ABSALOMI
[ati (d.m.th. Perëndia) është paqe].
I treti nga gjashtë bijtë që i lindën Davidit në Hebron. E ëma ishte Makaha, e bija e Talmait, mbretit të Geshurit. (2Sa 3:3-5) Absalomit i lindën tre djem dhe një vajzë. (2Sa 14:27) Te 1 Mbretërve 15:2, 10 ai quhet Abishalom.—Shih 2Kr 11:20, 21.
Bukuria ishte një tipar që binte në sy në familjen e Absalomit. Atë e mbante në gojë gjithë vendi për bukurinë e tij të rrallë. Flokët e tij të gjatë e të dendur, që pa dyshim bëheshin më të rëndë nga përdorimi i vajrave ose i pomadave, peshonin rreth 200 sikla (2,3 kg) kur i qethte në fund të vitit. Edhe e motra, Tamara, ishte e bukur dhe vajza e tij, që kishte emrin e hallës, u bë «shumë e bukur». (2Sa 14:25-27; 13:1) Megjithatë, kjo bukuri nuk vlejti për asgjë, pasi çoi në disa ngjarje të shëmtuara që brengosën mjaft Davidin, babanë e Absalomit, dhe të tjerë, si dhe provokuan trazira të mëdha në vend.
Vrasja e Amnonit. Bukuria e Tamarës, motrës së Absalomit, e marrosi Amnonin, vëllanë e saj më të madh nga babai. Duke u shtirur si i sëmurë, Amnoni arriti ta bindte të atin që t’i dërgonte Tamarën për t’i gatuar diçka, dhe pastaj e përdhunoi. Dashuria e zjarrtë e Amnonit u kthye në urrejtje përbuzëse dhe ai e përzuri Tamarën. Ajo shqeu petkun me vija që e dallonte si vajzë e virgjër e mbretit dhe, duke ikur me kokën të mbuluar me hi, ndeshi rrugës Absalomin. Në çast ai e kapi ç’kish ndodhur dhe menjëherë dyshoi tek Amnoni, dhe me këtë tregoi se e kishte vënë re që gjysmëvëllai i tij ishte dalldisur pas saj. Absalomi e porositi të motrën të mos ngrinte asnjë akuzë dhe e mori në shtëpinë e vet.—2Sa 13:1-20.
Pra, për Tamarën nuk u kujdes i ati, por i vëllai, Absalomi. Sipas një studiuesi, kjo ishte në harmoni me një zakon në Lindje, ku në një familje poligame, fëmijët e një barku janë mjaft të lidhur me njëri-tjetrin dhe vajzat «gëzojnë mbrojtjen e kujdesin e veçantë të vëllait, nga i cili . . . pritet më shumë se nga vetë babai kur bëhet fjalë për nderin dhe sigurinë e tyre». (Daily Bible Illustrations, Samueli, Sauli dhe Davidi, nga Xhon Kito, 1857, f. 384) Shumë kohë më parë, edhe Levi e Simeoni, dy nga vëllezërit e një gjaku me Dinën, u hakmorën vetë për çnderimin e motrës së tyre.—Zn 34:25.
Kur mori vesh për poshtërimin e së bijës, Davidi u zemërua shumë, por ndoshta, ngaqë s’u ngrit asnjë akuzë e drejtpërdrejtë ose formale e mbështetur me prova ose dëshmitarë, ai nuk mori asnjë masë gjyqësore kundër fajtorit. (Lp 19:15) Absalomi, nga ana e tij, mund të ketë parapëlqyer të mos bëhej e madhe shkelja e Ligjit nga Amnoni (Le 18:9; 20:17), që të mos merrej nëpër gojë emri i vet dhe i familjes. Megjithatë, sado që nuk e jepte veten, ai e urrente për vdekje Amnonin dhe, ndërsa ushqente këtë ndjenjë, priste rastin e volitshëm që të hakmerrej sipas mënyrës së vet. (Krahaso Pr 26:24-26; Le 19:17.) Që nga kjo kohë, jeta e tij, që zë pjesën më të madhe të gjashtë prej kapitujve të Librit të Dytë të Samuelit, u karakterizua nga një varg pabesish.—2Sa 13:21, 22.
Kaluan dy vjet. Ishte koha e qethjes së deleve, një rast festiv, dhe Absalomi shtroi një gosti në Baal-Hazor rreth 22 km në veri-verilindje të Jerusalemit, ku ftoi bijtë e mbretit dhe vetë Davidin. Kur i ati nuk pranoi të shkonte, Absalomi nguli këmbë që të dërgonte në vend të tij Amnonin, të parëlindurin. (Pr 10:18) Gjatë gostisë, pasi Amnoni ‘erdhi në qejf nga vera’, Absalomi urdhëroi shërbëtorët që ta vritnin. Bijtë e tjerë të mbretit u kthyen në Jerusalem, kurse Absalomi mërgoi te gjyshi i tij sirian në mbretërinë e Geshurit, në lindje të detit të Galilesë. (2Sa 13:23-38) «Shpata» e parathënë nga profeti Natan kishte hyrë në ‘shtëpinë’ e Davidit dhe nuk do të largohej deri në fund të jetës së tij.—2Sa 12:10.
Falja e të atit. Pas tre vjetësh dhembja e humbjes së të parëlindurit ishte fashitur disi dhe Davidi po digjej nga malli për të birin, Absalomin. Joabi ia lexoi mendimin mbretit që ishte njëherazi edhe xhaxhai i tij dhe përdori një strategji që i hapi rrugën Davidit për t’i dhënë faljen me kusht Absalomit e për ta riatdhesuar, por pa të drejtën që të dilte para mbretit. (2Sa 13:39; 14:1-24) Absalomi e duroi këtë lloj ndëshkimi për dy vjet dhe më pas filloi të manovronte si të merrte faljen e plotë. Joabi, si zyrtar i oborrit të mbretit, nuk pranoi ta vizitonte. Atëherë, që ta detyronte të shkonte, Absalomi i vuri zjarrin arës me elb të Joabit. Joabi i indinjuar shkoi tek ai dhe Absalomi i tha se donte një vendim përfundimtar nga mbreti, duke i thënë: «Në pastë ndonjë faj tek unë, le të më vrasë.» Joabi ia përcolli mesazhin mbretit David, i cili e priti të birin. Absalomi ra përmbys para tij për t’i treguar nënshtrimin pa rezerva dhe mbreti e puthi në shenjë të faljes së plotë.—2Sa 14:28-33.
Pabesia e Absalomit. Megjithatë, gjatë pesë vjetëve që kishte qenë larg të atit, me sa duket Absalomit i ishte venitur çdo fije dashurie e natyrshme ose birnore për Davidin. Ndoshta, tri vitet që kaloi me një familje mbretërore pagane mund të kenë ndikuar që ai të zhvillonte një ambicie të sëmurë. Absalomi mund të ketë menduar se froni i takonte atij, pasi kishte gjak mbretëror si nga e ëma, edhe nga i ati. Gjithashtu, ka mundësi që Kileabi (Danieli), djali i dytë i Davidit, të kishte vdekur, ngaqë mbas lindjes ai nuk përmendet më. Kështu që Absalomi mbetej djali më i madh i Davidit nga ata që ishin gjallë. (2Sa 3:3; 1Kr 3:1) Megjithatë, pas lindjes së Absalomit, Perëndia i premtoi Davidit se në të ardhmen do t’i jepte një «pasardhës» që do të trashëgonte fronin, pra, Absalomi duhej ta dinte që nuk ishte zgjedhur nga Jehovai për të qenë mbret. (2Sa 7:12) Sidoqoftë, pasi u bë përsëri pjesë e familjes mbretërore, Absalomi nisi një fushatë të fshehtë politike. Me një zotësi të rrallë, ai filloi të shtirej sikur merakosej shumë për mirëqenien e njerëzve dhe u paraqit si mik i popullit. Me kujdes, ai u shtiu në mendje njerëzve, sidomos atyre që nuk ishin nga fisi i Judës, se mbretit nuk i bëhej vonë për çështjet e tyre ligjore dhe se u duhej medoemos një njeri me zemër të madhe si ai.—2Sa 15:1-6.
Për shprehjen «në fund të dyzet vjetëve» te 2 Samuelit 15:7 nuk ka një shpjegim të saktë dhe te Septuaginta greke (botimi i Lagardës), Peshita siriake dhe Vulgata latine përkthehet «katër vjet». Megjithatë, nëse ‘katër vjetët’ llogariten që nga momenti i rikthimit të tij të plotë në familjen mbretërore, është e pamundur që Absalomi të ketë pritur plot gjashtë vjet për të përmbushur zotimin e tij. (2Sa 14:28) Përderisa tri vitet e zisë së bukës, lufta me filistinët dhe orvatja e Adonijahut për të marrë fronin ndodhën gjatë mbretërimit të Davidit dhe pas ngjarjeve për të cilat po flasim, është e qartë se sipas shkrimtarit ‘dyzet vjetët’ duhet të kenë filluar mjaft kohë para nisjes së mbretërimit 40-vjeçar të Davidit dhe ndoshta bëhet fjalë për 40 vjet që nga hera e parë që ai u miros nga Samueli. Vetëm sipas këtij shpjegimi Absalomi mund të quhej akoma ‘i ri’ në këtë pikë të tregimit (2Sa 18:5), pasi ai lindi diku mes vitit 1077 dhe 1070 p.e.s.
I kënaqur që kishte fituar shumë përkrahës në mbarë mbretërinë, Absalomi sajoi një pretekst dhe i kërkoi të atit të shkonte në Hebron, në kryeqytetin e parë të Judës. Atje kurdisi me të shpejtë një komplot të përgjithshëm për të marrë fronin, dhe me këtë synim organizoi një rrjet spiunësh në të gjithë vendin që ta shpallnin mbret. Pasi paraqiti flijime për të kërkuar bekimin e Perëndisë mbi mbretërinë e tij, ai fitoi edhe mbështetjen e Ahithofelit, këshilltarit më të respektuar të të atit. Që nga ai moment, shumë kaluan në anën e Absalomit.—2Sa 15:7-12.
Para një krize tepër të rëndë dhe në pritje të një sulmi në shkallë të gjerë, Davidi vendosi të linte pallatin me gjithë shtëpinë e tij, sado që kishte mbështetjen e shumë besnikëve, si Abiatari dhe Sadoku, priftërinjtë kryesorë. Këta të dy ai i nisi prapë në Jerusalem si informatorë. Tek ngjitej në Malin e Ullinjve këmbëzbathur, me kokën mbuluar dhe duke qarë, Davidit i doli para Hushai, «shoku» i vet. Ai e dërgoi edhe atë në Jerusalem që të sabotonte këshillën e Ahithofelit. (2Sa 15:13-37) Davidi ishte i rrethuar nga oportunistë, ku njëri kërkonte pëlqimin e tij dhe një tjetër ishte verbuar nga fanatizmi për mbretin e nga urrejtja e pakontrolluar. E megjithatë, në këtë situatë Davidi u nënshtrua qetësisht e nuk pranoi ta kthente të keqen me të keqe, duke bërë një kontrast të thellë me Absalomin. Ai nuk e pranoi kërkesën e Abishait, nipit të tij, që të shkonte e ‘t’ia këpuste kokën’ Shimeit, i cili mallkonte dhe e gjuante mbretin me gurë, sepse arsyetoi: «Ja, im bir, që ka dalë nga brendësia ime, po kërkon shpirtin tim, aq më tepër një beniaminit. Lëreni rehat e të mallkojë, sepse kështu i ka thënë Jehovai! Ndoshta Jehovai do të shohë me sytë e vet dhe, në vend të mallkimit të sotëm, Jehovai do të më rikthejë mirësinë.»—2Sa 16:1-14.
Absalomi, që kishte pushtuar Jerusalemin dhe pallatin mbretëror, pranoi dezertimin e Hushait që bëri sikur kaloi në anën e tij, por më parë i kujtoi me sarkazëm se ishte ‘shoku’ besnik i Davidit. Më pas, duke ndjekur këshillën e Ahithofelit, Absalomi kreu marrëdhënie në sy të njerëzve me konkubinat e të atit, gjë që tregonte se ishte prishur përfundimisht me të atin, Davidin, dhe se ishte plotësisht i vendosur që të ruante fronin. (2Sa 16:15-23) Në këtë mënyrë u përmbush pjesa e dytë e profecisë së Natanit të frymëzuar nga Perëndia.—2Sa 12:11.
Ahithofeli iu lut Absalomit ta vinte në krye të një armate për të ndjekur Davidin e për t’i dhënë goditjen përfundimtare po atë natë, që të mos i linte kohë ushtrisë së tij të organizohej. Edhe pse këshilla e Ahithofelit i pëlqeu, Absalomi e pa të udhës të dëgjonte edhe mendimin e Hushait. I vetëdijshëm se Davidit i nevojitej kohë, Hushai bëri një përshkrim të gjallë të situatës, ndoshta duke shfrytëzuar mungesën e guximit të vërtetë nga ana e Absalomit (i cili deri në atë moment ishte treguar më shumë arrogant e dredharak sesa trim i vërtetë), si edhe duke i përkëdhelur sedrën. Hushai e këshilloi që fillimisht të priste sa të mblidhej një ushtri tejet e madhe që ta udhëhiqte vetë Absalomi. Meqenëse ashtu deshi Jehovai, këshilla e Hushait u pranua. Ahithofeli me sa duket e kuptoi se revolta e Absalomit do të dështonte dhe vrau veten.—2Sa 17:1-14, 23.
Për ta parapërgatitur, Hushai dërgoi njerëz që ta vinte Davidin në dijeni të këshillës së Ahithofelit dhe, me gjithë përpjekjet e Absalomit për t’i zënë vrapuesit klandestinë, Davidi e mori lajmin; ai kaloi Jordanin dhe u ngjit në kodrat e Galaadit deri në Mahanaim (që më parë kishte qenë kryeqyteti i Ish-Boshethit). Atje e pritën gjithë bujari e dashamirësi. Duke u përgatitur për përleshjen, Davidi i organizoi radhët e ushtrisë së tij, që sa vinte e shtohej, në tri divizione që drejtoheshin përkatësisht nga Joabi, Abishai dhe Itai, gititi. Davidin e këshilluan të qëndronte në qytet, ku prania e tij do të çmohej më shumë, dhe ai pranoi. Megjithatë, ai tregoi edhe një herë në mënyrë të pazakontë se nuk i mbante mëri Absalomit kur, në sy të të gjithëve, u dha këtë urdhër tre komandantëve të tij: «Silluni ëmbël me të riun Absalom.»—2Sa 17:15–18:5.
Beteja vendimtare dhe vdekja. Ushtria e Absalomit e formuar nga pak kohë pësoi një disfatë të rëndë nga luftëtarët e regjur të Davidit. Beteja u shtri deri në pyllin e Efraimit. Duke ia mbathur, i hipur në mushkën e tij mbretërore, Absalomi kaloi nën degët e ulëta të një peme shumë të madhe dhe me sa duket flokët iu ngatërruan në një degë të bigëzuar e mbeti i varur në ajër. Burri që i tregoi Joabit se e kishte parë, pranoi se nuk do ta kishte vrarë Absalomin edhe sikur ai t’i jepte «një mijë monedha argjendi [rr. 2.200 dollarë, nëse ishin sikla]», sepse nuk donte të tregohej i pabindur ndaj fjalës së Davidit. Megjithatë kjo nuk e stepi Joabin dhe i nguli tri shtiza në zemër Absalomit; më pas edhe dhjetë nga ushtarët e tij u bashkuan me komandantin e tyre, për të marrë edhe ata përgjegjësinë për vdekjen e Absalomit. Pastaj trupin e Absalomit e hodhën në një gropë dhe e mbuluan me një pirg gurësh, duke treguar kështu se ai nuk e meritonte as të varrosej.—2Sa 18:6-17; krahaso Js 7:26; 8:29.
Kur lajmëtarët shkuan te Davidi në Mahanaim, meraku i tij i parë ishte për të birin. Sa mësoi se Absalomi kishte vdekur, Davidi filloi të çapitej nëpër dhomën që gjendej në tarracë, duke qarë: «Biri im Absalom, biri im, biri im Absalom! Ah, sikur të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!» (2Sa 18:24-33) Vetëm fjalët dhe arsyetimi i qartë dhe troç i Joabit e nxorën Davidin nga trishtimi i thellë që i shkaktoi sjellja dhe fundi tragjik i Absalomit, një i ri mjaft i pashëm dhe i shkathët, por që ambicia e madhe e çoi deri aty sa të luftonte kundër të mirosurit të Perëndisë, duke e paguar me jetën e vet.—2Sa 19:1-8; krahaso Pr 24:21, 22.
Siç tregon edhe mbishkrimi në fillim, Davidi e shkroi Psalmin 3 në kohën e rebelimit të Absalomit.
Përmendorja e Absalomit. Absalomi kishte ngritur një shtyllë në «Ultësirën e Mbretit» që quhet edhe ‘ultësira e Shavehut’, afër Jerusalemit. (2Sa 18:18; Zn 14:17) Ai e kishte ngritur sepse nuk kishte djem që të ruanin emrin e tij pas vdekjes. Pra, me sa duket, tre bijtë e tij që përmenden te 2 Samuelit 14:27 kishin vdekur të vegjël. Absalomi nuk u varros në vendin ku gjendej përmendorja e tij, por u la në një gropë në pyllin e Efraimit.—2Sa 18:6, 17.
Në luginën e Kidronit gjendet një shtyllë e gdhendur në shkëmb, që është quajtur Varri i Absalomit. Megjithatë, forma e saj arkitekturore tregon se ajo i përket periudhës greko-romake, ndoshta të kohës së Herodit. Pra, nuk ka asnjë arsye që emri i Absalomit të lidhet me këtë monument.