Letra e dytë e Gjonit
1 Plaku,* drejtuar zonjës së zgjedhur* dhe fëmijëve të saj, të cilët i dua vërtet, dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që kanë arritur të njohin të vërtetën. 2 Ne ju duam për shkak të së vërtetës që është dhe do të jetë përgjithmonë në zemrat tona. 3 Perëndia, Ati, si edhe Jezu Krishti, Biri i Atit, do të na japin mirësi të pamerituar,* mëshirë dhe paqe, bashkë me të vërtetën dhe dashurinë.
4 Gëzoj shumë, sepse kam marrë vesh se disa nga fëmijët e tu po ecin në të vërtetën,+ ashtu siç na urdhëroi Ati. 5 Prandaj, o zonjë, tani të kërkoj që ta duam njëri-tjetrin. (Nuk po të shkruaj një urdhërim të ri, por një që e kemi pasur që nga fillimi.)+ 6 Dhe kjo do të thotë dashuri: të vazhdojmë të ecim sipas urdhërimeve të tij.+ Ashtu siç e keni dëgjuar që nga fillimi, urdhërimi i tij është që të vazhdoni të ecni në* dashuri, 7 sepse shumë mashtrues kanë dalë në botë,+ që nuk e pranojnë se Jezu Krishti erdhi në tokë si njeri.*+ Ai që vepron kështu, është mashtruesi dhe antikrishti.+
8 Hapni sytë që të mos ju ikë nga duart fryti i punës sonë, por që të merrni një shpërblim të plotë.+ 9 Kushdo që shkon përtej mësimit të Krishtit dhe nuk i qëndron besnik, nuk është në unitet me Perëndinë.+ Ai që i qëndron besnik këtij mësimi, është në unitet edhe me Atin, edhe me Birin.+ 10 Nëse dikush vjen te ju e nuk sjell këtë mësim, mos e pranoni në shtëpinë tuaj,+ as mos e përshëndetni, 11 sepse ai që e përshëndet, merr pjesë në* veprat e tij të liga.
12 Megjithëse kam shumë gjëra për t’ju shkruar, nuk dëshiroj ta bëj me letër e bojë, por shpresoj të vij te ju e t’ju flas sy për sy, që gëzimi juaj të jetë i plotë.
13 Fëmijët e motrës sate, të së zgjedhurës, të dërgojnë të fala.