Libri i dytë i Samuelit
18 Pastaj Davidi numëroi njerëzit që ishin me të dhe vuri mbi ta krerë të mijësheve e të qindësheve.+ 2 Një të tretën e njerëzve Davidi e dërgoi nën komandën e Joabit,+ një të tretën nën komandën e vëllait të Joabit, Abishait,+ djalit të Zerujasë,+ dhe një të tretën nën komandën e gititit Itá.+ Pastaj mbreti u tha njerëzve: «Edhe unë do të vij me ju.» 3 Por ata thanë: «Ti nuk duhet të vish,+ sepse edhe po t’ia mbathim ne, edhe po të vritet gjysma prej nesh, atyre s’do t’u bjerë ndër mend për ne, kurse ti vlen sa 10.000 nga ne.+ Prandaj do të ishte më mirë nëse na ndihmon nga qyteti.» 4 Mbreti u tha: «Do të bëj si t’ju duket më mirë.» Kështu mbreti qëndroi pranë portës së qytetit, kurse tërë njerëzit dolën sipas qindësheve e sipas mijësheve. 5 Më pas mbreti urdhëroi Joabin, Abishain dhe Itain: «Mos e trajtoni ashpër të riun Absalom, për hatrin tim.»+ Tërë njerëzit e dëgjuan urdhrin që u dha mbreti gjithë krerëve për Absalomin.
6 Tani, njerëzit shkuan drejt fushës që të ndesheshin me Izraelin; beteja u bë në pyllin e Efraimit.+ 7 Atë ditë, shërbëtorët e Davidit+ e mundën popullin e Izraelit+ dhe u bë masakër e madhe: vdiqën 20.000 burra. 8 Beteja u shtri në mbarë rajonin, dhe atë ditë më shumë njerëz përpiu pylli sesa shpata.
9 Në fund Absalomi u gjend përballë shërbëtorëve të Davidit. Absalomi i kishte hipur një mushke e cila kaloi nën degët e dendura të një peme të madhe dhe koka e tij ngeci keq te kjo pemë, prandaj mbeti i varur në ajër,* ndërsa mushka vazhdoi rrugën. 10 Pastaj dikush e pa dhe i tha Joabit:+ «Pashë Absalomin të varur në një pemë të madhe.» 11 Joabi ia ktheu: «Nëse e pe, pse nuk e vrave në vend? Atëherë do të kisha dhënë me kënaqësi dhjetë monedha argjendi dhe një brez.» 12 Por ai i tha Joabit: «Edhe sikur të më jepnin* 1.000 monedha argjendi, nuk do të ngrija dorë kundër djalit të mbretit, sepse e dëgjuam vetë që mbreti të urdhëroi ty, Abishain dhe Itain: ‘Secili prej jush të kujdeset që të mos i ndodhë ndonjë e keqe të riut Absalom.’+ 13 Nëse nuk do të isha bindur dhe do t’ia kisha marrë jetën, me siguri mbreti do ta merrte vesh, dhe ti s’do të më mbroje.» 14 Atëherë Joabi tha: «Kot që humbas kohë me ty!» Kështu mori tri shigjeta* në dorë dhe ia nguli tejpërtej në zemër Absalomit, ndërkohë që ishte ende gjallë mes degëve të pemës së madhe. 15 Pastaj erdhën dhjetë shërbëtorë që mbanin armët e Joabit dhe e goditën Absalomin derisa vdiq.+ 16 Atëherë Joabi i ra bririt dhe njerëzit u kthyen e nuk e ndoqën më Izraelin; Joabi i urdhëroi të ktheheshin pas. 17 Ata e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe ngritën mbi të një pirg shumë të madh me gurë.+ Ndërkohë tërë izraelitët ia mbathën në shtëpitë e tyre.
18 Kur ishte gjallë, Absalomi kishte ngritur një shtyllë për vete në Luginën* e Mbretit,+ sepse thoshte: «Unë s’kam djalë që ta ruajë kujtimin e emrit tim.»+ Kështu i vuri shtyllës emrin e vet dhe ajo quhet Përmendorja e Absalomit deri sot e kësaj dite.
19 Ahimazi,+ djali i Sadokut, tha: «Të lutem, më lër të vrapoj e t’ia çoj lajmin mbretit, sepse Jehovai i ka siguruar drejtësi dhe e ka çliruar nga armiqtë e vet.»+ 20 Por Joabi i tha: «Ti nuk do të çosh lajme sot. Një ditë tjetër po, por sot nuk do të çosh lajme, sepse ka vdekur djali i mbretit.»+ 21 Atëherë Joabi i tha një kushiti:+ «Shko, tregoja mbretit atë që ke parë.» Me të dëgjuar këtë, kushiti u përkul para Joabit dhe iku me vrap. 22 Ahimazi, djali i Sadokut, i tha përsëri Joabit: «Të ndodhë ç’të ndodhë! Të lutem, lërmë të vrapoj edhe unë pas kushitit.» Por Joabi tha: «Pse të vraposh, biri im, përderisa s’ke asnjë lajm për të çuar?» 23 Megjithatë ai tha prapë: «Të ndodhë ç’të ndodhë, lërmë të vrapoj.» Atëherë Joabi ia ktheu: «Vrapo, pra!» Ahimazi vrapoi nëpër udhën e krahinës së Jordanit,* dhe më në fund ia kaloi kushitit.
24 Ndërkohë Davidi po rrinte ulur mes dy portave të qytetit.+ Roja+ u ngjit në tarracën e portës pranë murit, dhe kur ngriti sytë, pa një burrë që po vraponte i vetëm. 25 Atëherë roja thirri dhe i tregoi mbretit, që i tha: «Nëse është vetëm, po sjell lajme.» Ndërsa ai afrohej gjithnjë e më shumë, 26 roja pa një burrë tjetër që po vraponte. Prandaj i thirri derëtarit: «Ja, edhe një burrë tjetër po vrapon i vetëm!» Mbreti i tha: «Edhe ky po sjell lajme.» 27 Roja tha: «Po shoh se burri i parë vrapon si Ahimazi,+ djali i Sadokut.» Kështu mbreti i tha: «Ai është burrë i mirë dhe sjell lajme të mira.» 28 Atëherë Ahimazi i thirri mbretit: «Gjithçka është mirë!» Pastaj u përkul me fytyrë përtokë para mbretit dhe tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia yt, që i ka dorëzuar në duart e tua njerëzit që u rebeluan* kundër teje, o mbret!»+
29 Megjithatë mbreti e pyeti: «A është mirë i riu Absalom?» Ahimazi iu përgjigj: «Kur Joabi dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua,* pashë një rrëmujë të madhe, por nuk e mora vesh çfarë ishte.»+ 30 Atëherë mbreti tha: «Dil mënjanë dhe qëndro këtu.» Menjëherë ai doli mënjanë dhe qëndroi atje.
31 Pastaj arriti kushiti+ dhe i tha: «Zotëria im, mbreti, e pranoftë këtë lajm: sot Jehovai të ka siguruar drejtësi e të ka çliruar nga dora e të gjithë atyre që u rebeluan kundër teje!»+ 32 Por mbreti e pyeti kushitin: «A është mirë i riu Absalom?» Kushiti iu përgjigj: «Si ai i ri u bëfshin gjithë armiqtë e zotërisë tim, mbretit, dhe të gjithë ata që u rebeluan kundër teje për të të bërë keq!»+
33 Mbreti u trondit dhe u ngjit në dhomën që gjendej në tarracën e portës. Ndërsa ecte nëpër dhomë, ai qante dhe thoshte: «Oh, djali im Absalom, djali im, djali im Absalom! Ah, sikur të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, djali im, djali im!»+