Zanafilla
26 Tani, në vend kishte rënë përsëri zi buke, si ajo në ditët e Abrahamit.+ Prandaj Isaku shkoi tek Abimeleku, mbreti i filistinëve, në Gerar. 2 Atëherë Jehovai iu shfaq dhe i tha: «Mos shko në Egjipt, por bano në vendin që do të të tregoj. 3 Bano si i huaj në këtë vend,+ dhe unë do të vazhdoj të jem me ty e do të të bekoj, sepse ty dhe pasardhësit* tënd do t’ju jap gjithë këto vende+ dhe do të mbaj betimin që i bëra Abrahamit, atit tënd:+ 4 ‘Do ta shumoj pasardhësin* tënd si yjet e qiellit+ dhe do t’i jap pasardhësit tënd të gjitha këto vende.+ Me anë të pasardhësit tënd do të bekohen* gjithë kombet e tokës’,+ 5 sepse Abrahami e dëgjoi zërin tim dhe iu përmbajt vazhdimisht kërkesave, urdhërimeve, normave dhe ligjeve të mia.»+ 6 Kështu Isaku vazhdoi të banonte në Gerar.+
7 Kur banorët e vendit e pyetnin për të shoqen, Isaku u përgjigjej: «Është motra ime.»+ Kishte frikë të tregonte që ishte gruaja e vet, se thoshte: «Banorët e vendit mund të më vrasin për shkak të Rebekës», ngaqë ishte e bukur.+ 8 Pas ca kohësh, Abimeleku, mbreti i filistinëve, po shikonte nga dritarja dhe vuri re Isakun që po përkëdhelte* Rebekën.+ 9 Menjëherë Abimeleku e thirri Isakun dhe i tha: «Ajo qenka gruaja jote! Pse the: ‘Është motra ime.’» Isaku ia ktheu: «E thashë nga frika se mos vdisja për shkak të saj.»+ 10 Por Abimeleku vazhdoi: «Ç’na bëre kështu?+ Fare kollaj dikush nga populli mund të kishte fjetur me gruan tënde, dhe ti do të na kishe ngarkuar me faj!»+ 11 Pastaj Abimeleku e urdhëroi gjithë popullin: «Atë që e prek këtë njeri dhe gruan e tij, e pret vdekja!»
12 Tani, Isaku nisi të mbillte në atë vend dhe atë vit mori 100-fishin e asaj që mbolli, meqë Jehovai po e bekonte.+ 13 Ky njeri u pasurua dhe sa vinte e më mbarë i shkonte, prandaj u bë shumë i pasur. 14 Ai pati kope me dhen, tufa me gjedhë e goxha shërbëtorë,+ dhe filistinët filluan ta kishin zili.
15 Prandaj filistinët i mbyllën me dhé të gjitha puset që kishin hapur shërbëtorët e Abrahamit, atit të tij.+ 16 Abimeleku i tha Isakut: «Largohu që këtej, sepse je bërë shumë më i fortë se ne.» 17 Kështu Isaku iku që andej, ngriti kampin në luginën* e Gerarit+ dhe filloi të jetonte atje. 18 Isaku i hapi prapë puset që kishin hapur në kohën e Abrahamit, të atit, por që filistinët i kishin mbyllur pas vdekjes së Abrahamit,+ dhe i quajti përsëri siç i kishte quajtur i ati.+
19 Kur shërbëtorët e Isakut po gërmonin në luginë, gjetën një pus me ujë të pijshëm, 20 dhe barinjtë e Gerarit filluan të bënin fjalë me barinjtë e Isakut: «Uji është yni.» Prandaj ai e quajti pusin Esek,* sepse ata kishin bërë fjalë me të. 21 Shërbëtorët nisën të gërmonin një pus tjetër, por barinjtë filluan të bënin fjalë edhe për atë, prandaj ai e quajti Sitnah.* 22 Më vonë, Isaku u largua që andej dhe hapi një pus tjetër, por për këtë nuk bënë fjalë. Prandaj ia vuri emrin Rehobot* dhe tha: «Se tani Jehovai na ka dhënë një vend të gjerë dhe na ka bërë të frytshëm në këtë vend.»+
23 Pastaj Isaku u largua dhe shkoi në Ber-Shebë.+ 24 Atë natë Jehovai iu shfaq dhe i tha: «Unë jam Perëndia i Abrahamit, atit tënd.+ Mos ki frikë,+ sepse jam me ty dhe do të të bekoj e do ta shumoj pasardhësin* tënd për hir të Abrahamit, shërbëtorit tim.»+ 25 Prandaj Isaku ndërtoi atje një altar dhe i thuri lavde emrit të Jehovait.+ Pastaj ngriti tendën+ dhe shërbëtorët e tij hapën atje një pus.
26 Më vonë, Abimeleku erdhi nga Gerari bashkë me Ahuzatin, këshilltarin e tij, dhe me Fikolin, kreun e ushtrisë.+ 27 Kur i pa, Isaku u tha: «Pse keni ardhur këtu, përderisa më urreni?! A nuk ishit ju që më dëbuat?!» 28 Ata ia kthyen: «E kemi parë qartë se Jehovai ka qenë me ty,+ prandaj menduam të të thoshim: ‘Të lutemi, le të betohemi e të lidhim këtë besëlidhje mes nesh:+ 29 Ti nuk do të na bësh asgjë të keqe, ashtu siç nuk të prekëm ne, por të bëmë vetëm të mira dhe të lamë të ikje në paqe, sepse e kuptojmë se ti je i bekuari i Jehovait.’» 30 Atëherë ai shtroi për ta një gosti dhe ata hëngrën e pinë. 31 Në mëngjes, u ngritën herët dhe iu betuan njëri-tjetrit.+ Pastaj Isaku i la të iknin dhe ata u larguan në paqe.
32 Atë ditë shërbëtorët e Isakut vajtën tek ai dhe e njoftuan për pusin që kishin hapur:+ «Kemi gjetur ujë!» 33 Prandaj ai e quajti Shibah. Ja pse emri i qytetit është Ber-Shebë+ edhe sot e kësaj dite.
34 Kur ishte 40 vjeç, Esau u martua me Juditën, vajzën e Berit, hititit, si dhe me Basematën, vajzën e Elonit, hititit.+ 35 Ato ishin burim i madh hidhërimi* për Isakun dhe Rebekën.+