Libri i dytë i Kronikave
18 Jehozafati pati pasuri të mëdha dhe shumë lavdi,+ por lidhi aleancë* me Akabin.+ 2 Kështu, vite më vonë ai shkoi tek Akabi në Samari,+ dhe Akabi flijoi dhen e gjedhë me bollëk për të dhe për njerëzit që ishin me të. Ai e nxiti* të dilte kundër Ramot-Galadit.+ 3 Pastaj Akabi, mbreti i Izraelit, i tha Jehozafatit, mbretit të Judës: «A do të vish me mua në Ramot-Galad?» Ai iu përgjigj: «Unë e ti jemi një. Populli im është populli yt dhe ne do të jemi me ty në luftë.»
4 Mirëpo, Jehozafati i tha mbretit të Izraelit: «Të lutem, kërko më parë drejtimin e Jehovait.»+ 5 Kështu, mbreti i Izraelit mblodhi profetët, 400 burra, dhe i pyeti: «Të shkoj në luftë kundër Ramot-Galadit, apo të mos shkoj?» Ata i thanë: «Shko, dhe Perëndia i vërtetë do ta japë atë në dorë të mbretit.»
6 Atëherë Jehozafati tha: «Mos ka ndonjë tjetër profet të Jehovait këtu?+ Të kërkojmë drejtimin e Perëndisë edhe nëpërmjet tij.»+ 7 Me të dëgjuar këtë, mbreti i Izraelit i tha Jehozafatit: «Ka edhe një burrë+ nëpërmjet të cilit mund të kërkojmë drejtimin e Jehovait, po unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë gjëra të mira për mua, por vetëm të këqija.+ Ai është Mikajahu, biri i Imlahut.» Por Jehozafati i tha: «S’është mirë që mbreti të thotë një gjë të tillë.»
8 Kështu mbreti i Izraelit thirri një zyrtar oborri dhe i tha: «Sill shpejt Mikajahun, birin e Imlahut.»+ 9 Mbreti i Izraelit dhe Jehozafati, mbreti i Judës, të veshur me rrobat e tyre mbretërore, ishin ulur secili në fronin e vet te lëmi në hyrjen e portës së Samarisë dhe gjithë profetët profetizonin para tyre. 10 Atëherë Zedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë prej hekuri dhe tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Me këta brirë do t’i godasësh* sirianët derisa t’i shfarosësh.’» 11 Gjithë profetët e tjerë profetizonin njëlloj: «Ngjitu në Ramot-Galad e do të kesh sukses,+ se Jehovai do ta japë atë në dorë të mbretit.»
12 Kështu lajmëtari që shkoi për të thirrur Mikajahun i tha: «Të gjitha fjalët e profetëve janë në favor të mbretit. Qofshin edhe fjalët e tua si fjalët e tyre+ dhe, të lutem, fol në favor të mbretit.»+ 13 Por Mikajahu tha: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, unë do të them çfarëdo që të më thotë Perëndia im.»+ 14 Pastaj ai vajti te mbreti, i cili e pyeti: «Mikajah, të shkojmë në Ramot-Galad për luftë apo të mos shkojmë?» Menjëherë ai iu përgjigj: «Shkoni e do të keni sukses, se ata do të bien në duart tuaja.» 15 Atëherë mbreti i tha: «Sa herë duhet të të vë në be që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Jehovait?» 16 Mikajahu ia ktheu: «I shoh tërë izraelitët të shpërndarë nëpër male, si dele pa bari.+ Jehovai tha: ‘Këta janë pa zot. Të kthehet secili në shtëpinë e vet në paqe.’»
17 Atëherë mbreti i Izraelit i tha Jehozafatit: «A nuk të thashë: ‘Ai nuk do të profetizojë për mua gjëra të mira, por vetëm të këqija.’»+
18 Mikajahu vazhdoi: «Dëgjoje, pra, fjalën e Jehovait. E pashë Jehovain të ulur në fronin e tij+ dhe gjithë ushtrinë e qiejve+ që i qëndronte në të djathtë dhe në të majtë.+ 19 Jehovai tha: ‘Kush do t’ia prishë mendjen Akabit, mbretit të Izraelit, që të shkojë dhe të vritet në Ramot-Galad?’ Njëri filloi të thoshte kështu e tjetri ashtu. 20 Pastaj u afrua një engjëll,*+ qëndroi para Jehovait dhe tha: ‘Do t’ia prish unë mendjen.’ Jehovai e pyeti: ‘Në ç’mënyrë?’ 21 Ai u përgjigj: ‘Do të shkoj dhe do t’i bëj të gjithë profetët e tij t’i thonë gënjeshtra.’* Atëherë Perëndia ia ktheu: ‘Ti do t’ia prishësh mendjen dhe do t’ia dalësh mbanë. Shko e bëj siç the.’ 22 Ja pra, Jehovai ka lejuar një engjëll* që t’i bëjë profetët e tu të thonë gënjeshtra,+ ama dije se Jehovai ka shpallur se ty do të të bien të këqija.»
23 Atëherë Zedekia,+ biri i Kenanahut, u afrua, i dha një shpullë+ Mikajahut+ e tha: «Po thua se fryma e Jehovait ka ikur prej meje* për të folur me ty?!»+ 24 Mikajahu ia ktheu: «Do ta kuptosh këtë ditën kur të shkosh për t’u fshehur në dhomën më të futur.» 25 Pastaj mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikajahun e dorëzojani Amonit, kreut të qytetit, dhe Joashit, birit të mbretit, 26 e thuajuni: “Mbreti ka thënë: ‘Futeni këtë njeri në burg+ dhe jepini racione të vogla buke dhe uji derisa të kthehem me fitore.’”» 27 Por Mikajahu tha: «Në u kthefsh me fitore, Jehovai nuk ka folur me mua.»+ Pastaj shtoi: «Mbajeni mend këtë, të gjithë ju njerëz!»
28 Kështu, mbreti i Izraelit dhe Jehozafati, mbreti i Judës, shkuan në Ramot-Galad.+ 29 Mbreti i Izraelit i tha Jehozafatit: «Unë do të maskohem e do të hyj në betejë, kurse ti vish rrobat e tua mbretërore.» Atëherë, mbreti i Izraelit u maskua, dhe pastaj ata hynë në betejë. 30 Tani mbreti i Sirisë i kishte urdhëruar komandantët e karrocave: «Mos luftoni kundër askujt,* por vetëm kundër mbretit të Izraelit.» 31 Sa e panë Jehozafatin, komandantët e karrocave thanë me vete: «Ky është mbreti i Izraelit.» Kështu shkuan drejt tij për ta sulmuar e Jehozafati filloi të thërriste për ndihmë,+ dhe Jehovai e ndihmoi. Menjëherë Perëndia bëri që ata të largoheshin prej tij. 32 Sapo e kuptuan që nuk ishte mbreti i Izraelit, komandantët e karrocave nuk e ndoqën më.
33 Por një burrë qëlloi me hark dhe rastësisht* e goditi mbretin e Izraelit mes thurjeve të thurakut.* Kështu mbreti i tha karrocierit: «Kthehu dhe më nxirr nga beteja,* sepse jam plagosur rëndë.»+ 34 Atë ditë beteja ishte e ashpër. Deri në mbrëmje, mbretin e Izraelit u desh ta mbanin në këmbë brenda karrocës, përballë sirianëve. Ai vdiq në perëndim të diellit.+