Libri i parë i Samuelit
22 Kështu Davidi iku që andej+ dhe ia mbathi për në shpellën e Adulamit.+ Kur e morën vesh këtë, vëllezërit dhe gjithë shtëpia e të atit shkuan tek ai. 2 Tërë njerëzit që ishin në hall, që kishin borxhe dhe vuanin nga padrejtësitë* u bashkuan me të, dhe ai u bë kreu i tyre. Me të ishin rreth 400 burra.
3 Më vonë, që andej Davidi shkoi në Mizpeh të Moabit dhe i tha mbretit të Moabit:+ «Të lutem, le të qëndrojnë me ju ati dhe nëna ime derisa të di se ç’do të bëjë Perëndia për mua.» 4 Kështu i la me mbretin e Moabit dhe ata qëndruan me të gjatë gjithë kohës që Davidi qëndroi në vendin e tij të sigurt.+
5 Pas ca kohësh, profeti Gad+ i tha Davidit: «Mos qëndro në vendin tënd të sigurt. Ik që andej dhe shko për në vendin e Judës.»+ Kështu Davidi u largua dhe shkoi në pyllin e Herethit.
6 Sauli mori vesh që kishin gjetur Davidin dhe burrat që ishin me të. Ndërkohë, Sauli po rrinte ulur në një kodër në Gibeah,+ nën pemën e brukës, me heshtën në dorë dhe me gjithë shërbëtorët që kishin zënë vend rreth tij. 7 Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të vet: «Tani, o beniaminitë, më dëgjoni. A mendoni se edhe djali i Jeseut+ do t’ju japë të gjithëve ara e vreshta?! A mendoni se do t’ju emërojë të gjithëve krerë të mijësheve e të qindësheve?!+ 8 Të gjithë keni komplotuar kundër meje! Asnjë nuk më tregoi kur djali im bëri një besëlidhje me djalin e Jeseut!+ Si nuk i vjen keq asnjërit për mua dhe s’më tregon se im bir ka nxitur shërbëtorin tim kundër meje për të më zënë në kurth, siç po bën sot!»
9 Atëherë edomiti Doeg,+ që ishte në krye të shërbëtorëve të Saulit, u përgjigj:+ «E pashë unë djalin e Jeseut të vinte në Nob tek Ahimeleku, biri i Ahitubit.+ 10 Ky kërkoi drejtimin e Jehovait për të e i dha ushqime. Madje i dha edhe shpatën e filistinit Goliad.»+ 11 Menjëherë mbreti thirri Ahimelekun, birin e priftit Ahitub, dhe gjithë priftërinjtë e shtëpisë së atit të tij që ishin në Nob. Kështu erdhën të gjithë te mbreti.
12 Atëherë Sauli i tha: «Tani, o bir i Ahitubit, më dëgjo!» Ai ia ktheu: «Urdhëro, imzot.» 13 Sauli i tha: «Pse keni komplotuar kundër meje, ti dhe djali i Jeseut? Pse i dhe bukë e shpatë dhe kërkove drejtimin e Perëndisë për të? Ai ka ngritur krye kundër meje për të më zënë në kurth, siç po bën sot.» 14 Atëherë Ahimeleku iu përgjigj mbretit: «Kush nga shërbëtorët e tu është aq i besueshëm* sa Davidi?+ Ai është dhëndri i mbretit,+ kreu i truprojës sate dhe i nderuar në shtëpinë tënde.+ 15 Mos nisa ta kërkoj sot drejtimin e Perëndisë për të?!+ S’më shkon kurrë ndër mend të ngre krye kundër teje! Mbreti të mos bëjë me faj as shërbëtorin e vet dhe as tërë shtëpinë e tim eti, sepse shërbëtori yt nuk dinte asgjë për këtë çështje.»+
16 Por mbreti i tha: «Ti ke për të vdekur,+ Ahimelek, ti dhe gjithë shtëpia e atit tënd!»+ 17 Me të thënë këtë, mbreti u tha rojave* që kishin zënë vend rreth tij: «Shkoni, vritini priftërinjtë e Jehovait, sepse kanë marrë anën e Davidit! Ata e dinin që ishte i arratisur, por nuk më vunë në dijeni.» Mirëpo asnjë nga ushtarët e mbretit nuk deshi t’i sulmonte* priftërinjtë e Jehovait. 18 Atëherë mbreti i tha Doegut:+ «Shko ti dhe vriti priftërinjtë!» Menjëherë edomiti+ Doeg shkoi dhe i vrau priftërinjtë. Atë ditë, ai vrau 85 burra të veshur me efod linoje.+ 19 Vrau me shpatë edhe njerëzit e Nobit,+ qytetit të priftërinjve, burra e gra, fëmijë e foshnja, dema, gomarë e dhen.
20 Megjithatë, një nga bijtë e Ahimelekut, birit të Ahitubit, që e kishte emrin Abiatar,+ shpëtoi dhe iku me të katra për te Davidi. 21 Abiatari i tha Davidit: «Sauli ka vrarë priftërinjtë e Jehovait.» 22 Sapo dëgjoi këtë, Davidi i tha Abiatarit: «Kur pashë se edomiti Doeg ishte atje atë ditë,+ e dija se pa dyshim do t’i tregonte Saulit. Unë e kam fajin për vdekjen e të gjithë njerëzve në shtëpinë e atit tënd. 23 Rri me mua. Mos ki frikë, sepse kushdo që kërkon jetën tënde, kërkon jetën time; ty do të të mbroj unë!»+