Sipas Gjonit
10 «Me të vërtetë po ju them: ai që nuk hyn në vathën e deleve nga dera, por hyn në ndonjë mënyrë tjetër, është hajdut dhe plaçkitës.+ 2 Kurse ai që hyn nga dera, është bariu i deleve,+ 3 dhe këtij ia hap derën portieri.+ Delet e dëgjojnë zërin e tij,+ ai i thërret me emër delet e veta dhe i nxjerr nga vatha. 4 Kur i ka nxjerrë gjithë delet e veta, ai u prin dhe ato e ndjekin, sepse ia njohin zërin. 5 Një të panjohur nuk do ta ndiqnin kurrsesi, por do të largoheshin menjëherë prej tij, sepse nuk e njohin zërin e të panjohurve.» 6 Jezui u tregoi atyre këtë krahasim,* por judenjtë nuk e kuptuan ç’po u thoshte.
7 Prandaj Jezui tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera për delet.+ 8 Të gjithë ata që kanë ardhur si bariu i vërtetë në vendin tim, janë hajdutë dhe plaçkitës, por delet nuk i kanë dëgjuar. 9 Unë jam dera, dhe kushdo që hyn në vathë nëpërmjet meje, do të shpëtojë, do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.+ 10 Hajduti vjen vetëm që të vjedhë, që të presë e që të shkatërrojë.+ Unë erdha që ato të kenë jetë, e ta kenë pafundësisht. 11 Unë jam bariu i shkëlqyer,+ dhe bariu i shkëlqyer jep jetën* për delet.+ 12 Kush punësohet që të kujdeset për kopenë, nuk është bari dhe delet nuk i ka të vetat. Prandaj kur e sheh ujkun që vjen, i braktis delet e ia mbath—ujku i rrëmben e i shpërndan andej-këtej—13 sepse ai është thjesht i punësuar dhe nuk merakoset për delet. 14 Unë jam bariu i shkëlqyer. Unë i njoh delet e mia, dhe delet e mia më njohin,+ 15 ashtu si Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin.+ Unë jap jetën* për delet.+
16 Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe.+ Edhe atyre do t’u prij,* dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.+ 17 Ja pse Ati më do,+ sepse jap jetën time,*+ që të mund ta marr përsëri. 18 Askush nuk ma merr jetën, por e jap me nismën time. Unë kam autoritet ta jap dhe ta marr përsëri atë.+ Këtë urdhërim e kam marrë nga Ati im.»
19 Judenjtë u përçanë+ përsëri për shkak të këtyre fjalëve. 20 Shumë thoshin: «Ai ka një demon dhe ka luajtur mendsh. Ç’e dëgjoni?!» 21 Të tjerët thoshin: «Këto nuk janë fjalët e një të demonizuari. A mundet një demon t’u hapë sytë të verbërve?»
22 Në atë kohë, në Jerusalem u bë Festa e Kushtimit. Ishte dimër 23 dhe Jezui po ecte në tempull, në kolonadën e Solomonit.+ 24 Atëherë judenjtë e rrethuan dhe filluan ta pyetnin: «Deri kur do të na mbash* në ajër? Nëse ti je Krishti, na e thuaj troç.» 25 Jezui iu përgjigj: «Jua thashë, e prapëseprapë ju nuk besoni. Veprat që po bëj në emër të Atit tim, japin dëshmi për mua.+ 26 Por ju nuk besoni sepse nuk jeni delet e mia.+ 27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin.+ 28 Unë u jap jetë të përhershme,+ dhe ato nuk do të shkatërrohen kurrën e kurrës, e askush nuk do të m’i rrëmbejë nga dora.+ 29 Delet që Ati më ka dhënë, janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër, dhe askush s’mund t’ia rrëmbejë Atit nga dora.+ 30 Unë dhe Ati jemi një.»*+
31 Judenjtë morën përsëri gurë që ta vritnin. 32 Jezui u tha: «Ju tregova shumë vepra të shkëlqyera nga Ati. Për cilën prej tyre po më vritni me gurë?» 33 Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk po të vrasim për ndonjë vepër të shkëlqyer, por për blasfemi*+ sepse ti e bën veten perëndi ndonëse je njeri.» 34 Jezui u tha: «A nuk është shkruar në Ligjin tuaj: “Unë thashë: ‘Ju jeni perëndi.’”*+ 35 Nëse Perëndia i quajti ‘perëndi’+ ata kundër të cilëve u drejtua fjala e tij—dhe ai shkrim nuk anulohet dot—36 mua që Ati më shenjtëroi dhe më dërgoi në botë, më thoni: ‘Ti blasfemon’, ngaqë thashë se jam Biri i Perëndisë?!+ 37 Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni. 38 Por nëse i bëj, edhe pse nuk më besoni mua, besojuni veprave,+ që të kuptoni dhe të besoni gjithnjë se Ati është në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me Atin.»+ 39 Prandaj u përpoqën sërish ta kapnin, por ai u iku nga duart.
40 Kështu shkoi përsëri matanë Jordanit, në vendin ku pagëzonte Gjoni në fillim,+ dhe qëndroi atje. 41 Shumë njerëz vajtën tek ai dhe nisën të thoshin: «Gjoni vërtet nuk kreu asnjë shenjë,* por gjithë sa tha për këtë njeri, ishin të vërteta.»+ 42 Atje, shumë veta treguan besim tek ai.