Libri i parë i Samuelit
23 Kohë më pas, Davidit i treguan: «Filistinët po luftojnë kundër Kejlahut+ dhe po plaçkitin lëmenjtë.»* 2 Kështu Davidi pyeti Jehovain:+ «A të shkoj e t’i sulmoj filistinët?» Jehovai iu përgjigj: «Shko, sulmoji dhe shpëtoje Kejlahun.» 3 Por njerëzit e vet i thanë Davidit: «Ne kemi frikë këtu në Judë,+ e jo më të shkojmë në Kejlah kundër forcave të filistinëve!»+ 4 Kështu Davidi e pyeti përsëri Jehovain.+ Tani, Jehovai iu përgjigj: «Ngrihu dhe zbrit në Kejlah, sepse do të t’i jap në dorë filistinët.»+ 5 Prandaj Davidi shkoi me njerëzit e vet në Kejlah dhe luftoi kundër filistinëve; bëri kërdi të madhe atje, u mori bagëtinë dhe shpëtoi banorët e Kejlahut.+
6 Tani, kur Abiatari,+ djali i Ahimelekut, ia mbathi e shkoi te Davidi në Kejlah, kishte me vete një efod. 7 Saulit i treguan: «Davidi ka ardhur në Kejlah.» Atëherë Sauli tha: «Perëndia ma ka dhënë në dorë,*+ sepse duke hyrë në një qytet me dyer e shula, ai ka rënë në grackë me këmbët e veta.» 8 Kështu Sauli thirri gjithë popullin për luftë, që të zbritnin në Kejlah e të rrethonin Davidin dhe njerëzit e tij. 9 Kur mori vesh se Sauli po komplotonte kundër tij, Davidi i tha priftit Abiatar: «Sille këtu efodin.»+ 10 Pastaj Davidi tha: «O Jehova, Perëndia i Izraelit, shërbëtori yt ka marrë vesh se Sauli ka ndër mend të vijë në Kejlah që ta shkatërrojë qytetin për shkakun tim.+ 11 A do të më dorëzojnë në duart e tij prijësit e Kejlahut?* A do të vijë Sauli, ashtu si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Jehova, Perëndia i Izraelit, të lutem, tregoji shërbëtorit tënd.» Atëherë Jehovai iu përgjigj: «Do të vijë.» 12 Davidi pyeti: «Po prijësit e Kejlahut, a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?» Jehovai iu përgjigj: «Do t’ju dorëzojnë.»
13 Menjëherë Davidi me njerëzit e tij, rreth 600 burra,+ u ngritën e ikën nga Kejlahu dhe shkuan nga një vend në tjetrin, ku të mundeshin. Kur i treguan se Davidi ia kishte mbathur nga Kejlahu, Sauli nuk shkoi pas tij. 14 Davidi qëndroi në shkretëtirë, në vende ku ishte e vështirë të shkoje, në rajonin malor të shkretëtirës së Zifit.+ Sauli e kërkoi pareshtur,+ por Jehovai nuk e dorëzoi në duart e tij. 15 Ndërsa ndodhej në shkretëtirën e Zifit, në Horesh, Davidi e dinte se* Sauli kishte dalë për t’i marrë jetën.
16 Tani, Jonatani, djali i Saulit, shkoi te Davidi në Horesh dhe e ndihmoi të merrte forcë* falë Jehovait.+ 17 Ai i tha: «Mos ki frikë, sepse Sauli, babai im, nuk do të të gjejë. Ti do të jesh mbret i Izraelit,+ kurse unë do të jem i dyti pas teje. Edhe im atë, Sauli, e di këtë.»+ 18 Pastaj të dy bënë një besëlidhje+ para Jehovait; Davidi qëndroi në Horesh, kurse Jonatani shkoi në shtëpi.
19 Më vonë, burrat e Zifit u ngjitën te Sauli në Gibeah+ e i thanë: «Davidi është fshehur afër nesh,+ në Horesh,+ në vende ku është e vështirë të shkosh, në kodrën e Hakilahut,+ që ndodhet në jug* të Jeshimonit.*+ 20 Kur ta shohësh të udhës, o mbret, hajde, dhe ne do ta dorëzojmë në duart e tua.»+ 21 Atëherë Sauli tha: «Bekuar qofshi nga Jehovai, sepse keni treguar dhembshuri për mua! 22 Ju lutem, shkoni e përpiquni ta gjeni ku është me saktësi dhe kush e ka parë atje, sepse më kanë thënë se është shumë dinak. 23 Sigurohuni mirë për të gjitha vendet ku fshihet dhe kthehuni tek unë me prova. Pastaj do të vij me ju, dhe nëse ai është atje, do ta kërkoj mes gjithë mijësheve* të Judës.»
24 Kështu ata ikën e shkuan në Zif+ përpara Saulit, ndërkohë që Davidi me njerëzit e tij ishin në shkretëtirën e Maonit+ në Arabah,+ në jug të Jeshimonit. 25 Më vonë Sauli erdhi bashkë me njerëzit e tij që ta kërkonte.+ Kur e lajmëruan për këtë, Davidi zbriti menjëherë te një shkrep+ dhe qëndroi në shkretëtirën e Maonit. Sapo e mori vesh, Sauli iu vu pas në shkretëtirën e Maonit. 26 Kur Sauli mbërriti në njërën anë të malit, Davidi me njerëzit e tij ishte në anën tjetër. Davidi po nxitonte që të largohej+ nga Sauli, por Sauli me njerëzit e vet po i afrohej gjithnjë e më shumë Davidit e njerëzve të tij për t’i kapur.+ 27 Mirëpo, te Sauli erdhi një lajmëtar që i tha: «Hajde shpejt, sepse filistinët kanë sulmuar papritur vendin!» 28 Me të dëgjuar këtë, Sauli nuk e ndoqi më Davidin+ dhe shkoi të luftonte me filistinët. Ja pse ai vend u quajt Shkrepi i Ndarjeve.
29 Pastaj, që andej, Davidi u ngjit dhe qëndroi në En-Gedi,+ në vendet ku ishte e vështirë të shkoje.