligjve nuk do t’ua plotësojë dëshirat e pangopura.
4 Duart dembele të varfërojnë,+
kurse duart e palodhura të pasurojnë.+
5 Ai bir që e mbledh prodhimin gjatë verës, vepron me mend,
kurse ai bir që fle thellë gjatë të korrave, e turpëron veten.+
6 Bekimet prehen mbi kokën e të drejtëve,+
por në gojën e të ligjve fshihen qëllime të dhunshme.
7 Emri i mirë i të drejtëve e ka hak bekimin,+
por emri i të ligjve do të tretet.+
8 Kush është i mençur, do t’i pranojë udhëzimet,+
por kush flet marrëzisht, do të nëpërkëmbet.+
9 Kush ecën me integritet, do të ecë i sigurt,+
por kush vepron me dredhi, ka për t’u zbuluar.+
10 Kush e shkel syrin tinëzisht, shkakton hidhërim,+
dhe kush flet marrëzisht, do të nëpërkëmbet.+
11 Goja e të drejtëve është burim jete,+
por në gojën e të ligjve fshihen qëllime të dhunshme.+
12 Urrejtja ndez grindje,
por dashuria i mbulon të gjitha fajet.+
13 Në buzët e njeriut me aftësi dalluese ka mençuri,+
por shkopi është për kurrizin e njeriut pa gjykim të mirë.+
14 Të mençurit e ruajnë si thesar njohurinë,+
kurse goja e të pamendëve e kërkon vetë rrënimin.+
15 Pasuria është qytet i fortifikuar për pasanikët.
Varfëria është rrënimi i fukarenjve.+
16 Veprat e të drejtëve sjellin jetë,
kurse veprat e të ligjve të çojnë në rrugën e mëkatit.+
17 Ai që ia vë veshin disiplinës, të çon në shtegun e jetës,
por ai që e shpërfill korrigjimin, të çon në rrugë të shtrembër.
18 Kush e maskon urrejtjen e vet, thotë gënjeshtra,+
dhe kush përhap thashetheme, është i marrë.
19 Në fjalët e shumta nuk mungojnë fajet,+
por kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.+
20 Gjuha e të drejtëve është si argjend i zgjedhur,+
kurse zemra e të ligjve s’vlen për gjë.
21 Buzët e të drejtëve u prijnë shumë vetave,+
por të pamendët vdesin ngaqë u mungon gjykimi.+
22 Bekimi i Jehovait të bën të pasur+
dhe Ai nuk shton asnjë dhembje.
23 Sjellja e turpshme është një lojë argëtuese për të marrin,
por mençuria i përket njeriut me aftësi dalluese.+
24 Të ligjve do t’u bjerë mbi kokë ajo që i tmerron,
por të drejtëve do t’u plotësohen dëshirat.+
25 Kur të kalojë stuhia, të ligjtë do të fshihen tej,+
por themeli i të drejtëve është i patundur.+
26 Porsi uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë
është përtaci për punëdhënësin e vet.
27 Nderimi i thellë për Jehovain të zgjat jetën,+
kurse ditët e të ligjve do të shkurtohen.+
28 Shpresa e të drejtëve është burim gëzimi,+
por shpresat e të ligjve do të shuhen.+
29 Udha e Jehovait është kala për të paqortueshmit,+
por për të ligjtë është rrënim.+
30 Të drejtët s’kanë për të rënë kurrë,+
kurse të ligjtë s’do të banojnë më në tokë.+
31 Nga goja e të drejtëve del mençuri,
kurse gjuha e mbrapshtë do të pritet.
32 Buzët e të drejtëve e dinë ç’është e këndshme,
por goja e të ligjve është e mbrapshtë.